OpEd

Artisti dhe burokrati në Bled

Edi Ramën dhe Andrej Plenkoviqin i bashkon fakti se që të dy janë kryeministrat më jetëgjatë në historinë e vendeve të tyre. Përveç kësaj, ata nuk kanë asnjë të përbashkët tjetër. Këtë “mosdurim” ndërmjet tyre patëm mundësi të shohim së fundi në Bled

Janë dy lloje të njerëzve që natyrshëm nuk mund ta durojnë njëri-tjetrin: artistët dhe burokratët. Ata kanë vlera, synime dhe botëkuptime tërësisht të ndryshme. Artisti e jeton jetën bazuar në liri, krijimtari dhe pasion. Burokrati e jeton jetën bazuar në rregulla, disiplinë dhe hierarki.

Ky konflikt karakteresh është përdorur si instrument i bukur rrëfimi i betejës së përhershme njerëzore ndërmjet lirisë individuale dhe kontrollit institucional. Kështu, Kafka na e dhuroi “Gjyqin”, Orwelli “1984”, Kadareja “Pallatin e Ëndrrave”, ndërsa Lenzi “Mësimin Gjerman”.

E bëra këtë hyrje të konfliktit të artistëve dhe të burokratëve jo për të diskutuar mbi rolin e tij në historikun e letërsisë, por për të mbërritur te ndikimi i tij në politikën bashkëkohore. Sot në rajonin tonë kemi një konflikt të tillë në mes të dy protagonistëve politikë: artistit - Edi Rama dhe burokratit - Andrej Plenkoviq.

Rama dhe Plenkoviqi janë pothuaj të së njëjtës moshë, por që nga ardhja në këtë botë ata kanë ndjekur shtigje krejtësisht të ndryshme.

Rama e studioi artin dhe fillimisht e zgjodhi atë si karrierë. Rrethanat e kohës do ta shtyjnë atë drejt politikës. Rama do ta shndërrojë politikën në art. Nga ngjyrat e qytetit të Tiranës dhe rilindja urbane e deri te veshja e tij ekstravagante dhe projektet futuristike infrastrukturore, Rama e përdori artin për ta revolucionizuar politikën shqiptare. Asnjëherë i mërzitshëm dhe çdoherë kontrovers, Rama e udhëhoqi Shqipërinë drejt një progresi të cilin ia njohin edhe kundërshtarët politikë. Ai u bë kryeministri më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë. Ky rrëfim unikal i suksesit të një vendi ish-komunist do ta lansojë Ramën në skenën globale. Këtu, ai edhe do ta takojë protagonistin tonë të dytë, Andrej Plenkoviq.

Plenkoviqi ka lindur në një familje burokratësh. Babanë profesor universitar, nënën mjeke. Që nga rinia, Andreji ka shfaqur interesim për punët e shtetit. Në shkollën e mesme, ai do ta shkruante një ese të gjatë mbi “Instrumentet e Komunikimit Masiv”, ku mes tjerash do t’i shtjellonte idetë e Marksit dhe të Kardelit. Ai do ta vazhdonte këtë trajektore me studimet e drejtësisë, ku do të diplomojë me fokus të veçantë te funksionimi i institucioneve të Bashkimit Evropian. Pas studimeve, Plenkoviqi e nis karrierën e tij burokrate me punën në institucionet shtetërore. Për gjashtëmbëdhjetë vjet, Plenkoviqi do të punonte në diplomacinë kroate, ku avancoi në hierarkinë e pozitave më të rëndësishme diplomatike. Në vitin 2011, ai do të kuptojë se është i destinuar për më shumë sesa një burokrat i rëndomtë kroat dhe kështu do t’i futet politikës. Më 2011, ai zgjidhet deputet në Parlamentin kroat, ndërsa në vitin 2013 zgjidhet deputeti i parë kroat në Parlamentin Evropian. Kulminacioni i karrierës së tij do të jetë marrja e udhëheqjes së HDZ-së dhe fitorja në zgjedhjeve parlamentare të 2016-s. Që nga ajo kohë, Plenkoviqi do t’i fitojë edhe dy palë zgjedhje të tjera, duke hyrë në histori, sikurse Rama, si kryeministri më jetëgjatë në historinë e vendit të tij.

Rrugëtimi i dy protagonistëve tonë – Ramës dhe Plenkoviqit - nuk mund të ishte më ndryshe.

Hyrja e Ramës në politikë dhe e gjithë veprimtaria e tij politike ishte akt revolucioni politik i një artisti rebel që i përbuzi dhe i përmbysi rregullat dhe normat tradicionale të establishmentit.

Hyrja e Plenkoviqit në politikë dhe e gjithë veprimtaria e tij politike ishte akt evolucioni politik i një burokrati serioz që i përqafoi traditën dhe rregullat e establishmentit politik. Kësisoj, dy protagonistë tonë kanë ndjekur shtigje të ndryshme në jetët e tyre, vetëm për t’u bashkuar si liderë të dy vendeve të tyre respektive. Dhe ndonëse ata të dy sot i udhëheqin vendet që gëzojnë historikisht marrëdhënie të ngrohta dhe miqësore, marrëdhënia personale ndërmjet Ramës dhe Plenkoviqit duket të jetë më e ftohtë. Thënë ndryshe, artisti dhe burokrati nuk mund ta durojnë njëri-tjetrin.

Episodin e fundit të këtij “konflikti” ndërmjet artistit dhe burokratit patëm mundësi që të shohim gjatë konferencës së Bledit. Jo vetëm se ata i panë me përbuzje veshjet radikalisht të ndryshme të njëri-tjetrit, por (më me rendësi) prezantuan dy vizione radikalisht të ndryshme për të ardhmen e rajonit brenda Bashkimit Evropian. Përderisa Rama e prezantoi një vizion rozë dhe optimist për anëtarësimin e shpejtë në BE, të mbushur me shaka për Putinin dhe për ballkanasit, Plenkoviqi foli kokëftohtë dhe pa emocione për rrezikun e status-quos. Përderisa Rama (dhe Marta Kosi) romantizuan për mundësinë e anëtarësimeve të reja deri në vitin 2027, Plenkoviqi ua kujtoi që të dyve realitetin e ngrystë brenda BE-së dhe mungesën e vullnetit të sinqertë politik në nivel të liderëve të BE-së për zgjerimin.

Ishte zbavitëse të shikosh se si gjatë konferencës shpërfaqet qartë si Rama artisti nuk ndihet fizikisht fare komfort me fjalimin e burokratit Plenkoviq. Rama dhe Kosi u munduan t’i përgjigjen realizmit të Plenkoviqit, por përgjigjet e tyre vetëm sa e forcuan edhe më tutje argumentin e Plenkoviqit. Pjesa më e bukur ishte kur komisionerja Kos, duke iu përgjigjur argumentit të Plenkoviqit se nuk ka vullnet politik përbrenda Këshillit, tha: “Nganjëherë kur bllokohemi në Këshill, unë dhe Antonio (Costa) në nivelin teknik nuk jemi duke u ndalur”. Thënë ndryshe, nëse fati i procesit të zgjerimit varet nga Marta Kosi e Antonio Costa - dy pozitat më të pafuqishme brenda institucioneve të BE-së - atëherë patjetër se jemi në telashe të mëdha. Këtë frikën tonë e konfirmoi edhe fjalimi i së mërkurës i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Ajo e mbajti fjalimin më të rëndësishëm të vitit dhe foli për një orë e gjysmë. Zgjerimi u përmend vetëm një herë dhe zgjati dhjetë sekonda.

Për mua, Bledi do të mbahet mend për dy gjëra. Ishte episodi më i bukur i këtij konflikti të përhershëm të dy protagonistëve tanë – Ramës dhe Plenkoviqit. Dhe së dyti, Bledi ishte momenti kur Plenkoviqi filloi të na vetëdijesojë për vështirësitë me të cilat procesi i zgjerimit po ballafaqohet brenda niveleve më të larta vendimmarrëse të BE-së. Në sfondin e propagandës së përhershme, nga e cila vuan rajoni ynë, ky vetëdijesim do të jetë i mirëseardhur.