OpEd

Amerika nuk ka parë kurrë korrupsion si ky

Avioni i dhuruar nga Katari për Donald Trumpin ishte vetëm fillimi. Serbia dhe Shqipëria kanë kërkuar kohët e fundit afërsinë e Trumpit, secila duke nënshkruar marrëveshje për prona luksoze me familjen e tij. Së shpejti, stimulimi për të tejkaluar njëri-tjetrin me ryshfete mund të përhapet në rivalitetet gjeopolitike në mbarë botën. (Botuar për herë të parë në revistën amerikane “The Atlantic” më 10 korrik 2025).

Casey Michel, The Atlantic

Shtëpia e Bardhë ka parë mjaft marrëveshje të dyshimta. Kunati i Ulysses S. Grant (presidenti i 18-të amerikan) përdori lidhjet familjare për të sajuar një skemë tregtie të brendshme që shkatërroi tregun e arit. Sekretari i brendshëm i Warren Harding fshehurazi dha me qira toka për baronë nafte, të cilët e paguan shtrenjtë për këtë. Për të financuar rizgjedhjen e Richard Nixonit, drejtues ekzekutivë të korporatave sollën në kryeqytet valixhe plot me para.

Por amerikanët nuk kanë parë kurrë diçka si korrupsioni që Presidenti Donald Trump dhe rrethi i tij i ngushtë kanë ushtruar muajve të fundit. Mizoria, përmasat dhe shumëllojshmëria e tij sfidojnë çdo krahasim historik — madje edhe në një vend me një histori shekullore mashtrimesh, përfshirë, natyrisht, mandatin e parë të Trumpit. Në të vërtetë, mandati i tij i dytë i bën skandalet financiare të të parit – si qëndrimet e regjimeve të huaja në hotelin e Trumpit në Washington apo (planin e ndërprerë) për të mbajtur samitin e G7 në hotelin e tij në Florida – të duken si gjëra të pafajshme.

Trump 2.0 sapo ka filluar, por tashmë përfaqëson kulmin e kleptokracisë amerikane. Dhe ka arsye të forta për të menduar se do të bëhet edhe më keq.

Pothuajse çdo javë, familja Trump duket se gjen një mënyrë të re për të përfituar nga presidenca. Organizata Trump ka ndërmjetësuar një listë gjithnjë e më të gjatë projektesh të pasurive të paluajtshme me regjime autokratike, përfshirë një kullë Trump në Arabinë Saudite, një hotel Trump në Oman dhe një klub golfi Trump në Vietnam. “Ne jemi marka më e nxehtë në botë për momentin”, deklaroi kohëve të fundit Eric Trump. Në maj, Katari i dhuroi Shtëpisë së Bardhë një avion prej 400 milionë dollarësh – një dhuratë që ngjante fort me një ryshfet, por që Trump e pranoi pa asnjë hezitim.

Dhe kjo është vetëm në frontin ndërkombëtar. Brenda vendit, Trump ka përdorur ankesa të paqëndrueshme për të sulmuar mediat, duke arritur marrëveshje që duken si zhvatje. Vitin e kaluar, ai akuzoi emisionin “60 Minutes” kishte ndërfutur formulime mashtruese në një intervistë me kundërshtaren e tij demokrate, Kamala Harris. Ekspertët ligjorë e panë pretendimin si të dobët.

Megjithatë, në vend që të përballej në gjykatë, kompania Paramount pranoi të paguajë 16 milionë dollarë, të cilët do të subvencionojnë bibliotekën e ardhshme presidenciale të Trumpit dhe do të mbulojnë shpenzimet e tij ligjore. Pas një padie po aq të dyshimtë, ABC dërgoi 15 milionë dollarë në fondin e bibliotekës dhe nxori një “deklaratë keqardhjeje.”

Përveç kësaj, presidenti ka tregtuar parfume Trump, atlete Trump dhe telefona Trump – duke shfrytëzuar pa turp prestigjin e presidencës për të rritur të ardhurat e familjes së tij. E pastaj është kriptomonedha: monedha-meme $TRUMP, darkat me pagesë për investitorët, dhe ndalimi i përkohshëm i ndjekjes penale ndaj një “mbreti të kriptos” që kishte blerë 30 milionë dollarë në tokena të mbështetur nga Trumpi.

“Ligji është krejtësisht në anën time”, tha Trump pasi u zgjodh në vitin 2016, kur u pyet për përzierjen e çështjeve financiare me detyrën e re. “Presidenti nuk mund të ketë konflikt interesi.”
Ky pohim sot është shqetësueshëm afër të vërtetës. Falë një vendimi të Gjykatës së Lartë vitin e kaluar, Trump gëzon imunitet të supozuar nga ndjekja penale për çdo “akt zyrtar.” Ai ka emëruar si prokurore të përgjithshme Pam Bondin, e cila duket e gatshme të zbatojë çdo urdhër të tij, pavarësisht kostos për Departamentin e Drejtësisë. Ai ka shkatërruar institucionet e pavarura që hetonin rrjetet e krimit ekonomik, grupet që trajtonin kleptokracinë, prokuroritë që ndiqnin korrupsionin publik dhe rregulloret që godisnin pastrimin ndërkombëtar të parave.

Lista vazhdon. Ministria e Financave praktikisht shkriu regjistrin e ri të firmave guackë (ndërmarrje që nga pamja e jashtjme duken legale, por në thelb merren me aktivitete të paligjshme). Ministria e Drejtësisë shpërndau task-forcat që sekuestronin pasuritë e vjedhura. Qeveria bllokoi zbatimin e Aktit të Praktikave të Korrupsionit të Huaj – një shtyllë themelore e regjimit antikorrupsion amerikan. Me pak fjalë, Trump ka çmontuar një rrjet të tërë agjencish, ligjesh dhe normash që pengonin çdo lloj kleptokracie – përfshirë atë që pasuron një president në detyrë.

Agjentët e huaj po shohin teksa regjimi antikorrupsion amerikan po shembet. Ata shohin një mundësi të jashtëzakonshme dhe e dinë që duhet të veprojnë shpejt për ta shfrytëzuar. Mbështetja për Trumpin dhe familjen e tij është dëshmuar si një nga mënyrat më të shpejta për të siguruar politika të favorshme. A po e dëmtojnë sanksionet amerikane biznesin tënd? Mendo për ndërtimin e një resorti Trump. Do të mbetesh i favorizuari i Amerikës? Investo në kriptomonedhën e mbështetur nga Trumpi.

E gjithë kjo skemë mashtruese ka gjasa të përshpejtohet. Të marrim për shembull avionin nga Katari. Dhurata shkaktoi shumë zhurmë në SHBA, por edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabinë Saudite, të cilat panë rivalin e tyre rajonal të fitonte ndikim mbi Trumpin. Mos e shihni avionin si kulmin e lakmisë presidenciale – por si pikën e re të nisjes për ofertat që do të vijnë. Çdo diktator nga Lindja e Mesme që dëshiron të tejkalojë Katarin në sytë e Amerikës, tani e di se sa duhet të paguajë.

Në Indi, oligarkë dhe aleatë të qeverisë po përfshihen në projekte pronash të Trumpit me një ritëm të shpejtë, ndërsa Pakistani sapo shpalli një rezervë kombëtare kriptomonedhë, duke nënshkruar një “letër synimi” për të bashkëpunuar me një grup të mbështetur nga Trumpi. Serbia dhe Shqipëria kanë kërkuar kohët e fundit afërsinë e Trumpit, secila duke nënshkruar marrëveshje për prona luksoze me familjen e tij. Së shpejti, stimulimi për të tejkaluar njëri-tjetrin me ryshfete mund të përhapet në rivalitetet gjeopolitike në mbarë botën.

Ndoshta më shqetësuesja është leja e heshtur që Trump u ka dhënë fuqive të huaja për të financuar drejtpërdrejt politikanë amerikanë. Ky ishte precedenti që ai vendosi kur detyroi prokurorët të pushonin çështjen kundër kryetarit të Bashkisë së New Yorkut, Eric Adams, i akuzuar se kishte kërkuar fonde elektorale nga Turqia. “Zgjedhjet fitohen me para”, tha Adams. “Çdo gjë tjetër është zbukurim”.

Ndoshta edhe presidenti do të thoshte të njëjtën gjë.
Regjimet e huaja po kuptojnë gjithnjë e më shumë sa larg mund të shkojë paraja e tyre në Amerikën e Trumpit. Ofertuesi më i lartë nuk ka pasur kurrë më shumë për të fituar.

Casey Michel është autor i librit “Foreign Agents: How American Lobbyists and Lawmakers Threaten Democracy Around the World” (“Agjentë të huaj: Si lobistët dhe ligjvënësit amerikanë e rrezikojnë demokracinë në mbarë botën”).