OpEd

A mund ta paramendoni Kosovën pa vetura me benzinë dhe dizel për 12 vjet

Çështja e integrimeve evropiane është shumë më komplekse sesa duket. Për momentin fokusi është në pengesat politike. Por kur ato të hiqen, do të shihet se sa larg janë vendet e rajonit nga gatishmëria për t’u bërë anëtare të BE-së. Energjia dhe ruajtja e mjedisit do të jenë pa dyshim sfidat më të mëdha. Por BE-ja këtu nuk do të ketë as mirëkuptim minimal. Kosova, e as ndonjë shtet tjetër, nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së pa i shuar tërësisht termocentralet me qymyr, pa i përkrahur vendimet e BE-së për heqjen nga tregu të veturave me motor me djegie të brendshme (dizel dhe benzinë). Prandaj kur përmenden afatet se kur ndonjë vend i rajonit mund të bëhet anëtar i BE-së, duhet pyetur, po ashtu, edhe kur ai vend do të jetë i gatshëm të arrijë standardet e BE-së në transicionin e gjelbër

Në javën kur Kosova dhe rajoni merreshin me pyetjen se a do të zgjatet apo jo afati për ndërrimin e targave të veturave në Kosovë, a do t’i lejohet apo jo zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, pjesëmarrja në konferencë në Beograd, kur në Bosnjë-Hercegovinë rinumëroheshin votat nga zgjedhjet e fundit, kur në Mal të Zi festohej fitorja në zgjedhjet lokale me flamuj të Serbisë, në BE u arrit pajtimi për ndoshta vendimin më të rëndësishëm në dhjetë vjetët e fundit. Në të ashtuquajturin “trialog” mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit, sipas propozimit të Komisionit, u arrit pajtimi për t’i dhënë fund shitjes së veturave me djegie të brendshme në territorin e BE-së më së voni deri në vitin 2035.

Jo, nuk është një vit shumë i largët. Janë vetëm edhe 12 vjet. Afati kohor dhe vendimi duken tepër, tepër ambiciozë. Ai sjell plot sfida dhe ishte shumë vështirë të arrihej pajtimi. Edhe lobi i fortë i industrisë së veturave, sidomos nga Gjermania, Franca dhe Italia, bëri çmos që ta pengojë këtë vendim. Por nuk arriti. Prandaj kjo u pa si një fitore e madhe e Komisionit Evropian dhe një sukses i madh i Presidencës çeke, që në emër të Këshillit i udhëhoqi këto negociata. Përderisa prodhuesit e veturave tërheqin vërejtjen se kjo do të jetë një barrë e madhe për ta, dhe do të rrezikojë prodhuesit evropianë në tregun botëror, shoqatat për ruajtjen e mjedisit thonë se këto janë vendime të vonuara, dhe kanë mundur të jenë edhe më ambicioze.

Nëse realizohet ky vendim, prej vitit 2035 nuk do të mund të shiten më vetura apo kamioneta me motor me benzinë, naftë apo gaz. Vetëm veturat elektrike. Ato që janë shitur deri në këtë afat do të mund të jenë në qarkullim edhe pas kësaj date, më së shumti edhe për 15 vjet, pra deri në vitin 2050. Komisioni Evropian, Parlamenti dhe Këshilli janë pajtuar se “kjo është kohë e mjaftueshme edhe për prodhuesit e veturave që të përshtaten”.

Tash, pra, duhet pritur që ato të fokusohen në avancimin e motorëve elektrikë, në zgjatjen e autonomisë, shkurtimin e kohës së mbushjes, dhe, mbi të gjitha, prodhimin me një çmim final, i cili mund të jetë i përshtatshëm edhe për shumicën e qytetarëve. Nëse deri në vitin 2035 çmimi i veturave elektrike do të jetë shumë më i shtrenjtë, atëherë mund të arrihet një efekt i padëshiruar. Mund të mbushet Evropa me vetura të vjetra, në pamundësi që shumica e qytetarëve të blejnë vetura elektrike. Pra, gara ka nisur qysh tash.

tjetër sfidë do të jetë edhe prodhimi i energjisë elektrike. Çfarë efekti mund të kenë veturat me emetim zero të karbonit të dyoksidit, që kanë motor me mbushje me energji elektrike, nëse ajo energji do të prodhohet nga qymyri, nafta apo gazi. Prandaj në BE thonë se ky vendim, sado i rëndësishëm, është vetëm një hap i madh mes shumë hapave të tjerë që duhet të pasojnë në zbatimin e qëllimeve të transicionit të gjelbër.

BE-ja dëshiron ta ketë rolin udhëheqës në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Por e di se e vetme nuk mundet. Fundi i fundit, BE-ja tash merr pjesë në ndotjen globale me diku rreth 7 për qind. Pra, edhe nëse BE-ja e arrin nivelin zero, e të tjerët në botë nuk e bëjnë pjesën e tyre të punës, atëherë nuk do të ketë shumë dobi për planetin. Prandaj BE-ja dëshiron të punojë edhe me parterët dhe do t’i shtyjë ata edhe në takimin që së shpejti do të zhvillohet në Sharm al Sheik të Egjiptit.

BE-ja nuk do të bëjë presion vetëm ndaj Indisë, Brazilit e Kinës, pa të cilat nuk mund të bëhet shumë në ruajtjen e planetit. Presion do të ketë edhe ndaj vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, sidomos duke pasur parasysh se ato duan të bëhen anëtare të BE-së. Për përshtatjen me qëllimet e BE-së edhe në fushën e energjisë dhe ruajtjes së mjedisit foli në turneun që pati javën e shkuar në rajon edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Përderisa mbështeti aspiratat e tyre për integrim në BE, u bëri ftesë që të bashkohen në përpjekjet për zvogëlimin e varësisë nga Rusia, premtoi shuma të mëdha parash për të tejkaluar krizën energjetike. U bëri ftesë të mendojnë edhe për ruajtjen e mjedisit. Sepse ajri dhe uji nuk kanë kufij. Ndotja nga një vend kalon te tjetri, përmes detit, lumit, liqenit apo ajrit. Dhe, sikur BE-ja nuk mund të jetë e plotë pa vendet e Ballkanit, pa Kosovën, siç u shpreh Von der Leyen, BE-ja nuk mund të jetë as e pastër nëse edhe ky rajon nuk do të jetë i tillë. Dhe kjo do të jetë një sfidë shumë e madhe për të cilën pakkush po mendon sot. Dhe duhet kuptuar ata që nuk mund ta kenë prioritet në këtë moment blerjen e veturës elektrike nëse nuk e dinë akoma si do ta kalojnë dimrin në Kosovë, a do të kenë rrymë, a do të mund të blejnë pelet dhe me çfarë çmimi. Por integrimi evropian kërkon që të mendohet edhe për ngrohjen globale.

Çështja e integrimeve evropiane është shumë më komplekse sesa duket. Për momentin fokusi është në pengesat politike. Por kur ato të hiqen do të shihet se sa larg janë vendet e rajonit nga gatishmëria për t’u bërë anëtare të BE-së. Energjia dhe ruajtja e mjedisit do të jenë pa dyshim sfidat më të mëdha. Por BE-ja këtu nuk do të ketë as mirëkuptim minimal. Kosova, e as ndonjë shtet tjetër, nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së pa i shuar tërësisht termocentralet me qymyr, pa i përkrahur vendimet e BE-së për heqjen nga tregu të veturave me motor me djegie të brendshme (dizel dhe benzinë). Prandaj kur përmenden afatet se kur ndonjë vend i rajonit mund të bëhet anëtar i BE-së, duhet pyetur, po ashtu, edhe kur ai vend do të jetë i gatshëm të arrijë standardet e BE-së në transicionin e gjelbër.

Më herët BE-ja ka qenë më fleksibile dhe u ka toleruar vendeve të reja anëtare më shumë kohë për transicion në arritjen e disa standardeve ekologjike. Por tash, kur ndryshimet klimatike kanë marrë përmasa alarmante, edhe gatishmëria për tolerancë është zvogëluar. Dhe, sado utopiste duket mundësia që edhe Kosova në vitin 2035 të ketë shumë vetura elektrike, duhet shkuar drejt këtij qëllimi. Sepse në të kundërtën jo vetëm se do të jetë larg BE-së, por do të shndërrohet në depo të veturave të vjetra të cilat nuk do të mund të shiten në territorin e Bashkimit Evropian.