Trajneri i klubit të atletikës Rogana nga Kamenica, Zijadin Kryeziu, pavarësisht rezultatit të atletit Musa Hajdari në Olimpiadën e Tokios, e ka përgëzuar atë për profesionalizëm.
Kryeziu që është trajner i atletëve që viteve të fundit e kanë dominuar këtë sport në Kosovë, ka thënë se në Tokio nuk kanë shkuar me synime të mëdha.
Atleti 33-vjeçar, Musa Hajdari, ishte sportisti i parafundit nga Kosova që garoi në “Tokio 2020”. Në kualifikimet në vrapim 800 metra doli i 43-ti nga 47 sa e përfunduan garën, pasi njëri nuk startoi. Prapa vetes, Hajdari la katër atletë të tjerë. Koha e tij në Tokio ishte 1:48.96.
“Dihet niveli i këtij eventi e sidomos konkurrencës së fortë në mbretëreshën e sporteve. Jo vetëm opinioni i gjerë, por edhe një pjesë që merren me sport dhe rreth sportit nuk e kuptojnë fare se sa e vështirë është të kalohet grupi në atletikë. Nuk kemi pritur dhe nuk jemi prononcuar në asnjë moment se do të shkojmë në Tokio për medalje duke i njohur kapacitetet tona”, ka thënë fillimisht trajneri Kryeziu për KOHËN, duke dhënë kritika më pas për përkrahjen që u është dhënë atyre.
“Përkrahjen që e kemi pasur gjatë këtyre viteve nuk ka mjaftuar që t’i ndjekim përgatitjet në kampet ndërkombëtare dhe elitare, nga të cilat kampe atletët përfitojnë dhe avancohen. Pothuajse me të njëjtit ballafaqohen edhe në gara të nivelit botëror e olimpik”.
Kryeziu ka shtuar se Hajdari është përgatitur që të ketë kohë më të mirë, por një gjë e tillë nuk u arrit.
“Normalisht kam pritur më shumë në aspektin e kohës, të rezultatit, por jo edhe të kualifikimit sepse kam qenë i njohur me rezultatet e këtyre atletëve. Në fakt, përgatitjet kanë qenë që së paku të vrapojë në kohën minimumi 1.47, por gjërat jo gjithherë shkojnë si duhet. Kanë mbetur jashtë kualifikimit edhe kampionë evropianë, medalistë botërorë”, është shprehur trajneri i suksesshëm i atletikës.
Si Hajdari, ashtu edhe trajneri Kryeziu e ka përmendur moshën e atletit kosovar, që i pamundëson rezultate më të mira.
“Sa i përket disiplinës nga 800 në 1500, Musa Hajdari nuk është që nuk ka bërë gara në 1500 dhe ka një rezultat të mirë. Nuk mund të presim shumë sepse mosha tani nuk është në favor të Musës. Është atleti me karrierën më të gjatë, ka kontribuuar jashtëzakonisht shumë për ngritjen e atletikës në një nivel tjetër. Unë si trajner i tij i jam mirënjohës për gjithë mundin, sakrificën, përkushtimin, respektin, disiplinën dhe mbi të gjitha karakterin e një sportisti të mirëfilltë”, theksoi ai.
Musa Hajdari 33-vjeçar ende nuk ka vendosur nëse do të ndahet nga atletika aktive. Kur të vijë koha, një vendim të tillë do ta marrë së bashku me trajnerin e tij.