Burim Shala, gjykatës në Gjykatën e Apelit, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se kontratat kolektive pothuajse e kanë dyfishuar numrin e rasteve në gjykata.
I ftuar në “Tempus”, Shala tha se edhe lëndët e pensioneve e kanë mbingarkuar gjykatën.
“Kohët e fundit, sidomos këto lëndët e Kontratave Kolektive, që rrjedhin kërkesat e qytetarëve nga Kontratat Kolektive, pothuajse e kanë dyfishu numrin nëpër gjykata. Domethënë është rrit numri për së tepërmi, kjo ka ndikuar pak në këtë… dhe kanë marrë kohë. Domethënë, në vend që stafi me u orientu nga lëndë në laminë kontestimore”, tha Shala.
Sipas gjykatësit, gjykatësit duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha në drejtim të avancimit të zbatimit të jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNJ). /BetimipërDrejtësi
“KGJK është duke ndryshuar komplet ueb-faqen dhe do ndryshohet edhe çështja e publikimit të seancave”
Leotrim Gashi, gjykatës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, bëri të ditur se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) është duke ndryshuar ueb-faqen, ku do të ndryshohet edhe çështja e publikimit të seancave.
Gjyqtari Gashi tha në “Tempus” se në aspektin e publicitetit, KGJK-ja ka marrë veprime konkrete, ku ndër të tjera përmendi udhëzuesin për publikimin e vendimeve gjyqësore.
Ai theksoi se pjesa e seancave ka qenë dhe mbetet problematike, mirëpo tha se shumë shpejt nuk do ta kemi këtë problem.
“KGJK është duke ndryshu komplet ueb-faqen dhe do ndryshohet edhe çështja e publikimit të seancave, në mesin e të cilave planifikimi është duke u bërë edhe sa i përket publikimit të vendimeve gjyqësore”, tha Gashi.
Po ashtu, gjyqtari Gashi tha se lidhur me këtë, afat kohor nuk mund të kemi, mirëpo është duke u punuar të ketë ndryshime në ueb rreth publikimit të seancave, ku gazetarët dhe monitoruesit do të mund të kenë njohuri se cilat seanca do të mbahen në ditë të caktuara dhe në cilin vend. /BetimipërDrejtësi
Gjyqtari Shala: Inteligjenca Artificiale është një ndihmesë e madhe për raste më të komplikuara
Burim Shala, gjykatës në Gjykatën e Apelit, tha se inteligjenca artificiale nuk përdoret nga gjyqtarët e shkallës së dytë. Megjithatë, e konsideroi si ndihmesë në raste të komplikuara.
“Inteligjenca artificiale pak përdoret prej gjyqtarëve, sidomos nga gjyqtarët e shkallës së dytë. Por, është një ndihmesë e madhe sepse në inteligjencën artificiale ti mund të gjesh zgjidhje konkrete për ndonjë rast më të komplikuar. Do të thotë, inteligjenca artificiale është ideale në shfrytëzimin e rasteve konkrete. Për shembull, në inteligjencë artificiale ose Chat GPT, mund të gjesh ndonjë rast konkret të zgjidhur në Kosovë, por edhe në vendet e Bashkimit Evropian edhe mund t’i referohesh, qoftë një situate faktike apo edhe ligjore”, tha Shala në “Tempus“.
Në anën tjetër, hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gzim Shala, tha se inteligjenca artificiale është e dobishme dhe duhet të përdoret si lehtësi në proces të hulumtimit.
“Gjetja e këtyre rasteve përmes inteligjencës artificiale është jashtëzakonisht pozitive. Tash kuptohet, nëse inteligjenca artificiale dështon, në vlerësim performance shkon gjyqtari jo ChatGPT-ja dhe se është shumë e rëndësishme që i bie se kërkohet një verifikim i veçantë dhe hulumtim përkitazi me këto çështje”, tha Shala.
Sipas Shalës, në të kaluarën gjyqtarët kanë punuar me materiale fizike, ndërkaq sot është avancuar në gjetje të materialeve përmes metodës elektronike. Ai tha se nuk është e nevojshme të nxjerret Rregullore nga Këshilli Gjyqësor, por vetëm të mbetet në vlerësim të gjyqtarëve që të shohin mundësitë e aplikimit. /BetimipërDrejtësi
Shala nga IKD: E rëndësishme është që gjyqtarët të kenë aftësi hulumtuese
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se është e rëndësishme që gjyqtarët të kenë aftësi hulumtuese.
Shala po ashtu tha se ka gjyqtarë që vazhdimisht i referohen jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Lidhur me këtë, ai shtoi se është e rëndësishme që gjyqtarët të kenë aftësi hulumtuese.
“Është e rëndësishme që gjyqtarët të kenë aftësi hulumtuese dhe të kuptojnë qartë procesin se si mbërrin te një standard i caktuar”, tha Shala.
Shala theksoi se GjEDNj-ja në kuptim të hulumtimit i ka disa praktika pozitive, ku si shembull përmendi publikimin e udhëzuesit për një të drejtë, e i cili përditësohet vazhdimisht. Tha se edhe në kuptimin teknik, janë të lehtë për t’u manovruar.
Hulumtuesi shtoi se tani kanë evidentuar raste që është aplikuar jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ku në 33% të tyre aplikimi është i përgjithshëm, pasi nuk citohet asnjë rast, kështu duke theksuar se në rastin konkret nuk kemi të bëjmë me zbatim.
Në fund, Shala tha se në 66% të rasteve që është aplikuar, lidhur me saktësinë ka dalë se citimi ka qenë i saktë, e që ky është një lajm pozitiv ku gjyqtarët nuk kanë devijuar me standardin. /BetimipërDrejtësi
Gjyqtari thotë se s’duhet vetëm të referohemi në vendime të GjEDNj-së, por të shikohet përmbajtja
Leotrim Gashi, gjykatës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, tha se nuk duhet vetëm të referohemi në vendime të GjEDNJ-së, por të shikohet përmbajtja, të specifikohen pikat konkrete.
Sipas tij, vetëm citimi i Konventës pa specifikuar se cili është rasti apo parimi konkret që i referohet rastit, nuk mund të jetë arsyetim i drejtë për palët në procedurë e as për publikun.
“Nuk është ideja vetëm të referohemi në aspektin teknik, por duhet të ketë përmbajtje brenda saj. Duhet marrë parasysh po ashtu se gjyqtarët nuk duhet të shikojnë nëse dëshirojnë të referohen në një vendim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk duhet të shikohet vetëm vendimmarrja e atij vendimi, vetëm dispozivi, sepse ka shumë raste kur Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në vendimin e saj nuk ka gjet shkelje, mirëpo ka vendosur parime në arsyetimin e vendimeve edhe se ai parim mund të hyjë në punë ty si gjykatë”, tha Gashi në “Tempus”.
Andaj, sipas Gashit, duhet t’i referohen pikave konkrete. /BetimpërDrejtësi
Gjyqtari Gashi: Sfidë në mosiplementimin e praktikës së GjEDNj-së, mungesa e trajnimeve adekuate
Leotrim Gashi, gjykatës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, tha se sfidë në mosiplementimin e praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj), është mungesa e trajnimeve adekuate.
“Një prej sfidave që mund të konsiderohet sfidë për mosimpelemtinin adekuat të praktikës së GjEDNj-së besoj mund të jetë pejsa e trajnimeve adekuate sepse siç është edhe në raport, ka raste kur përmendet Konventa si tërësi, mirëpo ky nuk është një lloj citimi konkret, apo nëse thuhet se kjo po zbatohet në rastin X të një shteti e që është trajtuar nga një shtet nuk është citim adekuat dhe se citim adekuat është duke ia përshtatur rastit që e kemi në gjykim”, tha Gashi në “Tempus“.
Ai shtoi se në rast se ka trajnime më të mëdha dhe nëse gjyqtarët përkushtohen më shumë në vendimmarrje të gjykatës, do të ndikojë në rritje të statistikave që do të kenë dyfishim të të dhënave. /BetimipërDrejtësi
Shala nga IKD: Është obligim kushtetues aplikimi i jurisprudences së GjEDNj-së
Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se aplikimi i jurisprudencës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) është obligim kushtetues.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Shala tha se të drejtat e njeriut janë një prej çështjeve kryesore në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Tha se është një numër i konsiderueshëm i gjetjeve që garantohen nga Kushtetuta.
Për atë se si duhet të kuptohen këto të drejta, Shala tha se Kushtetuesja e ka lënë një pikë referimi, duke thënë se këto të drejta interpretohen në përputhje me jurisprudencën e GjEDNj-së.
“Që i bie se të drejtat garantohen sipas kuptimit që Gjykata e Strasburgut ua ka dhënë këtyre të drejtave. Kjo i bie që aplikimi i kësaj jurisprudence para së gjithash është obligim kushtetues sipas nenit 53 të Kushteutës së Republikës së Kosovës”, tha Shala.
Hulumtuesi i IKD-së theksoi se sikur të aplikohej kjo jurisprudencë, rendi juridik i Kosovës do të harmonizohej me jurisprudencën e GjEDNj-së, që është pjesë e Këshillit të Evropës, ku Kosova synon të anëtarësohet.
“Aplikimi i kësaj jurisprudence ashtu siç duket të ketë qenë edhe qëllimi i hartuesve të Kushtetutës, ka qenë që rendi të harmonizohet dhe Kosova të jetë e gatshme për anëtarësim në Këshillin e Evropës”, tha Shala.
Po ashtu, tha se në praktikë mund të lindin dilema të ndryshme, për të cilat jurisprudenca kosovare mund të mos ketë zgjidhje, ndërsa aplikimi i jurisprudencës së GjEDNj-së mundëson zgjidhjen e shumë dilemave që shfaqen në praktikë.
Shala theksoi se IKD, Lëvizja FOL dhe Iniciativa për Progres (INPO) kanë monitoruar zbatimin e kësaj jurisprudence në gjyqësor. Tha se në vetëm 2% të rasteve është përmendur jurisprudenca e GjEDNj-së dhe në këto raste nga gjyqtarët dhe jo nga palët ndërgjyqësre.
“Gjetjet dëshmojnë se 17 vjet pas shpalljes së Pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, aplikimi ende vazhdon të jetë në nivele të ulëta”, tha Shala.
Ai tha se aplikueshmëri më e madhe është në aktgjykime të gjykatave, që është 13%. Më së shumti, tha se jurisprudencën e kanë aplikuar Gjykatat Themelore, pasuar nga Gjykata Supreme e më pas nga Gjykata e Apeli. Nga natyra e rasteve, tha se prijnë rastet civile. /BetimipërDrejtësi