TEMPUS

Pallaska: Lufta më e pandershme politike është e VV-së kundër demokracisë

Dastid Pallaska

Avokati Dastid Pallaska, tha se lufta e më e pandershme politike është e Lëvizjes Vetëvendosje kundër demokracisë.

“Lufta ma e rëndësishme që po ndodh edhe ma e pandershme politike është qekjo lufta e partisë në pushtet- Vetëvendosjes, si parti tipike populiste e përmbysjes së secilit sistem, normal se asnjë sistem nuk është perfekt. Është qikjo lufta kundër demokracisë në vend, kundër demokracisë, kundër demokracisë parlamentare, republikës kushtetuese, me ndarje të pushtetit”, tha ai.

Avokati Pallaska tha se habitet kur titullarë të institucioneve të pavarura të Kosovës, qoftë në prokurori, qoftë në gjykata, e marrin betejën e Vetvendosjes me ta personalisht.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka problemin me asnjë prokuror apo gjyqtar që i përmendin me emër, por me ligjin dhe Kushtetutën.

“Jo, Vetëvendosja nuk e ka problemin me asnjë prokuror që e ka përmend me emër, me asnjë gjyqtar që e ka përmend me emër. Vetëvendosja e ka problemin me ligjin edhe Kushtetutën e këtij sistemi, të cilin na e kemi zgjedh me jetu. Ata i ngufatë ligji edhe Kushtetuta sepse qato ligji edhe Kushtetuta janë kufizim i pushtetit absolut, të cilin Vetëvendosja don me instalu në këtë vend”, theksoi avokati Pallaska.

“Shembulli ma i mirë i kësaj filozofie është fakti që Vetëvendosjes ia nisi me i pengu edhe njerëzit që i ka qit vetë, në momentin kur ia kufizojnë diktatin të cilin shpreson me ekzekutu”, shtoi tutje ai. /BetimipërDrejtësi


 Miftaraj: Miliarda euro dëm e institucione jofunksionale nga moskonstituimi i Kuvendit

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), përmendi pasojat e moskonstituimit të Kuvendit, duke thënë se në aspektin financiar dëmi është me miliarda euro derisa kemi institucione jofunksionale.

“Pasojat e gjendjes për shkak të moskonstituimit të Kuvendit, në aspektin financiar është me miliarda euro. 866 milionë euro nga Plani i Rritjes, mbi 130 milionë euro nga Banka Botërore, është e dhimbshme me pa ambasadorin gjerman, ambasadorin francez, ambasadorë të Bashkimit Evropian, ambasadorin zviceran, të cilët u bëjnë lutje partive politike- Vetëvendosje të marrin hapa proaktiv për të bërë konstituimin e Kuvendit, për të ratifikuar marrëveshjet që janë qindra- miliona euro asistencë financiare apo projekte për t’i ndihmuar vetë Kosovës”, tha Miftaraj në emisionin “Tempus” në KTV.

Miftaraj tha se është një numër i madh i institucioneve të cilat janë jofunksionale për shkak të skadimit të mandatit të anëtarëve.

“Deri në fund të këtij viti nëse vazhdojmë me këtë ngërç do të jetë edhe një numër shumë i madh i institucioneve tjera të pavarura të cilat nuk do të mund t’i ushtrojnë përgjegjësitë dhe kompetencat e tyre për shkak të mungesës së korumit”, tha Miftaraj.

Miftaraj tha se edhe Televizioni i vetëm publik- Radio Televizioni i Kosovës që nga 1 gusht nuk do të ketë mjete për pagat e punëtorëve dhe obligimet që kanë me operatorët tjerë.

“Kur një parti politike i sheh të gjitha këto pasoja, gjithë këtë kaos në të cilin po kalojmë dhe nuk ka interes që të mirëkuptojë interesat e qytetarëve, për konstituim të Kuvendit, sigurisht që vijmë në situata të tilla kur pritet përgjigja nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Miftaraj.

Ai tha se Gjykata Kushtetuese nuk mund që përmes aktgjykimeve të rregullojë çdo cikël të zgjedhjeve “se cila është shumica parlamentare, se cila është e drejta e partisë së parë e të dytë” dhe se është e pamundur që Gjykata Kushtetuese t’iu japë zgjidhje të gjitha problemeve dhe inateve politike.

Ai tha se besimi që qytetarët ia kanë dhënë Lëvizjes Vetëvendosje është dashur të kthehet në përpjekje të vazhdueshme që të marrin edhe besimin e partive tjera për konstituim të Kuvendit dhe formim të Qeverisë. /BetimipërDrejtësi


Pallaska: Praktika e mbrapsht e Kushtetueses po keqpërdoret nga partia në pushtet, ashtu edhe e drejta e nominimit

Avokati Dastid Pallaska, tha se praktika e mbrapsht e krijuar nga Gjykata Kushtetuese po keqpërdoret nga partia në pushtet, njësoj edhe e drejta e nominimit.

“Nuk po du me fajësu veç partinë në pushtet. Po du me fajësu edhe praktikën e mbrapsht të Gjykatës Kushtetuese, të cilën partia në pushtet është t’u e keqpërdorë”, tha avokati Pallaska në “Tempus“.

Sipas tij, me këtë rast, kjo parti është duke e keqpërdorur edhe të drejtën kushtetuese që e ka për të nominuar.

“Si pasojë e të cilit keqpërdorim, siç e kam thënë edhe më parë, rishtazi, ata janë duke e humbur të drejtën e nominimit”, shtoi tutje ai.

Përderisa, theksoi se një gjë të tillë e thotë Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Këtë nuk po e them unë, këtë e thotë Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, neni 17, i cili qartazi përcakton që një titullar i një të drejte, e humb të drejtën që i takon, në momentin kur e keqpërdorë”, tha ai.

Sipas avokatit Pallaska, në këtë rast, Vetëvendosja është duke e keqpërdorur të drejtën për shkak se, sipas tij, po e ushtron atë në kundërshtim me qëllimin e kësaj të drejte. Tha se qëllimi i kësaj të drejte është konstituimi i Kuvendit.

“Nëse konstituimin e Kuvendit nuk mundet me bë vetë, me nominu edhe me zgjedh kandidatin për kryetar, atëherë e vetmja mënyrë qysh mundet me bë është në bashkëpunim me një parti tjetër opozitare. Nëse nuk është e gatshme me bë asnjëlloj bashkëpunimi paraprakisht, ajo domethënë nuk është e interesime për me ushtru këtë të drejtë në mënyrë efektive. Rrjedhimisht, këtë të drejtë, sipas vlerësimit tim, e ka humbur”, tha ai. /BetimipërDrejtësi


Pallaska: Është momenti i fundit për Kushtetuesen që t’i japë fund praktikës së saj të mbrapsht

Avokati Dastid Pallaska, i ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, duke diskutuar për moskonstituimin e Kuvendit, tha se është momenti i fundit i Gjykatës Kushtetuese që t’i japë fund praktikës së saj të mbrapsht.

Pallaska fillimisht tha se premisa që po i shkakton të gjitha problemet nuk është e kufizuar vetëm në këtë vit, sipas tij është premisë kushtetuese e ndërtuar artificialisht dhe e cila pengon çdo procedurë normale për krijimin e institucioneve që dalin nga zgjedhjet.

“Fjalën e kam për vendimet e Gjykatës Kushtetuese qysh që datojnë qysh para 11 viteve, domethënë te ajo kriza e famshme e vitit 2014 e tutje, të cilat me një interpretim të gabuar të dispozitave kushtetuese të thjeshta dhe tejet të qarta, ka shkaktuar një ngecje në këto procedura, të cilat kërkojnë vetëm një konsensus për t’i tejkaluar”, tha Pallaska.

Ai tha se më 2014, Kushtetuesja kishte dalë me një interpretim se çfarë do të thotë grupi më i madh parlamentar që i takon e drejta për nominim të kandidatit për kryetar të Kuvendit.

“Gjykata Kushtetuese në mënyrë arbitrare dhe pa shumë bazë në dispozitat e Kushtetutës ka ardhë në përfundim se grupi më i madh parlamentar është partia e cila ka fituar numrin më të madh të deputetëve në zgjedhjet parlamentare”, tha Pallaska.

Sipas avokatit, kjo ka sjellë një situatë absurde ku një parti e ka të drejtën për të nominuar, por nuk e ka kapacitetin ta realizojë atë të drejtë në praktikë. Tha se ky interpretim i çuditshëm i Kushtetueses, ia ka krijuar partisë që ka numrin më të madh edhe mundësinë që ta pengojë procesin.

“Në atë kohë PDK-së, aktualisht LVV-së që në njëfarë mënyre t’i shantazhojë të gjitha partitë politike që nëse nuk keni marrëveshje me mua apo po që se nuk bëni marrëveshje që i përfshin edhe ato parti në koalicione, atëherë mund të pezullohet pafundësisht krijimi i institucioneve që dalin nga zgjedhjet”, tha Pallaska.

Ai e quajti absurde këtë dhe që ka rrjedhë nga një vendim i gabuar. Por, tha se nuk mund të jetë i rastësishëm sepse edhe vendimi për zgjedhjen e Presidentit, sipas tij, ka ardhë me një premisë të panatyrshme- ku kërkon kuorum artificial prej 2/3 të anëtarëve të Kuvendit të jenë të pranishëm edhe në raundin e tretë të zgjedhjes, edhe pse numri i votave kërkohet të jetë 61.

Ky precedent, Pallaska thotë se krijoi një nevojë artificiale për konsensus për konstituim e zgjedhje të Presidentit.

“Është kyçe dhe është momenti i fundit për Gjykatën Kushtetuese për t’i dhënë fund kësaj praktike të mbrapsht të Gjykatës Kushtetuese dhe për t’i vendosur dispozitat kushtetuese në kontekstin e tyre të drejtë që prodhojnë rezultat edhe kur mungon konsensusi”, tha Pallaska. /BetimipërDrejtësi