TEMPUS

Shala për paditë SLAPP: Legjislacioni i Kosovës nuk është plotësisht i harmonizuar

Gzim Shala

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se legjislacioni i Kosovës nuk është plotësisht i harmonizuar për paditë SLAPP.

“Nuk kemi ende një legjislacion adekuat anti-SLAPP, mirëpo thjesht duhet t’i japim përgjigje secilit, pastaj kur të shkosh në gjykatë i përmend të gjitha këto..”, tha Shala.

Sipas tij, nevojitet legjislacion shtesë përkitazi me çështjen e trajtimit të rasteve SLAPP.

“Megjithatë, nuk është që nuk kemi fare dispozita që të paktën i afrohen direktivës, e që mund të shfrytëzohen aktualisht”, shtoi ai.

Në anën tjetër, nënkryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Argzon Muçaj tha se Kodi i Procedurës Civile është në fazën e hartimit dhe se gjyqtarët që janë pjesë e grupit punues, kanë shprehur vullnetin e tyre që pjesë e këtij Kodi te procedura të veçanta, të përfshihen edhe rastet e trajtimit të padive SLAPP.

Sipas tij, kjo do të ishte shumë pozitive në shumë aspekte. /BetimipërDrejtësi


Molliqaj: Është alarmante nëse mbështetemi nga jashtë ndërkohë që kemi betejë të brendshme

Leonidë Molliqaj, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se pavarësisht rëndësisë së përkrahjes ndërkombëtare, është alarmante nëse mbështetemi nga jashtë ndërkohë që kemi betejë të brendshme.

Molliqaj theksoi se drejtësia duhet të burojë nga vendi ku jetojmë.

“Përkrahja ndërkombëtare është e rëndësishme, por besoj se drejtësia duhet të burojë nga vendi ku jetojmë. Është alarmante nëse ne pajtohemi dhe mbështetemi vetëm nga institucionet apo organizatat ndërkombëtare ndërkohë që kemi betejë të brendshme me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës”, tha Molliqaj.

Ajo po ashtu theksoi se kjo mund të ndikojë në frikësim edhe tek palët e treta, ku specifikoi viktimat.

“Problemi nuk është vetëm që munden me i frikësu aktivistet, sa është edhe palët e treta, në këtë rast viktimat. Sa herë ka pasë kritikë apo padi ndaj aktivisteve aty janë lidhë me qëndrimet tona në mbrojtje të viktimave qoftë të dhunës apo te një diskutimi publik”, tha Molliqaj. /BetimipërDrejtësi


Thaçi për ankesat: Ka ndikuar diskursi që Qeveria e ka pasur ndaj mediave

Ardiana Thaçi, gazetare në Klan Kosova, theksoi se lidhur me ankesat ndaj raportimeve të tyre ka ndikuar diskursi që Qeveria e ka pasur ndaj mediave.

Thaçi në emisionin “Tempus” në KTV, përmendi një numër të ankesave që iu kanë arritur së fundmi, e që sipas saj, në këtë numër ka ndikuar edhe diskursi i Qeverisë.

“Ankesa në KPM është ndryshe, në Këshill të Mediave ndryshe dhe në Gjykatë ndryshe. Në këtë muaj kanë qenë vetëm dy, në dhjetor kanë qenë 10 ankesa që nuk kanë pasur bazë, por unë mendoj se ka ndikuar diskursi të cilin e ka ndërtuar kjo qeveri që e kemi pasur dhe që ka fituar. Diskursi ndaj mediave, duke e dehumanizuar median dhe duke e bërë median në sy të publikut si media që vetëm shpifë”, tha Thaçi.

Lidhur me këtë çështje, ajo tha se kjo mund të ndikojë edhe në dekurajimin e gazetarit.

“Gazetari dekurajohet, ka frikë të punojë dhe thjesht vendosë ndoshta edhe të ndërrojë profesion”, u shpreh Thaçi.


Shala: Kritika dhe raportimi i shkeljeve janë baza e demokracisë, i rrezikshëm efekti frikësues

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se efekti frikësues është i rrezikshëm përderisa kritika dhe raportimi i shkeljeve janë baza e demokracisë.

Këtë deklarim, Shala e bëri në emisionin “Tempus” në KTV.

“Është i rrezikshëm për shkak se aspekti i raportimit, i transparencës, i kritikës, i protestës, etj., janë bazamente të demokracisë”, u shpreh Shala.

Ai tha se keqbërësve nuk iu konvenojnë këto aspekte, e të cilat janë kruciale për demokracinë. Sipas tij, përveç që me raste të tilla synohet frikësimi i një gazetari të caktuar, ekziston rreziku që të ketë efekt domino edhe tek gazetarët e tjerë.

“Tash përpos asaj që e përmenda në fillim se e frikëson një gazetar të caktuar, rreziku është që të ketë efekt domino edhe te gazetarët e tjerë. Duke thënë, mos u merrni me atë person, se nëse merreni me të, ai 300 padi i bën për një emision”, tha ai.

Kështu, sipas tij, rrezikohet që të krijohet edhe njëfarë amnistie ndaj tij.

“Rrezikohet që të krijohet një lloj amnistie ndaj tij, ai ka gjetur ndoshta disa lidhje që institucionet nuk reagojnë. Nuk reagojnë më pastaj as mediat dhe kjo është tipik që e arrin qëllimin e tij”, shtoi Shala.

Po ashtu, hulumtuesi theksoi se edhe fuqia ekonomike e një personi të tillë mund të jetë proporcionalisht më e madhe sesa e gazetarit, e aktivistit, e qytetarit etj., i cili paditet.

Kështu, ai tha se në këtë rast ndikon në komplet diskursin publik dhe ul kritikën.

“Në këtë rast ndikon në komplet diskursin publik, e ul kritikën. Kritika, raportimi i shkeljeve etj, janë baza e demokracisë dhe baza e avancimit të qeverisjes së mirë”, tha ai.

Shala theksoi se për këtë arsye duhet krijuar mekanizma jo që e lejojnë shpifjen dhe fyerjen, në asnjë rrethanë, por se paditë SLAPP janë ato që thjesht është raportuar për të vërtetën dhe keqpërdoret e drejta për të bërë padi.

“Mos të keqkuptohemi në publik, jo që i krijojnë mundësi, imunitet mediave, gazetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile të shpifin, të fyejnë, në asnjë rrethanë. Por, paditë SLAPP janë ato padi që thjesht është raportuar për të vërtetën dhe ai e keqpërdor këtë që po e përmend gjyqtari që secili qytetar ka të drejtë ta bëjë një padi dhe gjyqësori detyrohet me i ofru mbrojtje gjyqësore. Ai e keqpërdorë këtë të drejtë ligjore dhe kushtetuese, për ta frikësuar opinionin publik që të merret me të, sepse interes i tij është që ai të jetë larg syve të publikut”, tha Shala. /BetimipërDrejtësi


Muçaj: Trajtimi i rasteve të padive SLAPP bëhet në përputhje me standardet GJEDNJ-së

Argzon Muçaj, nënkryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha se trajtimi i rasteve të padive SLAPP bëhet në përputhje me standardet Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

“Trajtimi i këtyre rasteve bëhet në përputhje me standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) sepse këto standarde kanë arritur në një nivel në raport me nenin e Konventës që garanton lirinë e shprehjes”, tha ai.

Muçaj tha në “Tempus” në KTV, se gjyqësori ka vendosur që këto padi t’i trajtojë me prioritet, duke marrë për bazë faktin se liria e shprehjes me Kushtetutë garantohet dhe është edhe me Konventën Evropiane. Tha se është arritur një standard në trajtimin e këtyre padive.

Tutje, Muçaj tha se gjyqësori nuk mund të shërbejë si mjet që pengon informimin e publikut. Ai tha se për gjyqësorin të gjitha palët trajtohen të barabarta.

“Është vlerësuar e nevojshme që këto lëndë të trajtohen me prioritet për arsye se gjyqësori nuk mund të shërbejë si mjet që pengon informimin e publikut. Liria e shprehjes nuk është e drejtë absolute, ka standarde në mënyrë të qartë se deri ku shtrihet ajo, pra deri në atë masë ku nuk e cenon reputacionin, nderin apo prestigjin e tjetrit”, tha Muçaj.

Ai sqaroi detajisht se si bëhet trajtimi i këtyre lëndëve me prioritet.

“Trajtimi me prioritet i këtyre lëndëve nënkupton që në momentin që lënda i ndahet gjyqtarit, ajo aktivizohet menjëherë që nënkupton një procedurë efikase që nuk ka nevojë të pritet”, tha Muçaj. /BetimipërDrejtësi


Shala: Paditë SLAPP duhet të shihen si abuzim që përdoren ndaj gazetarëve

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, duke diskutuar për paditë SLAPP, tha se duhet të shihen si abuzim që abuzuesit i përdorin ndaj gazetarëve.

“Padia SLAPP në asnjë mënyrë nuk duhet të shihet si padi që e imunizon gazetarin nga shpifjet, mirëpo duhet të shihet si një abuzim që abuzuesit e përdorin kundër gazetarëve”, tha Shala.

Ai theksoi se në rastet e padive SLAPP materia është e zbrazët dhe e paprovuar dhe se kërkesat janë megalomane që kanë për qëllim frikësimin.

“Në rastet e padive SLAPP, pretendimet, materia e tyre është definitivisht shumë e zbrazët, e paprovuar, e pafaktuar. E dyta, kërkesat zakonisht janë kërkesa megalomane, që kanë për qëllim frikësimin. Domethënë, thuhet që për këtë fjalë që ti e ke përdorë ne kërkojmë 30 mijë euro, 50 mijë euro, 500 mijë euro, etj”, shtoi Shala.

Ndërkaq, përmendi një rast që një monitorues i IKD-së është paditur nga një deputete, sipas tij, me pretendimin se gjuha e tij e trupit në një emision televiziv, ka nënkuptuar se ky monitorues ka raportuar edhe për të.

“Monitoruesi jonë e përmend thotë, ka pasur raste tash në ekran siç po e shohim prapavijën, është statusi i një deputetes, Fitore Pacollit. Tash ai duke i përmendur rastet për të cilat ka raportuar si monitorues, ai thotë kam raportuar për raste të ndryshme. Dhe kjo thotë, dora e vendosur atje, nënkupton se është edhe rasti im. Do të thotë, gjestikulacionet e tij, e kanë dërguar atë mesazh, etj”, shtoi Shala.

Kështu, sipas Shalës, kuptohet që në rastin konkret nuk është qëllim drejtësia, por qëllimi është që të frikësohen monitoruesit dhe gazetarët që të mos përdorin emrin e saj.

“Thjesht, është qëllim që të frikësohen monitoruesit, të frikësohen gazetarët që emrin tim mos e përdorni kurrë. Edhe nëse nuk e frikëson, e lodhë, plus e krijon opinionin publik. Thotë, po ata i kam paditur, me ta merret gjykata”, u shpreh Shala.

Në një rast tjetër, Shala tha se një person i dënuar me aktgjykim të formës së prerë për mashtrim për shitblerje të pronave, dhe në emision kanë trajtuar faktin që këta tre persona po luftojnë se e kujt është prona. Tha se personi i dënuar ka ngritur padi, duke kërkuar heqjen e të gjitha materialeve, duke pretenduar se është shpifje. /BetimipërDrejtësi


Thaçi për paditë SLAPP: Janë për shuarjen e zërit të mediave, jemi paralajmëruar për padi tjera

Ardiana Thaçi, gazetare në Klan Kosova, tha se paditë SLAPP janë mjet që përdoret për shuarjen e zërit të medieve. Sipas Thaçit, tek gazetarët e rinj kjo mund të jetë frikësuese, duke theksuar se së fundmi tendenca e padive është largimi i të gjithë materialit nga rrjetet sociale ende pa filluar procedura.

“Në rastin e padive është një tendencë që kërkojnë largimin e të gjithave materialeve nga rrjetet sociale. Duan të zhdukin materialet faktike që janë të nevojshme për Gjykatën dhe normalisht që tregojnë një keqperdorim që ka ndodhë brenda institucioneve”, tha Thaçi.

Ajo në emisionin “Tempus” në KTV, theksoi se gazetarët nuk janë juristë dhe mund të bëjnë ndonjë gabim ligjor përkundër kujdesit, kështu që sipas saj, paditë e tilla janë tipike për të ndaluar zërin e mediave për të mos dalë keqpërdorimet.

Gazetarja tha se janë paralajmëruar edhe nga disa ministra se do të paditen. Tutje ajo shtoi se në Komisionin e Pavarur të Mediave kanë fituar disa raste, duke përfshirë edhe rastin e ministres Donika Gërvalla lidhur me qëndrimin e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Thaçi thotë se Gërvalla kishte shfrytëzuar paratë e tatimpaguesve për të mos zhvilluar asnjë takim.

Gazetarja Thaçi tha se lënda në fjalë është dërguar edhe në gjykatë. /BetimipërDrejtësi


Molliqaj për padinë SLAPP ndaj saj: Qëllimi, tentim për të na frikësuar

Leonidë Molliqaj, drejtore ekzekutive në Qendrën për Informim, Kritikë dhe Aksion – QIKA, në emisionin “Tempus” në KTV, padinë ndaj saj e cilësoi si SLAPP, duke thënë se qëllimi ka qenë për t’i frikësuar.

Bëhet fjalë për padinë për rastin e një aktgjykimi të trajtuar në emisionin e “Betimi për Drejtësi” të transmetuar më 4 dhjetor 2021 me titull “Seksizmi në vendimin e Gjykatës së Gjilanit”.

Duke folur lidhur me padinë për shkak të protestës dhe kritikës publike ndaj atij aktgjykimi të Gjykatës së Gjilanit për gjuhë seksiste, derisa tregoi se si e ka përjetuar, Molliqaj tha se ky rast për të është një rast tjetër i padive SLAPP, e që sipas saj, qëllimin nuk e ka që të fitojë drejtësi.

“Pra, jam pothuajse e sigurt që personi që na ka paditë, e di që nuk ka mundësi ta fitojë këtë rast, për shkak se e drejta është në anën tonë”, tha Molliqaj.

Mirëpo, ajo tha se është e shqetësuar nga fakti se gjyqtari në fjalë nuk është distancuar nga një gjuhë e tillë seksiste, por se ka parashtruar padi, duke tentuar që t’i frikësojë.

“Por, më ka shqetësuar fakti që ka qenë i gatshëm mos të distancohet nga një gjuhë e tillë seksiste, por përkundrazi të na paditë neve, duke tentuar të na frikësojë edhe duke e pasë parasysh që po jetojmë në një kohë kur lëvizja anti-gjini është e përhapur jo vetëm në Kosovë por edhe në botë, ku të qenurit aktiviste feministe është shumë vështirë për shkak të kritikave shumë të mëdha”, tha ajo.

Ndërkaq, u shpreh se është e sigurt se do ta fitojnë rastin.

“Tani janë në proces dhe se janë të sigurta se do ta fitojnë, kështu që veç jemi tash në proces dhe po shohim se çka do të ndodhë në këtë rast, por jemi shumë të sigurta se rastin do ta fitojmë”, tha Molliqaj. /BetimipërDrejtësi


Muçaj: Numri i padive SLAPP është duke u rritur

Argzon Muçaj, nënkryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, deklaroi se paditë SLAPP janë duke u rritur. I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Muçaj tha se gjyqësori me Planin Strategjik për Qasje në Drejtësi, paditë e shpifjes dhe fyerjes ndaj gazetarëve, e po ashtu edhe paditë e tjera të njohura si Padi Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP), e ka vendosur t’i trajtojë me prioritet.

Muçaj tha se kjo është bërë edhe duke marrë për bazë edhe numrin e madh të lëndëve, ku është dashur të pritet me vite për t’u trajtuar një lëndë e shpifjes dhe fyerjes.

Ai tha se është e rëndësishme që publiku të informohet në mënyrë të drejtë, duke përdorur lirinë e shprehjes përmes medieve. Por, theksoi se liria e shprehjes nuk është absolute.

“Liria e shprehjes shtrihet deri në atë masë sa nuk e cenon reputacionin, nderin apo prestigjin e personit tjetër”, tha ai.

Nënkryetari i Themelores në Prishtinë tha se gjyqësori është ngarkuar ndër vite me lëndë, dhe kjo ka ndikuar edhe në efikasitetin e lëndëve të padive për shpifje dhe fyerje.

“Aspekti i parë- mund të jetë një numër shumë i madh i padive që paraqiten ndaj gazetarëve dhe në këtë rast mund të jetë e mundimshme ngase gjatë raportimit apo informimit publik mund të ketë numër të madh, dhe në këtë rast i pengon në punën e përditshme. Në qoftëse gjyqësori nuk është efikas, ngase ka qenë i ngarkuar me numrin e madh të lëndëve, dhe ky numër i madh i lëndëve me kalimin e viteve gradualisht është rritur. Kjo ka ndikuar edhe në efikasitetin e padive që kanë të bëjnë me fyerje dhe shpifje”, tha Muçaj.

Por, Muçaj tha se beson që nga ky vit gjendja do të jetë më ndryshe në sistemin gjyqësor dhe do të ketë efikasitet në trajtimin e tyre.

“Ajo çfarë mund të them, numri i këtyre padive ka shkuar vazhdimisht duke u rritur, flas për Gjykatën Themelore në Prishtinë. Nëse para vitit 2022-2023 ka qenë nën 100, tani e kemi numrin mbi 100- për vit që kanë ardhë. Shto këtu faktin që këto lëndë nuk janë trajtuar me prioritet, dhe kjo ka ndikuar në rritjen e numrit të lëndëve”, tha Muçaj. /BetimipërDrejtësi