Visar Krasniqi, anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) tha se shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, nxjerrë në pah mendësinë e një klike të vjetër.
Sipas tij, fakti që Kelmendi u ballafaqua me të gjitha sulmet, është për shkak se nuk pranoi ta dëmtonte një proces të ligjshëm të zgjedhjes së një anëtari të ri në Këshill.
“Shkarkimi që ka ndodh me datën 20 (nëntor 2025), ka nxjerrë në pah jo veç një shkakrim të kundërligjshëm. Ka nxjerrë në pah mendësinë e një klike të vjetër- se nëse ti je kundër interesave tona, ti shkarkohesh, këto janë pasojat”, u shpreh Krasniqi në “Tempus“.
Ndërsa, theksoi se nuk e di përse Kelmendi kishte ofruar kërkesën e tij për t’u liruar nga detyra.
“Megjithatë, ajo për të cilën unë nuk e di dhe nuk pajtohem, është që pse krejt në fund, zoti Kelmendi pas fitoreve në dy instanca ofroi kërkesën e tij për t’u zëvendësu”, u shpreh Krasniqi.
Anëtari i KPK-së tha se nuk e kupton përse Kelmendi kishte bartur presionin për më shumë se gjashtë muaj dhe në fund kërkoi që të zëvendësohej.
“Gjashtë ditë pune kanë qenë para se përbërja e re ndryshon në janar dhe nuk e kuptoj pse gjithë këtë presion e barti për më shumë se gjashtë muaj dhe krejt në gjashtë ditët e fundit kërkoi që të zëvendësohej”, shtoi ai.
Krasniqi shtoi se Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në këtë muaj do të përballet me sfida. Fillimisht, ai tha se zëvendësimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit e ka lënduar reformën.
“Megjithatë, edhe përkundër vendimeve gjyqësore ndodhi dhe u bë ky zëvendësim. Kjo e ka lëndu shumë refomrën. Ky veprim i fundit, me zëvendësim të ushtruesit të detyrës, në bindjen time i ka ndryshu edhe matematikat në dëm të reformës”, theksoi Krasniqi.
Po ashtu, Krasniqi bëri të ditur se në janar KPK do ketë një përbërje prej 5 anëtarëve.
“Domethënë është një përbërje prej 5 anëtarëve dhe me Ligjin e ri kuorumi i Këshillit është 5 anëtarë dhe në rastet kur një anëtar dy herë pa arsye nuk merr pjesë, kuorumi është me 4 anëtarë”, shtoi ai.
Megjithatë, sipas tij, zhvillimet e fundit në KPK kanë nxjerrë në pah se në janar do kenë probleme në kuptim të funksionimit.
“Në rast se Këshilli i ri do të vazhdojë logjikën e njëjtë të funksionimit, do të ketë shumë probleme serioze. Nëse këta dojnë me tregu se jemi për reformë, jemi për transparencë, jemi për meritokraci, jemi për llogaridhënie, do të ulemi dhe do diskutojmë publikisht. Por, nëse këta vazhdojnë me logjikën e njëjtë që në pozicione të caktuara të vendosen emra të përveçëm, do të jemi të mjaftueshëm cilido krah që ju mund ta quani- të jemi të mjaftueshëm për ta blloku funksionimin normal të Këshillit”, tha ai.
Krasniqi theksoi se në janar pret sfida, mirëpo tha se është “super lajm” që sipas tij korporatizmi do “mbytet” në janar.
“Pra, unë pres sfida në janar, reforma është e lënduar por jo e pamundur, për mu është super temë, është super lajm, fakti që megjithatë kjo korporatizmi, në janar mbytet. Do të kemi një përbërje të balancuar dhe do ta detyrojë secilin anëtarë prokuror edhe joprokuror të ulet në tavolinë, dhe të diskutojë për hapat që do t’i ndërmarrë Këshilli. Kjo është e mira e përbërjes së re”, theksoi ai.
Mirëpo, Krasniqi u shpreh i bindur se Këshilli do të ndryshojë me përbërjen e re.
“Dhe unë besoj që do kemi sfida, por Këshilli do të ndryshojë. Unë jam i bindur se Këshilli me përbërjen e re do të ndryshojë. Pse them se do të ndryshojë? Sepse mendoj që veprimet e fundit që kanë ndodh në Këshill, besimi në sistemin prokurorial ka ra në 0 dhe çdo veprim i mirë që do të bëhet në vitin e ardhshëm, besoj që do të ketë impakt në ndryshimin e imazhit të Këshillit”, tha anëtari Krasniqi.
Në fund, Krasniqi tha se KPK e ka dëmtuar imazhin shumë dhe se as prokurorët që janë pjesë e sistemit prokurorial nuk bësojnë më në Këshill.
Ku e kishin fillin “hallakamat” në KPK, sipas Krasniqit?
Visar Krasniqi, anëtar në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), në emisionin “Tempus” në KTV tregoi për zhvillimet që e kanë karakterizuar KPK-në gjatë vitit që e lamë pas, duke treguar se ku e kishin fillin këto “hallakama” deri te momenti i shkarkimit të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Krasniqi foli edhe ndërhyrjen e Zyrës së Bashkimit Evropian kur kur anëtarët e KPK-së filluan dorëheqjet pas miratimit të Ligjit për Këshillin.
Fillimisht, ai tha se lëvizjet e para kanë filluar pas njoftimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me plotësim/ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Tha se veprimet e fundit në Këshill kanë qenë pjesë e reformës kur hyri në fuqi ligji i ri.
“Gjykata Kushtetuese dul me njoftim që Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial kaloi testin e Gjykatës Kushtetuese. Dhe aty kanë fillu lëvizjet e para të disa anëtarëve të Këshillit, prokurorë, për të dhënë dorëheqje të parakohshme dhe për me dalë në pozicione të ndryshme- sigurisht që avancime”, tha Krasniqi.
Ndërsa, tha se i pari që i ka paraprirë këtij procesi është prokurori Armend Zenelaj, dorëheqja e të cilit tha se u mbajt për një kohë të gjatë në zyrën e kryesuesit.
“Mundem mos me qenë saktë me ditë, por disa ditë, ndoshta 20 ditë u mbajt në zyrën e kryesuesit, dhe në një moment të caktum ne e aprovuam dorëheqjen dhe kishte planifikime edhe tjera për dorëheqje të parakohshme dhe zvëvendësime”, u shpreh ai.
Krasniqi tregoi se më pas Zyra e BE-së përmes një letre që e kishte dërguar në Këshill, kishte bërë me dije se janë në dijeni për lëvizjet e reja për të sabotuar reformën.
“Zyra e BE-së dërgoi letër në Këshill, po parafrazoj pak a shumë “jemi në dijeni për lëvizjet e reja për të sabotu reformën, nëse këto ndodhin, BE-ja do t’i konsiderojë anëtarët e Këshillit si pengues të drejtpërdrejtë të reformës në Këshill”. Po si duket, kjo nuk është që ua ndali hovin pak, mirëpo kanë qenë kalkulimet e tyre që nuk ndodhi kjo”, tha Krasniqi.
Krasniqi shtoi se kanë qenë kalkulimet e tyre, për shkak se, sipas tij, dorëheqjet eventuale edhe të anëtarëve të tjerë do shkaktonin pasoja për një “grup” të caktuar.
“Kanë qenë kalkulimet e tyre sepse me hyrjen e ligjit të ri në fuqi, kuorumi ka qenë 9 anëtarë dhe dorëheqjet eventuale edhe të anëtarëve të tjerë, do të shkaktonin pasoja për këtë grupin e famshëm që u bë këto ditë e fundit. Që eventualisht 1 ose 2 anëtarë mund të japin dorëheqje dhe të zëvendësohen. Por, kush i zëvendëson këta tjerët”, u shpreh ai.
Derisa tha se më pas presioni ishte zhvendosur tek ndryshimi i ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ndërsa theksoi se edhe në këtë rast kishin pranuar letër nga Zyra e BE-së.
“Dhe pastaj presioni u zhvendos te ndryshimi i UD Kryeprokurorit të Shtetit. Pasoi letra nga Zyra e BE-së, ku tha “jemi në dijeni që ka përpjekje, ka lëvizje për me ndryshu UD Kryeprokurorin e Shtetit”. Ndërhynë me këtë letër, dhe ata ishin në dijeni më mirë sesa ne se çka po ndodh në Këshill”, tha tutje Krasniqi.
Sipas tij, në momentin kur ka hyrë në fuqi Ligji i ri, përpjekjet në fjalë u zbehën. Tha se pasuan veprimet e tjera, duke shtuar se obligimi i Këshillit ishte ndryshimi i Rregullores- hartimi i një Rregulloreje të re për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KPK-së, e cila u miratua me 9 vota për dhe një abstenim.
Më pas, ai thekson se filloi procesi i zgjedhjes së anëtarit të ri, ku më 1 nëntor fillon problemi më i madh, ngase sipas tij, dikush ishin të sigurt se do zgjedhej një kandidat tjetër e jo ajo që fitoi. Përpjekjet që pasuan, Krasniqi thotë se ishin për ta dëmtuar rezultatin zgjedhor.
Krasniqi tha se duke e parë përbërjen e Këshillit, presioni kaloi komplet te ushtruesi i detyrës.
“Më 20 nëntor, duke e parë përbërjen e Këshillit, presioni kaloi komplet te ushtruesi i detyrës. Unë mendoj, është mendim vetëm personal- dëmtimi i imazhit që kulmoi me 20 nëntor ka qenë që ushtruesi i detyrës të ndryshohet për shkak të proceseve tjera, përfshirë edhe certifikimin e kandidatit”, u shpreh Krasniqi.
Ndërkaq, foli rreth momentit kur në KPK mbetën pa kuorum pas largimit të ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
“Dhe ju e keni pa më 20 nëntor kur ndodhi ajo çka ndodhi, kur ne u larguam nga Këshilli, Besim Kelmendi e tha një fjali po e apostrofoj “po kërkohet që dikush tjetër të jetë i dëgjueshëm në pozitën time” dhe u largua dhe rrjedhimisht mbetëm pa kuorum”, thotë ai.
Krasniqi tha se nuk kanë pasur dilema që vendimi për shkarkimin e Kelmendit ishte vendim abuziv e arbitrar.
Mirëpo, tha se për të ishte shqetësuese guximi i 5 prokurorëve të merrnin vendim të tillë në kundërshtim me ligjin, derisa theksoi se kryesuesi dhe zëvendësja janë të thirrur për të mbrojtur ligjshmërinë.
“Sinqerisht, kur ne dhe 5 anëtarë e kemi thane edhe diku në emisionin tuaj “Tempus” nuk kam pas dilemë që është vendim abuziv, arbitrar e i kundërligjshëm. Këtë e kemi thënë edhe në konferencë, e kemi thënë edhe në emisionin tuaj, nuk ka pas dilemë. Por, shqetësimi im ka qenë, 5 prokurorë të shtetit kanë guxim në kundërshtim me ligjin me marrë vendime çfarë kanë marrë. Kjo ka qenë për mu shqetësuese, 5 prokurorë të shtetit. Supozohet kryesuesi është i thirrun me mbrojtë ligjshmërinë e Këshillit, zëvendësja po ashtu. Kemi pas në atë përbërje të 5 anëtarëve, një ish-kryesues të Këshillit, domethënë njerëzit që më së miri e dinë si funksionon Këshilli”, tha Krasniqi.
Sipas tij, edhe Supremja konstatoi ato që kishin thanë ata- se vendimi ishte abuziv dhe arbitrar.
“Në bindjen time, raporti është shumë formal dhe zgjedhja e anëtarit të ri do të ndodh në janar, qoftë në procese gjyqësore, qoftë me një vullnet nëse do ta ketë Këshilli”, shtoi ai.
Krasniqi: Proceset e rekrutimeve të prokurorëve të rinj lënë shije të keqe në opinion publik, shpeshherë kemi parë emra të dostave e familjarëve të prokurorëve
Visar Krasniqi, anëtar joprokuror nga shoqëria civile në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), në emisionin “Tempus” në KTV, duke folur për “luftën” brenda KPK-së, tha se proceset e rekrutimit të prokurorëve të rinj lënë shije të keqe në opinion publik.
“Ju e dini rolin e Këshillit në raport me rekrutimin e prokurorëve të rinj, avancimit, transferet. Nuk është çudi kjo çka ndodh në Këshillin Prokurorial. Nuk është çudi kur janë këto çka kanë ndodh kur kjo përbërja ka qenë siç e thash, 10 prokurorë, 3 joprokurorë”, tha fillimisht Krasniqi.
Ai tha se nëse shihen proceset e rekrutimeve të prokurorëve ndër vite, lënë shije të keqe te opinioni publik. Gjithashtu, ai tha se kjo lë hapësirë për të menduar që këto interesa janë për faktin se në procese të rekrutimeve të prokurorëve të rinj janë parë emra të “dostave” të prokurorëve apo anëtarëve të Këshillit, sipas tij, njerëz me ndikim.
“Veç nëse i merrni ndër vite edhe i shihni rekrutimet e prokurorëve të rinj, proceset që janë zhvillu, vërtetë lënë shije të keqe te opinioni publik dhe lënë hapësirë me mendu që këto interesa janë për faktin se shpeshherë në çdo proces të rekrutimit të prokurorëve të rinj, kemi pa emra të dostave, me thanë kështu kushtimisht- të prokurorëve, të anëtarëve të Këshillit, domethënë kanë qenë njerëz me ndikim”, tha Krasniqi.
Derisa për njërin proces, tha se gjenden edhe emra të familjarëve të prokurorëve të shtetit, emra të familjarëve që mbajnë pozita të bashkëpunëtorëve profesional e zyrtarëve ligjorë në Prokurori.
“E shihni procesin edhe të fundit të prokurorëve, jo ky që u anulu apo ai që kaloi, gjeni emra të familjarëve të prokurorëve të shtetit, gjeni emra të familjarëve të cilët mbajnë pozita të bashkëpunëtorëve profesional, zyrtarëve ligjorë nëpër prokurori. Do të thotë e shihni dhe është shumë e çuditshme, nëse jo e dyshimtë me thanë kështu ma but, pse këta njerëz gjithmonë po janë shumë profesional dhe po arrijnë me i marrë ato pozita”, shtoi Krasniqi.
Ndërkaq, ai theksoi se kanë të drejtë të aplikojnë e të zgjedhen, por se në listën përfundimtare ka disbalanc në mes njerëzve që kanë lidhje me prokurorinë dhe atyre që nuk kanë.
“Absolutisht kanë të drejtë, por është balanci kur e shohim në listë përfundimtare, del se ka një disbalanc shumë të madh në mes të këtyre njerëzve që kanë lidhje me prokurorë dhe ata që nuk kanë lidhje me prokurorë. Derisa shoqëria civile largohet dhunshëm nga një proces i rekrutimit, çka me prit publiku për atë proces. Fakti që largohet IKD-ja nga monitorimi i procesit të rekrutimit të prokurorëve të rinj lë shumë me pas dyshime. Ndonëse nuk kam qenë pjesë e atij komisoni, por kur e shohim listën finale të kandidatëve që janë zgjedh prokurorë të shtetit lë shije të keqe”, u shpreh Krasniqi.
Krasniqi: Struktura e vjetër e KPK-së nuk i ka pranuar me lehtësi ndryshimet e ligjit të ri
Visar Krasniqi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ka deklaruar se ndryshimet që ka sjellë Ligji i ri për KPK-në, po shkaktojnë ‘dhimbje’ tek struktura e vjetër e këtij Këshilli.
Krasniqi tha në emisionin “Tempus” se për të kuptuar zhvillimet aktuale në KPK, mjafton të analizohen raportimet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) dhe platformës “Betimi për Drejtësi”.
“Sipas meje, ata që duan ta kenë të qartë se çka po ndodh realisht në KPK, mjafton t’i shohin raportimet për më shumë se një dekadë të IKD-së dhe Betimit për Drejtësi. Përafërsisht kur i merr dhe i sheh këto zhvillime nëpër vite, e sheh që jo rastësisht është kritikuar kaq fuqishëm Këshilli edhe nga Ambasada Amerikane, partnerët ndërkombëtarë dhe nga shoqëria civile”, theksoi ai.
Sipas Krasniqit, ndryshimet e miratuara kohëve të fundit me Ligjin për KPK-në kanë ndryshuar rrënjësisht mënyrën e funksionimit dhe qasjen infstitucionale brenda këtij organi.
“Ndryshimet që kanë ndodhur me ligjin e ri e kanë ndryshuar botëkuptimin dhe mënyrën se si e shohim punën brenda Këshillit. Kjo mënyrë e re e funksionimit po shkakton ‘dhimbje’ tek struktura e vjetër, sepse ato ndryshime nuk janë pranuar me lehtësi”, deklaroi Krasniqi.
Ai shtoi se rezistenca ndaj reformave është pasojë e mungesës së gatishmërisë për t’u përshtatur me standardet e reja të transparencës dhe llogaridhënies në sistemin prokurorial.
Krasniqi thotë se i ishte mveshur qëndrimi pro LVV
Visar Krasniqi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), ka deklaruar se gjatë angazhimit të tij në këtë institucion i ishte mveshur padrejtësisht një qëndrim pro Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), pretendim që, sipas tij, nuk qëndron.
Krasniqi tha se ky perceptim ishte një tjetër formë presioni dhe etiketimi që e kishte shoqëruar që nga momenti i hyrjes së tij në KPK.
“Edhe kjo ka qenë një formë që më është mveshur në kohën kur kam shkuar në Këshill, mirëpo kjo nuk qëndron”, theksoi ai.
Ai sqaroi se ka mbi 15 vite përvojë pune në Kuvendin e Kosovës dhe se gjatë kësaj kohe ka ndërtuar raporte të mira profesionale me zyrtarë nga parti të ndryshme politike.
“Kam 15 vite përvojë pune në Kuvend dhe kam raporte të mira me shumë zyrtarë të partive të ndryshme”, u shpreh Krasniqi.
Si dëshmi të besimit ndërpartiak, ai përmendi edhe procesin e votimit në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e tij si anëtar i KPK-së.
“Ditën kur jam votuar në Kuvendin e Kosovës, nga 77 deputetë që kanë votuar, kam marrë 74 vota pro”, deklaroi ai.
Sipas Krasniqit, ky rezultat reflekton vlerësimin e gjerë për punën e tij profesionale dhe parimore, duke theksuar se gjatë gjithë karrierës nuk ka mbështetur individë apo subjekte politike, por parime dhe standarde profesionale.
“Kjo për faktin se gjatë punës sime, ata që më njohin, më njohin si njeri parimor dhe profesional, që nuk mbështes individë e subjekte, por mbështes ligjshmërinë e proceseve, profesionalizmin dhe transparencën”, përfundoi Krasniqi.
Anëtari i shoqërisë civile tregon për pengesat që ia bënin anëtarët e KPK-së me marrjen e mandatit
Visar Krasniqi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) ka deklaruar se që nga momenti i fillimit të ushtrimit të mandatit, është përballur me pengesa të vazhdueshme dhe qasje dekurajuese nga disa anëtarë të Këshillit.
Në një intervistë në “Tempus”, ai tha se sfidat e para nisën menjëherë pas marrjes së mandatit, kur kryesuesi i KPK-së, sipas tij, kishte vënë në pikëpyetje arsyet e angazhimit të tij në Këshill, duke e reduktuar rolin e anëtarit të shoqërisë civile në aspektin financiar.
“Në momentin kur fillova ta ushtroj mandatin, filluan sfidat e para. Kryesuesi i Këshillit në atëkohë sikur më paralajmëroi se ju nuk e di si e keni kalkuluar prezencën e juaj këtu, sepse ju në Këshill do ta merrni vetëm një mëditje që ka qenë diku rreth 300 euro dhe se nuk e di pse keni ardhur për këtë shumë në Këshill”, u shpreh ai.
Sipas tij, këtë qasje e kishte injoruar, pasi kishte një vizion tjetër për funksionimin e KPK-së, ndërsa shtoi se brenda Këshillit kishte pasur edhe prokurorë anëtarë që i kishin ofruar mbështetje profesionale dhe etike.
Ai bëri të ditur se për tre deri në katër muaj nga fillimi i mandatit nuk kishte marrë asnjë pagesë, deri në momentin kur Këshilli kishte marrë vendim që anëtarët joprokurorë të paguheshin njëjtë sikurse prokurorët e krimeve të rënda.
Po ashtu, anëtari i shoqërisë civile tha se i ishin vendosur pengesa edhe në pjesëmarrje aktive në strukturat e Këshillit, përfshirë pamundësimin për t’u bërë pjesë e Komisionit për Çështje Normative.
“Në një rast më pamundësuan të jem anëtar i Komisionit për Çështje Normative, duke votuar kundër. Pavarësisht refuzimeve të vazhdueshme, kam vazhduar t’i përcjell takimet e këtij Komisioni, shpeshherë edhe pa ftesë”, deklaroi Krasniqi.
Ai theksoi se mbështetja nga Ambasada Amerikane dhe nga organizata kredibile të shoqërisë civile, kanë qenë kyçe për përballimin e këtyre sfidave brenda KPK-së.
Sipas tij, një tjetër sfidë serioze ka qenë edhe tentativa e vazhdueshme për shkarkimin e tij nga pozita, çështje e cila, siç tha ai, ishte pothuajse në çdo mbledhje të Këshillit gjatë vitit 2024.
“Pothuajse në çdo takim të Këshillit, qoftë si pikë e rregullt apo në ‘të ndryshmet’, ka qenë pika për shkarkimin tim”, u shpreh Krasniqi.
Duke parë këtë situatë, ai bëri të ditur se Ambasada Amerikane kishte reaguar me një letër drejtuar anëtarëve të KPK-së, përmes së cilës, sipas tij, ishte vënë në dukje se veprimet e tyre nuk ishin në përputhje me ligjin.
Ai vlerësoi se këto pengesa reflektojnë problemet strukturore në funksionimin e KPK-së dhe theksoi nevojën për më shumë transparencë, respektim të ligjit dhe rol real të shoqërisë civile në këtë institucion.
Krasniqi për KPK-në: Nuk e duron transparencën, meritokracinë dhe llogaridhënien
Visar Krasniqi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), në emisionin “Tempus” ka deklaruar se ky institucion nuk e duron transparencën, meritokracinë dhe llogaridhënien.
Krasniqi tha se në kohën kur ai ishte zgjedhur anëtar i KPK-së, kishte hezitim të theksuar nga shoqëria civile për t’u përfshirë në këtë institucion, pikërisht për shkak të përvojave të mëhershme negative.
“Në atë kohë kur jam zgjedhur unë, ka pasur hezitim nga anëtarët e shoqërisë civile për të hyrë në KPK, pasi ishte vërtetuar nga e kaluara që Këshilli nuk e duron prezencën e shoqërisë civile, sidomos kur anëtarët e saj i ka brenda”, theksoi ai.
Sipas Krasniqit, ky qëndrim i KPK-së është dëshmuar edhe me shkarkimin, sipas tij të kundërligjshëm, të ish-anëtarit Muqaj, si dhe me sfidat me të cilat ai ishte përballur gjatë ushtrimit të funksionit.
“Ky fakt është dëshmuar me shkarkimin e kundërligjshëm të atëhershëm të zotit Muqaj nga kjo pozitë dhe sfidat që ai kishte kaluar”, u shpreh Krasniqi.
Ai shtoi se këto rrethana kanë qenë ndër motivet kryesore që e kanë shtyrë të pranojë sfidën profesionale për t’u bërë pjesë e KPK-së, ndonëse, sipas tij, në momentin e zgjedhjes nuk ishte pranuar lehtësisht nga anëtarët e tjerë të Këshillit.
“Me keqardhje e them se Këshilli, si duket, nuk i duron meritokracinë, llogaridhënien dhe transparencën. Pikërisht këto vlera kanë qenë arsyeja kryesore që mua personalisht më kanë shtyrë të hyj në Këshill, dhe të luftoj shumë sidomos transparenca”, deklaroi Krasniqi.
Ai theksoi se mungesa e këtyre parimeve dëmton funksionimin e KPK-së dhe besimin publik në sistemin prokurorial, duke nënvizuar nevojën për reforma të thella dhe për një qasje më të hapur dhe llogaridhënëse brenda këtij institucioni. /BetimipërDrejtësi