TEMPUS

Luzha dhe Gashi presin përfshirjen e njerëzve profesionistë në Qeverinë e re të VV-së

Besa Luzha

Opinionistja Besa Luzha, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Lëvizja Vetëvendosje i ka numrat për formimin e Qeverisë së re, por shtoi se pritjet kryesore lidhen me përfshirjen e kuadrove profesionale në përbërjen qeveritare.

Luzha theksoi se gjatë mandateve të kaluara ka pasur kritika të vazhdueshme për mungesë të dëshmimit profesional të disa ministrave, veçanërisht në raport me qeverisjen efektive dhe realizimin e masave e premtimeve të dhëna gjatë fushatave zgjedhore.

“Numrat i ka partia e LVV-së për formimin e Qeverisë. Ka pasur kritika të ndryshme që nuk ka pasur dëshmi profesionale për qeverisje efektive nga ministrat, në përputhje me masat dhe premtimet e dhëna në fushata të mëparshme, prandaj pres që të ketë një përcaktim drejt njerëzve profesionistë,” tha Luzha.

Ajo shtoi se edhe listat zgjedhore kanë treguar se ka kuadro profesionale në fusha të ndryshme, të cilët mund të kontribuojnë në qeverisje më cilësore.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i Sbunker-it, Fitim Gashi, shprehu skepticizëm lidhur me përfshirjen e ekspertëve të jashtëm në Qeverinë e re, duke vlerësuar se prioriteti i Vetëvendosjes mbetet sistemimi i anëtarëve të vet partiakë.

“Nuk pres që do t’u jepet hapësirë ekspertëve të jashtëm, pasi që përpjekja primare e Vetëvendosjes është që të ‘rahatohen’ anëtarët e subjektit,” tha Gashi.

Ai shtoi se, bazuar në përvojën e deritanishme, puna e ministrave nuk ka ardhur shumë në shprehje, pasi sipas tij vendimmarrja ka qenë e dirigjuar kryesisht nga kryeministri Albin Kurti.

“Punët e tyre kanë qenë të dirigjuara nga Kurti, por jo nga vetë ministrat. Sa i përket cilësisë së qeverisjes, mbetet të shihet se sa do të mund t’i shtyjnë përpara politikat zhvillimore,” përfundoi Gashi. /Betimi për Drejtësi


 

Bugaqku për reagimet ndaj aktgjykimit të Kushtetueses: Të pritshme sepse nuk u eci plani

Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në emisionin “Tempus” në KTV tha se reagimet ndaj aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ishin të pritshme, pasi sipas tij nuk u eci plani.

“Unë besoj që reagimet kanë qenë të pritshme për faktin se kishte një pritshmëri të madhe që ky proces do të legjitimohej dhe mënyra si e ka administruar seancën kryetari i Kuvendit, Basha”, tha Bugaqku.

Ai shtoi se reagimet kanë qenë më tepër një lloj mllefi, sepse procesi nuk është legjitimuar sipas pritshmërive të tyre.

Sipas tij, nëse do të legjitimohej, do të krijohej një precedent ku kryetari i Kuvendit mund të përcaktonte edhe kryetarët e partive politike shqiptare.

“Sepse kryetari i Kuvendit vjen nga një mazhorancë që ka 61 vota; të paktën pritet që të ketë 61 vota në parlament. Imagjinoni sikur ky precedent të legjitimohej nga Gjykata Kushtetuese. Unë besoj se partia në pushtet dhe kryetari i Kuvendit do të mund ta diktonin edhe faktikisht kualitetin e përfaqësimit të partive politike në kryesi të Kuvendit”, theksoi Bugaqku. /Betimi për Drejtësi


 

Besa Luzha: Është shokuese mospërfillja e aktgjykimeve të Kushtetueses nga deputetët

Opinionistja Besa Luzha, në emisionin “Tempus” në KTV, ka kritikuar mospërfilljen e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nga disa deputetë, duke e konsideruar këtë veprim të papranueshëm dhe shokuese.

“Është e çuditshme se dikush që vendos të jetë deputet dhe të betohet për mbrojtjen e sovranitetit dhe kushtetueshmërisë së vendit, në tekstin e betimit përmend edhe rendin kushtetues”, tha Luzha.

Ajo shtoi se është absurde që dikush që betohet të mbrojë rendin kushtetues të ketë dilema dhe të shprehë njëfarë mospërfilljeje ndaj vendimeve të një institucioni gjyqësor.

“Ka ende dilema dhe në njëfarë mënyre shpreh hapur një reagim, një lloj mospërfilljeje ndaj vendimeve të një institucioni gjyqësor, të cilat, siç dihet, janë të padiskutueshme”, theksoi Luzha. /Betimi për Drejtësi


 

 

Gashi: Pozita e nënkryetarit serb nuk do duhej ta prolongonte formimin e Qeverisë

Drejtori Ekzekutiv i Sbunker-it, Fitim Gashi, në emisionin “Tempus”, tha se çështja e pozitës së nënkryetarit serb të Kuvendit nuk duhet të përdoret si arsye për bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.

Gashi rikujtoi bllokadën institucionale të vitit 2014, duke theksuar se pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ishte krijuar bindja se Kosova nuk do të përballej më me situata të tilla.

“Në vitin 2014 kemi pasur një bllokadë gjashtëmujore dhe atëherë thuhej se pas atij aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, Kosova nuk do të gjendej më në situata bllokuese sa i përket konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë, por vitin e kaluar patëm sërish një situatë të tillë”, tha Gashi.

Ai shtoi se partitë politike shpesh befasojnë duke tentuar të gjejnë mekanizma për të zvarritur proceset institucionale, edhe për pozita që, sipas tij, janë të parëndësishme.

“Pozita e nënkryetarit është një nga pesë nënkryetarët e Kuvendit dhe nuk duhet të përdoret si bllokadë për konstituimin e Kuvendit”, theksoi Gashi.

Ndërkaq, hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, vlerësoi se nga aspekti juridik Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar nëse nuk janë votuar të gjithë nënkryetarët.

“Nëse ekziston logjika e bllokimit nga partia e madhe, atëherë kjo bëhet shumë lehtë. Juridikisht, Kuvendi nuk konsiderohet i konstituar”, tha Bugaqku. /Betimi për Drejtësi

 


Gashi për manipulimin e rezultatit zgjedhor: Janë struktura të organizuara brenda partive

Drejtori ekzekutiv i Sbunker-it, Fitim Gashi, në emisionin “Tempus” në KTV tha se manipulimi i rezultatit zgjedhor lidhet me ekzistencën e strukturave të organizuara brenda partive politike, të cilat, sipas tij, veprojnë në interes të grupeve të ngushta dhe në koordinim me lidershipin partiak.

Gashi theksoi se ka kandidatë që bëhen deputetë edhe pa i pasur votat e mjaftueshme, për shkak të ndërhyrjeve të qëllimshme në procesin e numërimit të votave.

“Ka grupe të ngushta të interesit brenda partive politike që janë të lidhura edhe me lidershipin e partisë. Ky lidership ka interes që disa kandidatë të caktuar t’i bëjë deputetë edhe pse nuk i kanë votat e mjaftueshme”, tha Gashi.

Ai shtoi se kjo çështje duhet të trajtohet seriozisht nga organet e drejtësisë, duke theksuar se hetimet e prokurorisë janë kyçe për të zbardhur shkallën e lidhjeve ndërmjet komisionerëve zgjedhorë dhe kandidatëve për deputetë, votat e të cilëve janë ndryshuar.

Ndërkaq, hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, vlerësoi se problemi lidhet drejtpërdrejt me mënyrën e emërimit të komisionerëve zgjedhorë dhe kërkoi reformë substanciale zgjedhore.

“Ka nevojë për reformë substanciale, sidomos në mënyrën se si emërohen komisionerët. Ligji parasheh që partitë politike t’i propozojnë emrat dhe që nga ky moment lind dyshimi se procesi mund të dëmtohet dhe të humbasë integritetin”, tha Bugaqku.

Ai theksoi se kur liderët partiakë krijojnë struktura për të favorizuar kandidatë të caktuar, edhe emrat e propozuar për komisione zgjedhore dhe të numërimit mund të jenë të afërt me ta, duke cenuar sigurinë e votës dhe besimin në procesin zgjedhor. /Betimi për Drejtësi


Bugaqku: Zgjedhjet e fundit e kanë njollosur rëndë integritetin e procesit zgjedhor

Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se zgjedhjet e fundit e kanë njollosur rëndë integritetin e procesit zgjedhor.

Sipas tij, kjo ka ndodhur pasi mbi 100 mijë vota dyshohet se janë të manipulueshme nga ana e komisionerëve.

Ai tha se e mirëpret faktin që Prokuroria e Shtetit, sipas tij, për herë të parë po e trajton me seriozitet ndjekjen penale.

“Unë e mirëpres faktin se Prokuroria e Shtetit për herë të parë, unë po besoj që e ka me seriozitet ndjekjen penale, jo vetëm të komisionerëve, por duket që do të ketë hetime edhe më të plota dhe më të zgjeruara”, shtoi ai.

Ai tha se hetimi i suksesshëm duhet të jetë atëherë kur hetuesia dhe Prokuroria e Shtetit t’i ndjekin dhe t’i sjellin para përgjegjësisë edhe ata kandidatë për deputetë që kanë pasur gisht në manipulimin e votave.

“Unë besoj se hetimi i mirëfilltë, efikas duhet të jetë i suksesshëm dhe efektiv në momentin kur hetuesia dhe Prokuroria e Shtetit të arrijnë që t’i ndjekin dhe t’i sjellin para përgjegjësisë edhe ata kandidatë për deputetë që eventualisht kanë pasur gisht në manipulimin e votave”, ka thënë Bugaqku.