TEMPUS

Vlerësohet se ka rritje të padive SLAP ndaj mediave dhe gazetarëve

Liria e mediave

Të ftuar në emisionin “Tempus” të KTV-së, Naime Dema-Selmani, nënkryetare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), vlerësuan se ka rritje të padive SLAPP ndaj mediave dhe gazetarëve.

Dema-Selmani tha se duhe folur shumë për këtë temë, derisa theksoi se kanë organizuar edhe trajnime për të kuptuar se çfarë janë paditë SLAPP.

“Paditë SLAPP janë mjaftueshëm me u shqetësu ka disa raste, kemi organizu trajnime me kuptu se çka janë paditë SLAPP, duhet të flasim shumë për këtë temë sidomos kur fitohen rastet pa shku fare në gjykatë, janë shumë zyrtarë të nxitur të bëjnë padi SLAP për shkak të interesave të ndryshme që munden t’i kenë”, tha Naile Dema-Selmani.

Në anën tjetër, Shala tha se në zyra të IKD-së ka disa rastet të tilla.

“Në rastin konkret, problematike është se nuk kemi databazë konkrete që i evidenton sa raste janë, veç në zyrë te na ndoshta janë të paktën dhjetë për dy vite, gjithsesi janë dhjetë raste nuk po flasim veç për padi, po flasim për ankesa në mënyra të ndryshme se si aplikohet SLAP, për shembull tash e patëm një rast së fundi ku thoshte nuk i mjaftonte për argumentim fjala e thënë sepse fjala e thënë binte në saktësi të plotë, por thoshte gjestet e përdorura gjatë emisionit e kanë lënë atë kuptim dhe kjo është haptas një padi SLAP”, tha Shala. /BetimipërDrejtësi


Juristja e medias: RTK në pikën me të ulët ndonjëherë

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka deklaruar se Radio Televizioni i Kosovës (RTK) po kalon periudhën më të rënduar të pavarësisë dhe profesionalizmit që nga themelimi, duke theksuar se ndikimi politik – sidomos nga Lëvizja Vetëvendosje, e ka shndërruar transmetuesin publik në një institucion të dobësuar dhe të politizuar.

Në emisionin “Tempus”, Kusari tha se shpresa e saj fillestare ishte që bordi i RTK-së të qëndronte i pavarur nga presioni politik, por realiteti tregoi të kundërtën.

“Shpresa ime ka qenë që këta njerëz nuk i nënshtrohen presioneve të Vetëvendosjes. Realiteti ka qenë që shumica e anëtarëve të bordit, e në disa raste të gjithë anëtarët, i janë nënshtruar presionit politik, sidomos kur është zgjedhur drejtori i bordit të RTK-së, ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rilind Gërvalla”, tha ajo.

Sipas Kusarit, ndikimi politik nuk është kufizuar vetëm te bordi, por ka hyrë thellë edhe në përmbajtjen editoriale të televizionit publik.

“VV-së nuk i mjaftonte ndikimi në bord, por edhe në përmbajtje – për shembull, në lajme, ku u keqpërdor RTK-ja për të bërë propagandë kundër Nacionale dhe Periskopit”, u shpreh ajo.

Juristja e medias tha se pas këtij ndikimi politik erdhi edhe faza e largimeve nga puna në RTK, ndërsa viti i fundit është shoqëruar me disa valë protestash.

Kusari shtoi se sot qytetarët po përballen edhe me ndërprerje të transmetimit për shkak të grevave, duke theksuar mungesën e funksionalitetit të institucionit.

“Sot publiku nuk ka mundur të shoh lajme në RTK në ora 11:00, por grevë”, tha Kusari.

Sipas saj, ka pasur një koordinim të pashembullt politik mes presidentes dhe kryeministrit në detyrë për të shmangur përgjegjësinë për situatën në transmetuesin publik.

Në përfundim, Kusari u shpreh se gjendja aktuale e RTK-së është më e rënda që ka qenë ndonjëherë.

“Pra, kurrë gjendje ma të keqe në RTK nuk kemi pasë, dhe përgjegjësia e ka emrin Lëvizja Vetëvendosje”, përfundoi ajo. /BetimipërDrejtësi


Kusari: Paditë SLAP bëjnë që qytetarët të mbesin të painformuar

Flutura Kusari, juriste e medias, ka deklaruar se paditë SLAP – paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike, po shfrytëzohen gjithnjë e më shumë nga individë apo subjekte me fuqi politike dhe financiare për të heshtur kritikën publike dhe për të krijuar konfuzion tek qytetarët.

Në emisionin “Tempus”, Kusari shpjegoi se këto padi nuk paraqiten sepse personi mendon se i është bërë e padrejtë, por si mjet presioni dhe frikësimi.

“Paditë SLAP janë paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike. Nëse dikush merr pjesë në domenin publik dhe dikush që ka pushtet financiar e politik nuk i pëlqen çka po thuhet, atëherë po abuzohet legjislacioni dhe procedurat gjyqësore. Nuk është që po mendon që të është bërë një e padrejtë, por e bën një padi që dëshiron të krijosh konfuzitet në publik, që çka kanë thënë këta nuk është e vërtetë. Ideja është dekurajimi”, tha Kusari.

Ajo theksoi se një prej rasteve më të rëndësishme është rasti i Shpresa Loshajt, ku një padi për kompensim dëmi në vlerë prej 100 mijë euro ka krijuar efekt frikësues te aktivistët mjedisorë.

“Sot shumë rrallë e shoh dikë që flet për hidrocentrale, pasi është bërë një padi dhe është kërku kompensim dëmi 100 mijë euro”, tha ajo.

Sipas Kusarit, mungesa e informimit të qytetarëve dhe institucioneve bën që të krijohen keqkuptime rreth këtyre padive, edhe pse ekzistojnë standarde të qarta ndërkombëtare.

“Kur flet me dikë– qoftë në gjyqësor, jurist apo avokat– ai thotë ‘ai le të lyp sa të don, se në fund në gjykatë ne e fitojmë rastin’. Por qytetarët nuk janë të informuar. Ne kemi standarde ndërkombëtare: një direktivë të BE-së, një rekomandim të BE-së dhe një rekomandim të Këshillit të Evropës. Shteti jonë ka obligim me i përkthy këto rregullime në legjislacion vendor”, u shpreh ajo.

Megjithatë, Kusari theksoi se ekziston ekspertizë profesionale e mjaftueshme në Kosovë për t’i adresuar paditë SLAP, ndërsa mungesa kryesore mbetet vullneti politik.

“Aspekti pozitiv është që kemi të paktën pesë gjyqtarë që janë të familjarizum me standardet e KE dhe BE sa i përket padive SLAP. Por, ne e kemi ekspertizën në Kosovë – krejt çka duhet është vullnet politik”, tha ajo./BetimipërDrejtësi


Haliti: Jemi sulmuar edhe prej subjekteve tjera politike

Gazetarja Albina Haliti, ka deklaruar se sulmet ndaj gazetarëve nuk vijnë vetëm nga një subjekt politik, por nga pothuajse të gjitha partitë në vend, ndërsa roli i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka qenë vendimtar në ofrimin e mbështetjes ndaj gazetarëve të sulmuar.

Në emisionin “Tempus”, Haliti tha se AGK ka reaguar me shpejtësi në rastet kur gazetarët janë ballafaquar me presion ose sulme direkte.

“Asociacioni i Gazetarëve është duke e bërë një punë të jashtëzakonshme. Unë jam sulmuar në zgjedhjet e fundit nga shefi i shtabit i një subjekti politik dhe brenda 24 orëve AGK ka reaguar dhe më ka pyetur për gjendjen”, tha ajo.

Haliti përmendi edhe raste të tjera, përfshirë një situatë gjatë një konference me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Kur kam qenë në konferencë për media, kryeministri Haradinaj na ka quajtur analfabetë. Aty është dashtë që ne të organizohemi, t’i lëmë mikrofonat dhe të dalim jashtë”, u shpreh ajo, duke shtuar se nganjëherë ka munguar vullneti kolektiv për veprime të tilla solidarizuese.

Sipas saj, pushteti shpesh i transformon politikanët në figura arrogante dhe kjo reflektohet në sjelljen e tyre ndaj mediave.

“Pushteti politikanët i shndërron në arrogantë. Ne jemi sulmu edhe prej subjekteve tjera, përveç VV-së, ku për shembuull një ish-kryeministër ka dalë me postim duke thënë se një medium i caktuar po bën agjendë kundër tij”, tha Haliti.

Ajo shtoi se edhe në terren ka pasur raste kur gazetarët kanë tentuar të solidarizohen, por mungesa e gatishmërisë së kolegëve ka pamundësuar veprime më të fuqishme kundër presionit politik. /BetimipërDrejtësi


Dema-Selmani nga AKG: Sulmet ndaj gazetarëve këtë vit, njëjtë sikur në të kaluarin kur kishte protesta në Veri

Naile Dema-Selmani, nënkryetare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), tha se sulmet ndaj gazetarëve këtë vit janë ngjashëm sikurse në të kaluara kur kishte protesta në veri.

“Është situatë pak a shumë e ngjashme me sulmet në veri të vendit kur ka pas protesta, kur e dijmë se atëherë ka qenë siutatë ndryshe që po i bie e kemi një vit me raste të barabarta me atë vit”, tha Dema-Selmani në “Tempus“.

Ajo tha se më 2023 kanë qenë 74 raste të sulmeve, më 2024 zbret në 53 dhe tash ende pa përfunduar viti, janë rreth 70 raste.

Nënkryetarja e AGK-së theksoi se bazuar në situatën që mbizotëron, shoqëria duhet të alarmohet.

“Nëse e kemi këtë vit me numrin e njëjtë të sulmeve që e kemi pas qat vit kur gjysma e sulmeve kanë ndodhë në veri, është e vërtetë që kanë ndodh dhe natyrisht s’e fajëson kurrkush pushtetin për ato sulme dhe nuk është fajësu kjo po tregon për një regres tepër të madh dhe nuk e di tjetër çka duhet me ndodh me u alarmu shoqëria në këtë vend për lirinë e medias, seriozisht nuk e di”, shtoi Dema-Selmani.


Haliti: Ligji për KPM-në është hartuar nga deputetë që nuk janë të fushës së medias

Gazetarja Albina Haliti tha se përgjegjësinë kryesore për përkeqësimin e situatës në fushën e lirisë së shprehjes e bart klasa politike.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Haliti tha se një ndër problemet kryesore lidhet me faktin që Ligji për Komisionin e Pavarur për Media (KPM) është hartuar nga deputetë që nuk kanë as përvojë, as njohuri profesionale në fushën e mediave.

“Mendoj që një problem kryesor është që me Ligjin për KPM janë marrë deputetë që nuk janë të fushës së medias dhe nuk kanë përvojë në këtë fushë. Nuk është njëjtë sikur kur flet një deputet i opozitës dhe një deputet i mazhorancës”, u shpreh Haliti.

Sipas saj, ekziston një tendencë e hapur për të degraduar median dhe për ta paraqitur atë si të njëanshme.

“Kanë dashtë që mediat t’i degradojnë dhe linçojnë, kinse mediat nuk kanë qëllim të pastër. Lëvizja Vetëvendosje, kur ka qenë në opozitë, me lajme të mediave ka thirrur seanca të jashtëzakonshme dhe ka thirrur kryeministrin. Mund të themi se mediat nuk kanë ndryshu, por janë ata që kanë ndryshu”, tha Haliti.


Kusari: Pushteti nuk merret me atë që po ndodh, por “pse po kallëzoni çka po ndodh”

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka deklaruar se qasja e pushtetit ndaj mediave dhe kritikës publike është thellësisht problematike, pasi fokusi i tyre nuk është të adresojnë problemet reale, por të zbulojnë se kush po i raporton ato.

E ftuar “Tempus”, Kusari tha se Lëvizja Vetëvendosje ka kontribuar më së shumti në rritjen e ngacmimeve online dhe në krijimin e një klime ku kushdo që shpreh një mendim kritik, përballet me sulme personale dhe familjare.

“LVV ma së shumti ka kontribu që njerëzit me u ngacmu online. Nëse ti guxon me thanë diçka, ti duhesh me u përgatit që ke me u denigru– jo veç ti personalisht, por edhe familja”, u shpreh Kusari.

Ajo kujtoi se raportin ndërkombëtar për lirinë e medias, kryeministri fillimisht e kishte mirëpritur, por menjëherë pas vlerësimit negativ reagimi i tij ndryshoi.

“Ne kemi postim nga kryeministri që e mirëpret raportin. Masnej, kur raporti doli negativ, ai tha që ‘jam duke i dëgju kritikat dhe kam me i adresu’. Prej asaj, doli në fazën se kush është ‘shpiuni’ që po ju kallxon ndërkombëtarëve se çka po ndodhë. Domethënë pushteti s’merret me atë çka po ndodhë, por pse po kallëzoni çka po ndodhë”, tha ajo.

Kusari theksoi se Kosova dikur konsiderohej një prej kampionëve rajonalë në lirinë e medias, por sot ka rënë në nivel të njëjtë me Bosnjën.

“Ne më herët e kemi konsideru veten kampion në lirinë e medies, ndërsa sot jemi në nivel me Bosnjën”, përfundoi ajo. /BetimipërDrejtësi


Shala: Përkundër presioneve, gazetarët po i rezistojnë pushtetit- linçimet i dekurajojnë

Gzim Shala, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se përkundër presioneve, gazetarët po i rezistojnë pushtetit. Ai shtoi se linçimet i dekurajojnë gazetarët.

“Një pjesë e gazetarëve i ka rezistuar kësaj situate dhe kanë vazhdu me fol përkundër këtij linçimi publik, veçanërisht me mediat nëse përkundër këtij presioni mediat dhe gazetarët vazhdojnë me folë kjo është dëshmi që sektori i medias është zhvillu brenda përbrenda dhe thjesht po i reziston pushtetit”, tha Shala

Shala tha në “Tempus” se si rezultat i linçimeve, bie interesi për t’u shprehur për tema caktuar.

“Por, megjithatë krijohet një klimë se jo secili ka me pas mundësi me i rezistu sepse nuk është në pyetje kur flasim për lirinë  e shprehjes nuk është në pyetje vetëm gazetari, është në pyetje edhe një qytetar i thjeshtë që jep një mendim të tij në çfarëdo platforme dhe tash është shumë e lehtë me dhënë një mendim për shkak të numrit të madh të platformave dhe nëse vazhdon linçohet dhe përballet me akuza dhe fushat kundër tij normalisht se do të bie interesimi për tu shprehur”, shtoi Shala. /BetimipërDrejtësi


Kusari: Qeveria s’i ka kryer detyrat e shtëpisë drejt BE-së, VV-ja e specializuar për sulme online ndaj gazetarëve

Flutura Kusari, juriste e medias, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Qeveria e Kosovës nuk i ka kryer detyrat e shtëpisë drejt Bashkimit Evropian. 

“Qeveria s’i ka kry detyrat e shtëpisë, asnjë veprim që duhesh me ndërmarrë ti për me drejtu shtetin tënd në rrugën e BE-së. Ata s’e kanë marrë dhe e kundërta, kanë ba veprime konkrete që neve na çojnë mbrapa, pra e përmenda ligjin, sulmet ndaj gazetarëve e të tjera dhe tash u kriju një klinë që shumë ma pak njerëz po flasin sepse nuk janë të gatshmëm me u marrë me qeto pasojat, sidomos online”, tha Kusari.

Për Lëvizjen Vetvëendosje, juristja e medias tha se është e specialuzar për sulme online ndaj gazetarëve.

“Lëvizja Vetëvendosje është e specializume në ngacimimin e gazetarëve dhe të aktivisëve online dhe qajo tani përkthehet që ti noramlisht ndihesh më i kufizum jo krejt ndihen ashtu, por efekti është qaty”, shtoj Kusari. /BetimipërDejtësi


Dema-Selmani: Gjuha ndaj mediave dhe gazetarëve është e rrezikshme

Naile Dema-Selmani, nënkryetare e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka deklaruar se gjuha denigruese dhe ambienti i rrezikshëm në të cilin punojnë punonjësit medial, po përkeqësohen vazhdimisht dhe përbëjnë situatë alarmante.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Dema-Selmani tha se gjetjet e Raportit të Komisionit Evropian, publikuar për këtë çështje, përputhen plotësisht me statistikat dhe të dhënat që AGK i trajton çdo ditë në databazën e saj.

“Fatkeqësisht, përputhet. Dhe kjo është situata. Ne e dimë që pushtetet e krijojnë këtë ambient. Nëse këta janë fajtorë për gjendjen në të cilën jemi dhe nuk vijnë në emisione sikur sonte, tregon për seriozitetin se si e trajtojnë këtë çështje”, u shpreh Dema-Selmani.

Ajo theksoi se mungesa e përfaqësuesve të Qeverisë në debat është tregues i qartë i mosgatishmërisë për të adresuar problemet me të cilat përballen gazetarët dhe mediat.

“Absolutisht kisha qenë e lumtur sikur ta kisha pasë dikë nga Qeveria përballë për të diskutuar për këto çështje dhe për të gjetur mënyrat që mediat të mos jenë një ambient toksik dhe denigrues. Nuk ka vullnet, as privatisht e as publikisht – këtu”, tha ajo. /BetimipërDrejtësi