Drejtori ekzekutiv i Meta Platforms, Mark Zuckerberg, pritet të dëshmojë këtë të mërkurë në një gjyq në Kaliforni që shqyrton nëse veçoritë e platformave të kompanisë së tij dëmtojnë fëmijët apo nxisin varësinë ndaj rrjeteve sociale.
Zuckerbergu do të paraqitet përpara jurisë dhe prindërve që kanë humbur fëmijët e tyre, të cilët fajësojnë përdorimin e rrjeteve sociale për tragjeditë familjare. Më herët, në një seancë dëgjimore në Kongresin amerikan, ai ka kërkuar falje ndaj familjeve që besojnë se jeta e tyre u shkatërrua nga ndikimi i platformave sociale.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNë qendër të procesit gjyqësor është padia e ngritur nga një 20-vjeçare e identifikuar me inicialet KGM, e cila pretendon se përdorimi i platformave të Google dhe Metas që në moshë të hershme krijoi varësi dhe përkeqësoi mendimet e saj depresive dhe vetëvrasëse, raportoi "Euronews".
Fillimisht, çështja u ngrit kundër katër kompanive: Meta, Google (përmes YouTube), ByteDance (pronare e TikTokut) dhe Snap Inc., kompania mëmë e Snapchatit. TikToku dhe Snapi raportohet se arritën marrëveshje para nisjes së gjyqit.
Vendimi mund të ndikojë në mijëra padi të tjera të ngjashme kundër kompanive të mediave sociale.
Kompanitë kanë argumentuar gjithashtu se mbrohen nga ligji amerikan, i cili sipas interpretimit të gjykatave i mbron ofruesit online nga përgjegjësia ligjore për përmbajtjen e krijuar nga palë të treta.
Gjatë procesit ka dëshmuar edhe kreu i Instagramit, Adam Mosseri, i cili kundërshtoi idenë se njerëzit mund të jenë të varur nga rrjetet sociale. Ai theksoi se Meta ka vendosur mekanizma mbrojtës për të miturit, përfshirë llogari private për adoleshentët, filtra përmbajtjeje dhe kontrolle prindërore, duke shtuar se nuk është në interesin afatgjatë të kompanisë të përfitojë në kurriz të mirëqenies së përdoruesve.
Procesi gjyqësor zhvillohet në një kohë kur disa vende evropiane po shqyrtojnë vendosjen e kufizimeve sipas moshës për platformat e mëdha teknologjike, në përpjekje për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme online.
Vendimi për këtë çështje pritet të ketë pasoja të gjera për industrinë globale të rrjeteve sociale.