Paltforma transmetuese, YouTube, do t’u japë prindërve më shumë kontroll mbi mënyrën se si adoleshentët përdorin platformën, duke ua mundësuar ta kufizojnë ose ta ndalojnë plotësisht “srcollingun” apo shfletimin e videove të shkurtra, të njohura si "shorts", ka raportuar CNN.
Ky opsion është pjesë e një pakete të re kontrollesh prindërore që i ka prezantuar YouTube.
Ashtu si shumë platforma të tjera teknologjike, YouTube ka shtuar përpjekjet për mbrojtjen e përdoruesve të rinj, për shkak të presionit në rritje nga prindërit, organizatat për mbrojtjen e fëmijëve dhe ligjvënësit.
Shumë prindër kanë paralajmëruar se shfletimi i pafund i videove të shkurtra mund të krijojë varësi, veçanërisht te të rinjtë.
Sipas ndryshimeve të reja, prindërit që mbikëqyrin llogaritë e fëmijëve të tyre do të mund të vendosin një limit kohor për "shortsat", nga dy orë deri në zero minuta. Për shembull, ata mund ta bllokojnë plotësisht këtë funksion kur adoleshentët duhet të përqendrohen në mësime, ose ta lejojnë për 60 minuta gjatë një udhëtimi të gjatë, për argëtim.
Gjithashtu, prindërit do të kenë mundësi të caktojnë orare për gjumë dhe përkujtues “për pushim”, funksione që YouTube tashmë i aplikon automatikisht për përdoruesit nën moshën 18 vjeç.
YouTube po prezanton edhe një proces të ri regjistrimi për ta bërë më të lehtë krijimin e llogarive të mbikëqyrura për fëmijët, si dhe po thjeshton kalimin mes llogarive për të mitur dhe të rritur në pajisjet e përbashkëta.
Platforma po përditëson gjithashtu udhëzimet për përmbajtjen që u rekomandohet adoleshentëve.
Do të kenë përparësi videot që nxisin kureshtjen dhe frymëzimin, ndërtimin e aftësive jetësore, përvojat pozitive dhe informacionin e besueshëm që mbështet mirëqenien.
YouTube ka bërë të ditur se adoleshentëve tashmë u ndalohet shikimi i përsëritur i videove që mund t’i çojnë drejt përmbajtjeve të rrezikshme, si ato që idealizojnë forma të caktuara trupore.
Këto ndryshime vijnë pasi YouTube ka njoftuar vitin e kaluar se do të përdorte inteligjencën artificiale për ta vlerësuar moshën e përdoruesve dhe për t’i futur automatikisht përdoruesit e dyshuar si të mitur në cilësime më mbrojtëse, pavarësisht datëlindjes së deklaruar gjatë regjistrimit. Platforma të tjera të mëdha, përfshirë Instagramin, ChatGPT dhe Character.AI, kanë prezantuar së fundmi masa të ngjashme për mbrojtjen e të rinjve.
Ndërkohë, kompania mëmë e YouTube, Google, ka qenë në qendër të vëmendjes këtë javë pas një postimi viral në LinkedIn nga aktivistja për sigurinë e fëmijëve në internet, Melissa McKay.
Ajo ka publikuar pamje që tregonin se Google e kishte njoftuar djalin e saj gati 13-vjeçar se së shpejti do të kishte mundësi të hiqte mbikëqyrjen prindërore nga llogaria e tij.
“Google po merr autoritet mbi një kufi që nuk i përket atij”, ka shkruar McKay, presidente e organizatës jofitimprurëse Digital Childhood Institute.
Në përgjigje, gjigandi Google ka njoftuar se ka përditësuar politikën e tij, duke kërkuar miratimin e prindërve përpara se përdoruesit 13 vjeç e lart të mund të heqin mbikëqyrjen prindërore.
Sipas Kate Charlet, drejtoreshë e lartë për privatësi, siguri dhe mbrojtje në Google, këto ndryshime synojnë që masat mbrojtëse të mbeten në fuqi derisa si prindërit ashtu edhe adoleshentët të ndihen gati për hapin e radhës.