Tech

Trumpi kërkon shkarkimin e Lisa Monacos nga Microsofti: Rrezik për sigurinë kombëtare

Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka kërkuar publikisht që kompania gjigante e teknologjisë Microsoft të shkarkojë presidenten e marrëdhënieve globale, Lisa Monaco. 

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump e quajti Monacon “rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së”, duke theksuar kontratat e shumta që Microsofti ka me qeverinë amerikane, raportoi të dielën Reuters.

Kjo deklaratë vjen vetëm një ditë pas ngritjes së aktakuzës ndaj ish-drejtorit të FBI-së, James Comey, i cili pati nisur hetimet për lidhjet e mundshme mes fushatës së Trumpit në vitin 2016 dhe qeverisë ruse. Trumpi e ka përshkruar lëvizjen kundër Monacos si pjesë të përpjekjeve të tij për të vendosur drejtësi ndaj atyre që i konsideron si kundërshtarë politikë.

Lisa Monaco ka pasur karrierë të gjatë në administratat demokrate. Ajo ka shërbyer si ndihmëse për sigurinë në administratën e presidentit Barack Obama dhe si zëvendësprokurore e përgjithshme në administratën e presidentit Joe Biden. Monaco luajti gjithashtu rol kyç në koordinimin e përgjigjes së Departamentit të Drejtësisë ndaj sulmit në Kapitol më 6 janar 2021, ku mbështetësit e Trumpit ndërhynë me dhunë në procesin e certifikimit të zgjedhjeve.

Sipas profilit të saj në LinkedIn, Monaco iu bashkua Microsoft-it në korrik 2023 për të udhëhequr marrëdhëniet e kompanisë me qeveritë në mbarë botën.

“Microsoft duhet menjëherë ta pushojë nga puna Lisa Monacon. Ajo është një kërcënim i madh për vendin tonë, sidomos duke marrë parasysh kontratat që kompania ka me qeverinë amerikane”, shkroi Trumpi. Ai shtoi gjithashtu se Monaco është tashmë e ndaluar nga të gjitha pronat federale për shkak të “akteve të shumta të gabuara”.