Platforma e njohur e rrjeteve sociale TikTok ka njoftuar planet për të investuar 1 miliard euro në ndërtimin e një qendre të dytë të dhënash në Finlandë, në kuadër të përpjekjeve për të zhvendosur ruajtjen e të dhënave të përdoruesve evropianë brenda kontinentit.
Investimi i ri do të realizohet në qytetin Lahti dhe do të ketë kapacitet fillestar prej 50 megavatësh, me potencial për t’u zgjeruar deri në 128 MW.
Ky projekt është pjesë e një iniciative më të gjerë prej 12 miliardë eurosh për sovranitetin e të dhënave në Evropë, që synon të ofrojë mbrojtje të avancuar për mbi 200 milionë përdorues evropianë.
Finlanda është shndërruar në një destinacion tërheqës për qendrat e të dhënave, duke tërhequr gjigantë teknologjikë si Microsoft dhe Google. Klima e ftohtë, energjia e lirë dhe me emetime të ulëta karboni, si dhe një mjedis rregullator i qëndrueshëm, e bëjnë vendin të duhur për investime të tilla, raportoi “Reuters”.
Megjithatë, projekti nuk ka kaluar pa polemika. Politikanë finlandezë shprehën shqetësime për mungesën e transparencës dhe implikimet e sigurisë kombëtare, sidomos pas zbulimit të planeve për qendrën e parë të të dhënave në Kouvola vitin e kaluar.
Ish-ministri i ekonomisë, Wille Rydman, kërkoi rishqyrtimin e projektit, duke vënë në pikëpyetje përzgjedhjen e TikTokut si partner.
Edhe
Britania planifikon t’i detyrojë rrjetet sociale t’u japin përparësi lajmeve të besueshme
Aktualisht, TikToku ruan të dhënat e përdoruesve evropianë në qendra të dhënash në Norvegji, Irlandë dhe Shtete të Bashkuara, me masa të shtuara sigurie.
Qendra e parë në Finlandë pritet të jetë funksionale deri në fund të këtij viti, ndërsa e dyta synohet të përfundojë deri në vitin 2027.
Kryetari i bashkisë së Lahtit, Niko Kyynarainen, e mirëpriti investimin, duke e cilësuar atë si zhvillim të rëndësishëm për ekonominë lokale dhe dëshmi të besimit të investitorëve ndërkombëtarë në rajon.