Një lëvizje protestuese online po u bën thirrje përdoruesve të bojkotojnë ChatGPT-në, pas raportimeve se kompania OpenAI ka arritur marrëveshje me Pentagonin për të vendosur modelet e saj të inteligjencës artificiale në rrjete të klasifikuara ushtarake amerikane.
Fushata, e njohur si “QuitGPT”, pretendon se mbi 1.5 milionë persona kanë ndërmarrë veprime, duke anuluar abonimet, shpërndarë mesazhe bojkoti në rrjetet sociale ose duke u regjistruar në faqen quitgpt.org, raportoi Euronews.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoReagimi u bë pas një përplasjeje publike mes kompanisë së inteligjencës artificiale Anthropic dhe Departamentit amerikan të Luftës.
Drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, deklaroi se nuk mund të pranonte kërkesën e Pentagonit për qasje të pakufizuar në sistemet AI të kompanisë.
“Në disa raste të kufizuara, besojmë se AI mund të minojë, e jo të mbrojë, vlerat demokratike”, ka shkruar ai, duke shtuar se disa përdorime janë jashtë kufijve të asaj që teknologjia aktuale mund të bëjë në mënyrë të sigurt dhe të besueshme.
Anthropic, raportohet se rrezikonte humbjen e një kontrate prej 200 milionë dollarësh për të zhvilluar kapacitete të avancuara të AI-së në funksion të sigurisë kombëtare amerikane.
Pak orë pas dështimit të negociatave mes Anthropic dhe autoriteteve amerikane, shefi i OpenAI, Sam Altman, njoftoi se kompania e tij ka arritur marrëveshje me Pentagonin për të vendosur modelet e saj në rrjetet e klasifikuara. Ai tha se Departamenti i Luftës ka treguar “respekt të thellë për sigurinë” dhe dëshirë për bashkëpunim.
Njoftimi erdhi menjëherë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se do të urdhëronte agjencitë federale të ndalonin menjëherë përdorimin e teknologjisë së Anthropic.
Fushata QuitGPT akuzon OpenAI-n se ka vendosur fitimin përpara sigurisë publike, duke pretenduar se marrëveshja me Pentagonin hap rrugën për përdorime si mbikëqyrja masive apo zhvillimi i armëve autonome pa mbikëqyrje njerëzore.
Organizatorët u bëjnë thirrje përdoruesve të kalojnë në alternativa të tjera, përfshirë chatbot-in Gemini të Google dhe platforma të tjera konkurruese.
Ata kanë paralajmëruar gjithashtu një protestë fizike më 3 mars pranë selisë së OpenAI në San Francisko.