Robotët virtualë, të njohur si Chatbotë, që janë në një formë të qasshëm pa kufizime, janë kërcënues pasi bëjnë të mundur që përdoruesit të qasen në informacione të rrezikshme apo të paligjshme, thuhet në një studim, ka raportuar TheGuardian.
Paralajmërimi vjen pas një trendi shqetësues për chatbotët që u është hequr kufizimi për qasje të pakufishme, i njohur në teknologji si “jailbreak”.
Sipas kësaj, kjo u mundëson përdoruesve që të kenë qasje në çështje të dëmshme apo të rrezikshme apo të shtrojnë pyetje si për shembull: si të ndërtohen bombat, si të hakohen llogari në internet, si të pastrohen paratë dhe si të kryhen akte të dhunshme.
Kontrollet e sigurisë janë të dizajnuara që t'i ndalojnë këto çështje, por kjo thuhet se ende s’është e plotë.
Studiuesit kanë rënë në përfundim se është e lehtë të mashtrosh shumicën e chatbotëve që operojnë me inteligjencë artificiale dhe që gjenerojnë informacione të paligjshme.
“Ajo që dikur ishte e kufizuar vetëm për zyrtarë shtetërorë ose grupe të krimit të organizuar, shumë shpejtë mund të jenë në duart e kujtdo që ka një laptop ose një telefon celular”, thuhet në studimin e kryer nga Universiteti “Ben Gurion” në Izrael.
Studiuesit përdorën një chatbot pa kufizime për ta demonstruar problemin, ku i shtruan pyetje të çfarëdoshme dhe ata pranuan përgjigje dhe këshilla edhe mbi përmbajtje të dëmshme.
Raporti ka rekomanduar që chatbotët me AI duhet të shqyrtojnë me kujdes çështjen e sigurisë kibernetike, të shtojnë mbrojtje maksimale dhe t'i bllokojnë të gjitha pyetjet që ofrojnë përgjigje që nxisin dhunë apo shpërndajnë dezinformata.