Një bashkëpunim që premton të tronditë botën e teknologjisë është zyrtarizuar: Sir Jony Ive, dizajneri britanik që qëndron pas pamjes së produkteve më ikonike të Appleit – si iMac, iPod, iPhone dhe iPad – i është bashkuar OpenAI, kompaninë e inteligjencës artificiale (AI), në një marrëveshje prej 6.5 miliardë dollarësh, shkruan BBC.
OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, do të blejë ‘startup’-in e tij, “LoveFrom/io”, dhe Ive do të marrë rolin udhëheqës në aspektin kreativ dhe të dizajnit për të formësuar një gjeneratë të re kompjuterësh të fuqizuar me inteligjencë artificiale.
Drejtuesi i OpenAI, Sam Altman, e quajti Sir Jony-n “dizajnerin më të madh në botë” dhe u shpreh i emocionuar për këtë partneritet historik:
“Kemi një mundësi të rrallë për të rimenduar plotësisht çfarë do të thotë të përdorësh një kompjuter”, ka thënë Altman.
Ndërsa inteligjenca artificiale softuerike ka përparuar me ritme marramendëse, përpjekjet për të krijuar pajisje fizike të reja të bazuara në AI kanë dështuar shpesh në treg. Por Altman dhe Ive besojnë se ky bashkëpunim do të jetë përjashtimi.
“Bota është në pragun e një epoke të re teknologjike”, ka deklaruar Sir Jony.
Ai shtoi se pajisja e parë që po zhvillojnë së bashku tashmë ka “kapur imagjinatën e tyre plotësisht”.
Altman ka provuar një prototip të dizajnuar nga ekipi i Ive dhe deklaroi me entuziazëm: “Është pjesa më ‘cool’ e teknologjisë që bota ka parë ndonjëherë”.