Tech

Përdoruesit e Gmailit paralajmërohen për mashtrim “shumë të sofistikuar”

Gmail

Përdoruesit e Gmailit janë paralajmëruar për një mashtrim shumë të sofistikuar, që duket të vijë nga vetë Google, por që në të vërtetë është përpjekje e mirëorganizuar për të mashtruar përdoruesit dhe për të marrë qasje në të dhënat e tyre.

Emaili i rremë duket sikur vjen nga adresa zyrtare “[email protected]”, e cila përdoret zakonisht për njoftime sigurie nga Google. Për më tepër, mesazhi përmban një link që të çon në një faqe “sites.google.com”, çka e bën edhe më të besueshëm në sytë e përdoruesve të zakonshëm.

Në email pretendohet se “është lëshuar një urdhër gjykate ndaj Google LLC për të siguruar përmbajtjen e llogarisë suaj Google”, duke krijuar frikë te marrësit që mund të klikojnë në link nga paniku.

Megjithatë, ekspertët sqarojnë se kjo nuk është faqja zyrtare e Googleit për mbështetje, e cila ndodhet në “accounts.google.com”, ndërsa domaini “sites.google.com” mund të përdoret nga kushdo për të krijuar faqe falas – përfshirë edhe mashtruesit.

Sipas kompanisë së sigurisë kibernetike “Kaspersky”, ekzistojnë edhe shenja të tjera që tregojnë se bëhet fjalë për një mashtrim. Në detajet teknike të emailit shfaqen fusha si “to” dhe “mailed-by” që përmbajnë kombinime të çuditshme si: me[@]googl-mail-smtp-out-198-142-125-38-prod[.]net dhe fwd-04-1.fwd.privateemail[.]com – adresë të cilat nuk kanë lidhje me Googlein.

Mashtrimi u zbulua fillimisht nga zhvilluesi i teknologjisë Nick Johnson, i cili paralajmëroi publikun për këtë skemë që mund të mashtrojë lehtësisht përdoruesit më pak të kujdesshëm.

Ekspertët këshillojnë që nëse pranoni një email të tillë: mos klikoni në asnjë link, verifikoni adresën e dërguesit me kujdes dhe raportoni mesazhin si phishing në Gmail.

Për më shumë siguri, përdoruesve u rekomandohet të aktivizojnë verifikimin me dy hapa dhe të mos ndajnë kurrë të dhëna sensitive përmes emailit.