Elon Musk ka paraqitur një kërkesë gjyqësore për të përfituar deri në 134 miliardë dollarë nga OpenAI dhe Microsoft, duke argumentuar se këto kompani kanë përfituar në mënyrë të padrejtë nga kontributet e tij të hershme në krijimin e OpenAI.
Kërkesa e tij është dorëzuar të premten në një gjykatë federale, përpara nisjes së procesit gjyqësor ndaj dy kompanive, raportoi të martën Reuters.
Sipas dokumenteve gjyqësore, OpenAI ka përfituar nga 65.5 deri në 109.4 miliardë dollarë si rezultat i rolit të Muskut në vitet e para të kompanisë, ndërsa Microsofti thuhet se ka përfituar nga 13.3 deri në 25.1 miliardë dollarë.
Musku ishte bashkëthemelues i OpenAI në vitin 2015, kur kompania ishte ende vetëm startup.
“Pa Elon Muskun nuk do të ekzistonte OpenAI. Ai siguroi pjesën më të madhe të financimit fillestar, vuri në dispozicion reputacionin e tij dhe u mësoi themeluesve gjithçka që dinte për zgjerimin e një biznesi”, deklaroi avokati kryesor i Muskut, Steven Molo, duke shtuar se vlera e këtyre kontributeve është llogaritur nga një ekspert financiar.
OpenAI e ka cilësuar kërkesën e Muskut si “jo serioze”. Ndërsa, Microsofti nuk ka komentuar mbi shumën e kërkuar, teksa një avokat i saj ka deklaruar më herët se nuk ka prova që kompania të ketë ndihmuar apo nxitur OpenAI në shkelje ligjore.
Gjatë javës, OpenAI dhe Microsofti kanë paraqitur gjithashtu padi kundërpretenduese, duke kundërshtuar shumat e dëmeve të kërkuara nga Musku.