Tech

Meta do t’i ndalojë reklamat politike në BE nga tetori

Meta

Meta Platforms do t'i japë fund reklamave politike, zgjedhore dhe sociale në platformën e saj në BE që nga fillimi i tetorit, raportoi Reuters.

Siç ka bërë të ditur kompania amerikane e rrjeteve sociale, ky ndalim do të bëhet si pasojë e pasigurisë ligjore për shkak të rregullave të reja të BE-së mbi reklamat politike. 

Legjislacioni i Bashkimit Evropian, i quajtur rregullorja për Transparencën dhe Synimin e Reklamimit Politik dhe i cili do të zbatohet nga 10 tetori, u nxit nga shqetësimet në lidhje me dezinformimin dhe ndërhyrjen e huaj në zgjedhje në të gjithë bllokun me 27 vende.

Ligji kërkon që kompanitë e mëdha të teknologjisë të etiketojnë qartë reklamat politike në platformat e tyre, kush pagoi për to dhe sa, si dhe cilat zgjedhje po synohen, përndryshe rrezikojnë gjoba deri në 6% të të ardhurave të tyre vjetore.

Meta tha se rregullat e BE-së në fund të fundit do t’i dëmtonin evropianët.

Facebooku dhe Instagrami që janë në kuadër të Metas po hetohen aktualisht nga Komisioni Evropian për shkak të dyshimeve për dështimin e tyre për të luftuar dezinformimin dhe reklamat mashtruese në prag të zgjedhjeve të Parlamentit Evropian të vitit 2024.