Tech

Instagrami mohon sulmin kibernetik pas emaileve masive për ndryshim të fjalëkalimit

Instagram

Instagrami ka mohuar se ka qenë viktimë e një vjedhjeje të të dhënave, pasi shumë përdorues kanë marrë emaile që i ftonin të ndryshonin fjalëkalimin. Kompania tha se kishte rregulluar një problem teknik që i kishte mundësuar “një pale të jashtme” të nxisë dërgimin e kërkesave të rregullta për rivendosje fjalëkalimi.

Sipas Instagramit, sistemet e tij nuk janë thyer dhe llogaritë e përdoruesve janë të sigurta. Megjithatë, kjo deklaratë është vënë në dyshim nga disa ekspertë të sigurisë kibernetike.

Kompania e sigurisë Malwarebytes ka pohuar se emailet për ndryshim fjalëkalimi janë dërguar si pasojë e një hakerimi. Sipas saj, kriminelë kibernetikë kanë vjedhur të dhëna të ndjeshme të rreth 17.5 milionë llogarive në Instagram, përfshirë emra përdoruesish, adresa fizike, numra telefoni dhe email-e.

Malwarebytes ka thënë për BBC-në se beson që këto emaile lidhen me shitjen e të dhënave private në një forum hakerësh, ku një person pretendon se zotëron informacionin personal të miliona përdoruesve të Instagramit. Sipas këtij njoftimi, të dhënat vijnë nga një “rrjedhje” e vitit 2024.

Megjithatë, disa studiues të sigurisë mendojnë se bëhet fjalë për një bazë më të vjetër të dhënash, të mbledhur që në vitin 2022 nga informacione që atëherë kanë qenë publike, si emrat dhe vendndodhjet e përdoruesve.

 Email-et për rivendosje fjalëkalimi, së bashku me paralajmërimin e Malwarebytes, kanë shkaktuar konfuzion për mijëra njerëz në rrjetet sociale.

Edhe shpjegimi i Instagramit ka ngritur pikëpyetje.

Por Instagram nuk iu përgjigj pyetjeve të BBC-së se kush ishte pala e jashtme që mund të dërgonte kërkesa legjitime për rivendosje fjalëkalimi në emër të kompanisë.

Këshilla  si gjithmonë është që përdoruesit të shkojnë drejtpërdrejt në faqen zyrtare ose në aplikacion për të ndryshuar fjalëkalimet dhe për të shtuar masa shtesë sigurie.