Apple ishte lideri i tregut global të telefonave vitin e kaluar, me një rekord prej 240.6 milionë pajisjesh të shitura dhe 19 për qind të pjesëmarrjes në treg, sipas grupit hulumtues Omdia.
Gjiganti nga Cupertino e kaloi për pak Samsungun, i cili regjistroi 239.1 milionë njësi të shitura. Kompania koreano-jugore gjithashtu ka 19 për qind të tregut. Interesante është se si Apple ashtu edhe Samsung i rritën dërgesat me saktësisht 7 për qind krahasuar me vitin 2024.
Rritjen më të shpejtë ndër prodhuesit kryesorë e arriti Honor, me 11 për qind.
Xiaomi renditet në vendin e tretë, me një rënie prej 2 për qind të shitjeve krahasuar me 2024-n, duke shitur 165.4 milionë njësi, që përkthehet në 13 për qind të tregut.
Pas tij vjen Vivo, me 105.3 milionë telefona, 8 për qind pjesëmarrje në treg dhe një rritje vjetore prej 4 për qind.
Oppo mban vendin e pestë, me 100.7 milionë njësi, 8 për qind të tregut, por me një rënie prej 3 për qind krahasuar me vitin 2024.
Transion ishte shumë pranë hyrjes në pesëshen e parë, duke pasur gjithashtu 8 për qind të tregut, ndërsa pasojnë Honor me 6 për qind, Lenovo me 5 për qind, Huawei me 4 për qind dhe Realme me 3 për qind.
Në total, tregu global i telefonave u rrit me 2 për qind në vitin 2025, duke arritur në 1.25 miliardë pajisje të shitura. Rritje u shënua në të gjitha rajonet, përveç Kinës, ku pati një rënie të lehtë për shkak të “efektit më të dobët të skemës shtetërore të subvencioneve”.