Tech

Amazoni shkurton 16.000 vende pune

Amazon

Gjiganti amerikan i teknologjisë, Amazon, ka konfirmuar se do t’i shkurtojë 16.000 vende pune, vetëm disa orë pasi u kishte dërguar punonjësve një email për një valë të re pushimesh nga puna në nivel global, i cili thuhet se ishte dërguar gabimisht.

Emaili, është dërguar vonë të martën dhe i referohet largimit nga puna të një numri të madh punonjësish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Kosta Rica, si pjesë e përpjekjeve për të “forcuar kompaninë”.

Mesazhi thuhet se është shpërndarë gabimisht dhe është tërhequr menjëherë pas dërgimit.

Të mërkurën herët, Amazon njoftoi zyrtarisht për shkurtimet e vendeve të punës, duke thënë se ato janë pjesë e një plani për të “reduktuar burokracinë” brenda kompanisë.

Të martën, një draft-email i shkruar nga Colleen Aubrey, zëvendëspresidente e lartë në Amazon Web Service, ishte përfshirë në një ftesë kalendarike të dërguar nga një asistente ekzekutive për një numër punonjësish të Amazonit.

Titulli i ftesës ishte “Send Project Dawn email”, një referencë e dukshme ndaj emrit të  koduar që Amazon përdor për shkurtimet e vendeve të punës.

Edhe pse emaili e bënte të qartë se në Amazon po ndodhnin pushime nga puna, punonjësit ende nuk ishin të informuar zyrtarisht.

“Kjo është vazhdimësi e punës që kemi bërë për më shumë se një vit për të forcuar kompaninë, duke reduktuar nivelet hierarkike, duke rritur përgjegjësinë dhe duke hequr burokracinë, në mënyrë që të lëvizim më shpejt për klientët”, thuhej  në email.

“Ndryshime të tilla janë të vështira për të gjithë. Këto janë vendime të vështira dhe merren me kujdes, ndërsa pozicionojmë organizatën dhe AWS-në për sukses në të ardhmen”, shtohej më tej.

Sipas një ish-punonjësi të Amazonit, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, shkurtimi i 16.000 vendeve të punës ishte pritur nga punonjësit prej javësh.

Sipas tij, kuptimi i përgjithshëm mes punonjësve kishte qenë se drejtuesit synonin të shkurtonin gjithsej rreth 30.000 pozita pune. Ai vetë ishte larguar nga kompania si pjesë e pushimeve nga puna në tetor.

Kompania pritej të arrinte këtë shifër me një valë tjetër të madhe pushimesh nga puna këtë muaj, e ndjekur nga shkurtimet e mëtejshme deri në fund të majit.

Punonjësit e larguar nga puna ishin ftuar të riaplikonin për pozita të hapura brenda Amazonit, por numri i vendeve të lira ishte i kufizuar. Ata që nuk kalonin në një rol tjetër përfitonin pagesë kompensuese, e cila varej nga kohëzgjatja e punës së tyre në kompani.

Që nga viti 2022, kompani të mëdha të teknologjisë si Amazon, Meta, Googel, Microsoft dhe të tjera kanë shkurtuar fuqinë punëtore, duke larguar nga puna dhjetëra mijëra persona çdo vit.

Në mbarë industrinë e teknologjisë, vlerësohet se rreth 700.000 persona janë larguar nga puna gjatë katër viteve të fundit, sipas platformës Layoffs.fyi, e cila monitoron shkurtimet e vendeve të punës.

Vetëm gjatë këtij viti, kompania Meta, pronare e Facebookut, ka bërë shkurtime të tjera që kanë prekur disa qindra punonjës. Edhe Pinterest ka ndërmarrë masa të ngjashme, duke shkurtuar rreth 700 vende pune këtë javë.