Sporte të tjera

Xhepa i Shqipërisë zë vendin e 34-t në Super-G

Denni Xhepa

Denni Xhepa

Denni Xhepa ishte skitari i parë që u paraqit për Shqipërinë në garat e skijimit aplin në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”.

22-vjeçari e mbylli në vendin e 34-t nga 42 skitarë garën në disiplinën Super-G.

Ai e përfundoi pistën me kohë prej një minutë, 31 sekonda e 72 të qindtat. Ishte 6 sekonda e 40 të qindtat prapa fituesit të medaljes së artë olimpike, zviceranit Franjo Von Allmen.

Në këtë disiplinë mori pjesë edhe skitari shqiptar që përfaqëson Francën, Alban Elezi Cannaferina. Ai e përfundoi lëshimin e tij në vendin e 15-të për një minutë, 26 sekonda e 77 të qindtat.

Xhepa të shtunën do ta ketë garën në sllallom të madh.

Shqipëria përfaqësohet me katër skitarë, ndërsa gjasat më të mëdha për medalje olimpike i ka skitarja e talentuar, 19-vjeçarja Lara Colturi.