Sporte të tjera

Vrapuesit nga Kenia vazhdojnë dominimin në Maratonën e Prishtinës

Maratona e Prishtines - kenianët

Vrapuesi nga Kenia, Shedrack Kiptoo Kimaiyo, e ka fituar sërish Maratonën e Prishtinës.

Pas tij ishin edhe katër vrapues nga Kenia, duke konfirmuar dominimin në Maratonën e Prishtinës, që u organizua të dielën nga Federata Atletike e Kosovës. 

Edhe tri keniase ishin më të mirat në edicionin e 25-të të Maratonës së Prishtinës. 

Kjo garë për kohë të gjatë ishte gjysmëmaratonë, por u shndërrua në maratonë disa vjet më parë.
Tetë vrapuesit kenias janë pjesë e klubit Benedek nga Hungaria.

Kiptoo Kimaiyo e fitoi garën në 42 kilometra e 195 metra me kohë 2 orë, 20 minuta e 33 sekonda. Ai në cak hyri pak sekonda më ngadalë se në edicionin e kaluar. Vjet shtegun e kishte vrapuar për 2 orë, 20 minuta e pesë sekonda.

Benard Kiprotich Too ishte i dyti në “Prishtina 2025” me kohë prej 2 orë, 20 minuta e 41 sekonda, kurse vendin e tretë e zuri Kennedy Kipkemoi Rono me kohë prej 2 orë, 21 minuta e një sekondë. 

Në vendin e katërt ishte Derrick Chege me kohë 2 orë, 22 minuta e dy sekonda, derisa pesëshen më të mirë e  kompletoi Cosmas Kigen me kohë 2 orë, 24 minuta e 55 sekonda. 

I gjashti përfundoi vrapuesi nga Kosova, Erzen Zyberaj. Ai maratonën e përfundoi me kohë prej 2 orë, 40 minuta e 26 sekonda.

Vrapuesja nga Kenia, Chelangat Sang fitoi me kohë prej 2 korë, 35 minuta e 59 sekonda.
Te vrapueset në maratonë janë evidentuara tetë pjesëmarrëse. Sipas rezultateve preliminare,  ishin 71 maratonistë.

Në mesin e tetë më të mirave në maratonë ishte edhe garuesja nga Kosova, Dafina Zylfiu. 
Tirron Mamusha e fitoi garën në 21 kilometra me kohë prej 1 orë, 12 minuta e 46 sekonda. Te vrapueset pozita një dhe dy u takuan keniaseve.

Është garuar edhe në 10 kilometra dhe 5 kilometra. Sipas Komitetit Olimpik të Kosovës pjesëmarrës ishin rreth 1200 vrapues gjithsej. 

Maratona e Prishtinës vlerësohet prej garave kryesore të vitit në atletikë.