Hendbollistët e grupmoshës U19 e kanë përfunduar Kampionatin Botëror në vendin e 24-t, nga 32 përfaqësuese pjesëmarrëse në këtë garë.
Në ndeshjen e fundit, atë për vendin e 23-të në Botërorin që u organizua në Egjipt, Kosova U19 u mposht në penallti nga Bahrejni. Ndeshja ishte e fortë dhe shumë e niveluar, por përfundoi 33:31 me rezultatin e përgjithshëm.
Në pjesën e parë, në të cilën u përjashtua kapiteni Olsi Mulaj, Bahrejni krijoi epërsi prej katër golave.
Në pjesën e dytë, “Dardanët” e rinj u përmirësuan në mbrojtje e sulm, për ta barazuar rezultatin në fund me penalltinë e Suad Pajazitit. Pajaziti ishte i saktë për 29:29.
Më të saktë nga ekzekutimet e penalltive ishin hendbollistët e Bahrejnit që fituan 4:2.
“Sa i përket lojtarëve, jam mjaftë i kënaqur me angazhimin që e kanë bërë në këtë takim, por edhe në këtë kampionat. Edhe pse i kemi humbur pesë ndeshje, kjo për mua nuk është humbje pasi përfundoi baras. Ky është fati. Mendoj se Kosova ka marrë përvojë mjaftë të mirë sa i përket kampionateve”, ka thënë Fatmir Muhaxheri, trajneri i Kosovës U19 për faqen zyrtare të Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Drijon Istrefi e fitoi epitetin e lojtarit më të mirë në ndeshje. Ai i shënoi gjashtë gola. Pajaziti e mbylli ndeshjen me tetë gola, kurse Amar Muqolli realizoi shtatë gola.
Kosova në Grupin B ku ishin edhe Hungaria, Zvicra dhe Maroku, pati një fitore e dy humbje. Më pas në ndeshjet për plasman e mposhti Kuvajtin dhe humbi nga Portugalia e Argjentina.