Sporte të tjera

Sportistët bëhen gati për spektaklin në “San Siro”

Cortina 2026

Foto: Associated Press

Në Cortina d’Ampezzo nuk mund t’i shmangesh faktit se qyteti malor po bëhet gati për Lojërat e dyta Olimpike Dimërore. 

Në Milano, lehtë mund të harrosh se Olimpiada është gati të fillojë. 

Situata në dy qendrat kryesore për lojërat olimpike “Milano Cortina 2026” është krejtësisht e kundërta, ka shkruar “Associated Press” të enjten. 

Cortina, e rrethuar nga dy maja të Dolomiteve, ka pasur të reshura të mëdha të borës, duke e shtuar edhe më shumë ndjenjën e të qenit një vend luksoz malor. Flamujt e kaltër dhe të bardhë, që shkruajnë “Cortina 1956 e 2026”, e kujtojnë edhe herën e parë kur Cortina ishte mikpritëse e Lojërave Olimpike. 

Në Milano nuk bie bor, por shi. Qendra e modës dhe financave ka shumë gjëra që nuk lidhen me Lojërat Olimpike, kështu që nëse del jashtë qendrës së qytetit, rrallë sheh rrathët olimpikë. 
Ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike mbahet në orën 20:00, në stadiumin “San Siro” të Milanos.
Parakalimi fillon me garuesit e Greqisë dhe përfundon me garuesit e nikoqires, Italisë.
Parakalimin do ta bëjnë edhe garuesit e Kosovës dhe Shqipërisë. 

Kosova garon me dy skitarë, Drin Kokaj dhe Kiana Kryeziu, kurse Shqipëria me katër skitarë. Lara Colturi, Lisa Brunga, Semire Dauti dhe Denni Xhepa do ta përfaqësojnë Shqipërinë. Madje Shqipëria vlerësohet pretendente për podium në Lojërat Olimpike Dimërore me Colturin.

“Nuk mendoj se është faji i Milanos. Mendoj se është struktura e Lojërave dhe përpjekja për t’u bërë ekonomik duke e shpërndarë atë në regjione të tjera”, ka thënë Sam Durante, i cili udhëtoi nga Calgary me gruan e tij Melissan, për ta përkrahur vajzën e tyre – portieren e përfaqësueses italiane të hokejit në akull. “Ka kuptim, por nuk ka balancim të Lojërave”. 

Durantes shkoi në “Lojërat Calgary 1988” në qytetin e lidhjes dhe të dy e pranojnë se në aspektin e atmosferës Olimpike, Milano është paksa më i zbehtë. 

“Ishte elektrizuese, sepse të gjitha ngjarjet ishin afër”, tha Sam Durante. “Mendoj se është pak më zbehtë këtu. Mendoj se Milano ka nisur të mësohet me shpirtin olimpik, por nuk është e njëjta atmosferë që e kishin më Calgary”.

Vendet olimpike të Milanos janë në periferi

Çifti ishte duke shikuar në dyqane të mëdha në “Milan Cortina”, që është e vendosur në sheshin kryesor, përballë katedrales madhështore të qytetit. 

Ora që numëron së prapthi është e vendosur në njërën anë të sheshit, ndërsa një pjesë është e zbukuruar me drita të ndryshme, ku secila e përshkruan një sport të ndryshëm olimpik. 

Sheshi është në zemër të bulevardit olimpik, që shtrihet nga stacioni kryesor i trenit deri në zonën e tifozëve. 

Ka pak shenja të Lojërave Olimpike në pjesën tjetër të Milanos, veçanërisht me vendet për hokej mbi akull, patinazh shpejtësie dhe patinazh artistik në periferi të qytetit dhe larg njëra-tjetrës. 

“Ka mungesë të atmosferës”, thotë Faizan Mohammad, 31-vjeçari nga Milano. “Nuk e ndiej për momentin se do të mbahen Lojërat Olimpike, e shoh këtë më shumë si shqetësim për shkak se shumica e rrugëve janë mbyllur. Mendoj se kur të nisë Olimpiada do të bëhet më mirë. Mezi pres për shkak të kësaj. Sepse për momentin shoh më shumë shqetësime. Pastaj shpresoj të shoh pak sport dhe garë, dhe pak lumturi”.

Atmosferë entuziazmi në Cortina

Përderisa çadrat ishin në ajër në Milano për t’u mbrojtur nga shiu dhe pasditja e zymtë, në Cortina çadrat mbaheshin për t’u mbrojtur nga bora e madhe – shto këtu edhe pamjen piktoreske me kishën kryesore në prapavijë. Gjatë momenteve të qetësisë, zogjtë janë lehtësisht të dëgjueshëm nëpër pemë në majë të fshatit, që është i përgatitur plotësisht për të pritur shikuesit. 

Matthew Greiner, qitës amerikan, ka thënë se atmosfera në Cortina është “elektrizuese”. Qitësi tjetër, italiani Leon Felderer, ka thënë se në Cortina “atmosfera është gjithmonë e mirë”, “të gjithë janë të lumtur”. 

Ai ka thënë se ndihet më shumë në shtëpi në male sesa në ndonjë qytet të madh. 

“Jam shumë i lumtur që jemi këtu në Cortina”, ka thënë ai të enjten në Fshatin Olimpik dhe Paralimpik në Cortina. 

Francesca Alberte punon në butikun “Golden Goose”. Ajo ecte nëpër qytet duke i shikuar flamujt e varur nëpër rrugë për Olimpiadë. 

Ajo ka thënë se ndien entuziazëm në Cortina për Olimpiadë, edhe pse e ka një lloj frike. Ndërtimi i vendeve nuk ishte krejtësisht i përfunduar, ndonëse sportistët dhe tifozët kishin arritur. 

“Të gjithë njerëzit janë kaq të emocionuar për këtë ngjarje të madhe”, ka thënë ajo. “Jemi pak të frikësuar për disa gjëra që ende nuk janë gati, por jemi të lumtur për këtë ngjarje”. 

Alberte ka thënë se njerëzit e duan Cortinan për shkak të pamjeve të Dolomiteve, sepse është qytet i vogël që ka çdo gjë. 

Skitarja amerikane e skijimit alpin, Jackie Wiles, ka thënë se ajo e do Cortinan po ashtu. 

“Çfarëdo të ndodhë në garë, kënaqesh duke parë malet në Dolomite. Të ecësh nëpër qytet, sheh se të gjithë kanë të veshur pallto leshi”, thotë ajo. “Kështu që është ndjenjë e mirë të jesh këtu”. 

Në fakt, rruga kryesore e Cortinas është e mbushur me dyqane që shesin Kashmir dhe rroba të shtrenjta, por edhe pajisje skijimi të nivelit të lartë. Në një dyqan, një xhaketë e gjatë e borës për gra kushtonte 750 euro. 700 euro ishte xhaketa për meshkuj. 

Peter Kristen, turist nga Sllovakia, ka blerë suvenire olimpike teksa në Cortina ishte për herë të parë. Ai thotë se Cortina është luksoze dhe se ka parë shumë ndërtime. 

James Reed, një ish-garues në “bobsled”, që tani është fotograf për përfaqësuesen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e ka përshkruar Cortinan si “qytet malor luksoz”, të ngjashëm me Vailin apo Aspenin në Kolorado, teksa ecën afër dyqaneve. 

“Bukuria e skijimit, e maleve, shumë hotele të mira dhe restorante e dyqane”, thotë ai. “Është vend shumë i mirë për t’u vizituar”. 

Duke mbajtur çadër për ta mbrojtur xhaketën e leshtë nga bora, qytetarja e Milanos, Mariella Mariani, ecte përreth Cortinas me burrin e saj për t’i parë përgatitjet për Olimpiadë. Ajo thotë se vendet nikoqire të Olimpiadës nuk janë aspak të ngjashme dhe se nga Lojërat Olimpike do të përfitojnë të gjitha vendet. 

“Është ngjarje shumë e rëndësishme për shtetin tonë”, ka thënë ajo.