Sporte të tjera

Shtatë skuadra kosovare mësojnë kundërshtarët evropianë

Shtatë skuadra kosovare në hendboll mësojnë kundërshtarët evropianë

Si në asnjë sport tjetër, në hendboll plot shtatë skuadra kosovare paraqiten në gara evropiane. Të gjitha paraqiten në Kupën Evropiane, që është niveli i tretë i garave kontinentale, pas Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Shorti për raundet e para është tërhequr të martën në Vjenë. Për shkak se nuk mund të përballen me skuadrat e Serbisë, ekipet kosovare ishin në një mënyrë në qendër të vëmendjes në short.

Te hendbollistet, Kosovën në EHF European Cup e prezantojnë plot katër skuadra. Kampioni dhe fituesi në fuqi i Kupës, Istogu, ishte i vetmi ekip në mesin e bartësve për shortin e raundit të dytë. Dhe Istogu vlerësohet me gjasat më të mëdha për të avancuar në ruandin e tretë. Te hendbollistet gara fillon prej raundit të dytë.

Istogu përballet me skuadrën greke, AEP Panorama. Tri skuadrat e tjera nuk ishin bartëse në short dhe do të kenë punë dukshëm më të vështirë. Ferizaj takohet me skuadrën italiane, Jomi Salerno. Shqiponja e Gjakovës do të luajë me ekipin e njohur zviceran, Yellow Winterthur, ndërsa Samadrexha luan me ekipin e njohur grek, PAOK.

Në raundin e dytë gjithsej paraqiten 50 skuadra. Ndeshjet e para janë në fund të shtatorit, ndërsa të kthimit në fillim të tetorit. Jo rrallë në hendboll skuadrat merren vesh që dy ndeshjet t’i luajnë në një fundjavë, në një vend. Skuadra që pajtohet të luajë si mysafire zakonisht dorëzohet para kohe. 

Te hendbollistët do të garojnë tri skuadra kosovare në Kupën Evropiane. Besa Famgas starton në raundin e parë dhe do të përballet me skuadrën turke, Depsash Enerji. Skuadrën pejane e pret punë e vështirë, marrë për bazë nivelin gjithnjë në ngritje të hendbollit në Turqi.

Prej raundit të dytë startojnë kampioni, Rahoveci, dhe fituesi i Kupës, Kastrioti i Ferizajt.

Rahoveci luan me fituesin e ndeshjeve të raundit të parë mes Dudelanget të Luksemburgut dhe Butelit të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë Kastrioti luan në Luksemburg. Do të përballet me Red Boys Differdange.

Ndeshjet e raundit të parë të Kupës Evropiane për hendbollistë zhvillohen prej 6 deri më 14 shtator.

Ndërkohë ndeshjet e raundit të dytë janë prej 11 deri më 19 tetor.

Skuadrat kosovare të hendbollit ka dy dekada që paraqiten në gara evropiane. Por deri më tani nuk kanë bërë ndonjë avancim të madh. Më së shumti e kanë kaluar nga një kundërshtar evropian.