Sporte të tjera

Shqiptarja Cubaj synon triumfin në Evropianin e basketbollit me Italinë

Lorela Cubaj

Pasi ka arritur në mesin e katër ekipeve më të mira në Evropë pas 30 vjetësh, skuadra italiane e basketbollit po kërkon një tjetër sukses në Kampionatin Evropian. Të premten në Athinë, nga ora 19:30 Italia do të përballet me kampionen në fuqi, Belgjikën, në ndeshjen që vlen për një vend në finale.

Italia rikthehet të luajë një gjysmëfinale të Kampionatit Evropian 30 vjet pas medaljes së argjendtë të fituar në Brno të Çekisë.

Suksesi në çerekfinale kundër Turqisë ia ka garantuar gjithashtu Italisë pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026.

Për arritjen e deritashme të Italisë, protagoniste ishte shqiptarja Lorela Cubaj. Basketbollistja 26-vjeçare, e rritur në ekipin e Pink Basket Terni, ishte vendimtare në ndeshjen të cilën Italia e fitoi të martën ndaj Turqisë. Ajo shënoi gjashtë pikë radhazi në vazhdime, ndërsa në total shënoi 16 pikë.

Ajo në një intervistë për Corriere dello Sport thotë se do të mundohet ta ndihmojë Italinë të kualifikohet në finale.

“Kushdo që e meriton më shumë do të shkojë në finale. Kështu është për ne, kështu është për kundërshtarët tanë. Nuk kemi ndërmend të ndalemi, edhe pse e dimë se do të jetë një ndeshje shumë e vështirë kundër një skuadre plot talente”, ka thënë Cubaj.

Por ku ke Cubajn në ekip, pritjet janë të mëdha.

“Do të mundohem të jap gjithçka nga vetja. Kësaj radhe do të mundohem të jem e përfshirë edhe më shumë në sulm. Por pa përfshirjen e plotë të shoqeve të skuadrës, nuk do t’i kisha arritur ato shifra kundër Turqisë. Unë jam në shërbim të ekipit”, ka theksuar ajo.

Cubaj nuk ishte e lindur kur për herë të fundit skuadra italiane e basketbollit luajti në gjysmëfinalen e një Kampionati Evropian.

“Po, unë kam lindur në vitin 1999 dhe kanë kaluar 30 vjet që nga medalja e argjendtë në Brno. Shumë gjatë”, ka shtuar Cubaj.

Ajo është e lumtur për vlerësimin që ka marrë nga bashkëlojtaret, trajnerët.

“Të merrem si shembull më mbush me gëzim, por mbi të gjitha më bën me përgjegjësi më të madhe. Fillova të luaja në Terni, ku linda, dhe më pas pata fatin të udhëtoja nëpër botë për t’u bërë lojtare e këtij sporti. Të gjitha sakrificat ia kanë vlejtur, madje edhe disa pengesa, sepse asgjë nuk jepet falas. Gratë e reja duhet të jenë në gjendje të ndjekin ëndrrat e tyre dhe t’i bëjnë ato realitet. Ashtu si ne në këtë Kampionat Evropian”, ka thënë Cubaj.

Cubaj në katër ndeshje ka mesatare prej 10,8 pikëve, 6,5 kërcimeve dhe 2,5 asistimeve.

Gjysmëfinalja tjetër e planifikuar të zhvillohet nga ora 16:30 është ndërmjet Spanjës dhe Francës.