Kosova U19 i fitoi të tria miqësoret e zhvilluara në Slloveni ndaj Kuvajtit. Hendbollistët e rinj të Kosovës, më 29 korrik e patën miqësoren e fundit dhe me sukses e mbyllën atë. Fituan 26:24. Fitore realizuan edhe të premten e të dielën e kaluar. Përgatitjet e bëra përgjatë këtyre ditëve në qytetin Velenje të Sllovenisë, u kanë dhënë atyre shpresë e motiv për paraqitje sa më të mirë në Kampionatin Botëror të kësaj grupmoshe që organizohet në Egjipt.
Botërori në Egjipt nis më 6 gusht, dhe mbaron më 17 gusht. Do të jetë Botërori i parë i organizuar nga Federata e Hendbollit e Egjiptit, ndërsa në përgjithësi është Botërori i 11-të. Spanja është kampione në fuqi.
Kosova, që është në mesin e 32 përfaqësueseve, do të bëj gara në Grupin B, ku janë edhe Hungaria, Zvicra dhe Maroku. Ndeshjen e parë, Kosova e luan më 6 gusht ndaj Zvicrës. Më 8 gusht ballafaqohet me Hungarinë, ndërsa më 9 gusht me Marokun. Dy përfaqësueset e para nga tetë grupe sa janë gjithsej, avancojnë në raundin kryesor, ndërsa vendi i tretë e i katërt luajnë për plasman.
Selektori Fatmir Muhaxheri ka qenë shumë i kënaqur me punën që është bërë. Ai ka theksuar se forma e hendbollistëve është e lartë.
Ata e dinë se i presin ndeshje të vështira para, por janë optimist për të paktën dy fitore në grup.
“Jam shumë i kënaqur që do të luajë për shtetin tim, për Kosovën. Të gjitha përgatitjet janë duke shkuar shumë mirë. Stërvitjet janë shumë të mira. Tani po i presim ndeshjet. Shpresojmë që t’i fitojmë ndeshjet që i kemi. Pres të paktën dy fitore. Grupi është shumë i fortë. Ne do të japim 100 për qind, shpresoj në suksese”, ka deklaruar Bleron Imeraj.
Dy fitore në grup pret edhe aloja Ilir Istrefaj.
“Personalisht jam shumë i kënaqur me lojtarët që jemi këtu, kemi kaluar mirë, sidomos në Slloveni ku kemi luajtur tri ndeshje bashkë. Kemi kaluar mirë, kemi fituar. Jemi gati. Synimi është vendi i parë apo i dytë në grup. Synojmë disa fitore. Me Zvicrën dhe Hungarinë kemi synim fitoren”, theksoi Istrefaj.
Kosova U19 synon që ta kalojë grupin, ndonëse vlerësohet e vështirë. Turneun e Botërorit në Egjipt, Kosova U19 e siguroi falë triumfit në IHF Trophy. Kosova U19 e fitoi fazën evropiane të IHF Trophy e më pas edhe atë ndërkontinentale.
Kosova U19 në fazën grupore kishte fituar ndaj Nigerisë e Kaledonisë së Re. Në gjysmëfinale triumfoi ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa Nigerinë e mposhti edhe në finale 34:30.
IHF Trophy ka për qëllim zhvillimin e hendbollit dhe ofron biletën për ngjarjen globale.
Kjo është hera e tretë që ekipet përfaqësuese të Kosovës në hendboll paraqiten në Botëror. Fillimisht u paraqit grupmosha U21 e hendbollistëve në Spanjë, e më pas edhe ajo U18 e hendbollisteve në Kinë. Edhe ato kualifikime në ngjarjen globale u arritën përmes IHF Trophy.
Në Botërorin në Egjipt, 17 përfaqësuese do të jenë nga Evropa, pesë nga Afrika, pesë përfaqësuese janë nga Azia, tri nga Konfederata Jugore dhe Qendrore e Amerikës dhe një nga Konfederata e Hendbollit të Amerikës së Veriut dhe Karaibeve.