Sporte të tjera

Në volejboll Kosova nuk e rivalizoi fare Rumaninë

volej

Përballjet e Dritës së Gjilanit me FCSB-në në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës kanë kthyer në skenë rivalitetin e Kosovës me Rumaninë në futboll.

Në një sport tjetër, në volejboll, Kosova e Rumania u përballën të shtunën mbrëma në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian në konkurrencë të femrave. Dhe Kosova nuk ia doli të rivalizojë fare Rumaninë.

Rumunet fituan 3:0 në sete në ndeshjen e zhvilluar në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj. Rumania e fitoi setin e parë me rezultat 25:12. Seti i dytë ishte pak më i përafërt, 25:20 për Rumaninë. Ndërkohë në setin e tretë lojtarët e Kosovës i morën vetëm 16 pikë.

Dhuratë Sylejmani i fitoi 17 pikë, më së shumti në ndeshje. Por që nuk ishin të mjaftueshme për të shmangur humbjen e thellë.

Kosova i ka humbur tri ndeshjet e deritashme dhe është pa gjasa për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm.

Fillimisht pësoi më 17 gusht të vitit të kaluar nga Kroacia në Gjilan me 3:0 në sete. Më pas volejbollistet kosovare pësuan po me 3:0 në sete në udhëtim në Rumani, më 29 gusht të vitit të kaluar. Ndeshjen e fundit volejbollistet kosovare në këtë cikël kualifikues e kanë më 9 gusht ndaj Kroacisë në Osijek. Gjasat për të shmangur disfatën nuk vlerësohen të mëdha.

“Kosova, që është ende në kërkim të fitores së parë, po përfiton përvojë të vlefshme ndërkombëtare në këtë garë dhe po fiton lavdata për angazhimin dhe rritjen e vazhdueshme”, ka shkruar Federata e Volejbollit e Kosovës.

Me fitore, Rumania është kualifikuar në Kampionatin Evropian. Bie në sy që federata rumune e ka shkruar “Urosevac” e jo Ferizaj vendin ku u zhvillua ndeshja. Ferizaj është quajtur dhe quhet “Uroshevac” nga serbët.

Kosova paraqitet në kualifikimet për “EuroVolley” edhe me volejbollistë. Më 9 gusht në “Bill Clinton” në Ferizaj është ndeshja me Sllovakinë. Më 16 gusht, volejbollistët e Kosovës luajnë në Riga ndaj Letonisë në ndeshjen përmbyllëse të këtij cikli. Kosova i ka humbur 3:0 në sete dy ndeshjet e para.