(ESPN) – Me shkatërrimin madhështor në raundin e pestë që ia bëri Daniel Duboisit të shtunën mbrëma, Oleksandr Usyk dha prova tjera bindëse pse ai duhet të konsiderohet boksieri më i mirë i kategorisë së rëndë që nga Lennox Lewisi.
Goditja me të majtën që e la Duboisin të rrëzuar para 90 mijë shikuesve në stadiumin “Wembley” në Londër, ishte gjë e bukur e cila vulosi në mënyrë të përkryer mbretërimin e dytë të ukrainasit Usyk si kampion i padiskutueshëm i botës në kategorinë e rëndë të boksit profesionist. Usyku e rrëzoi britanikun Dubois edhe më herët në raundin e pestë me një goditje me të djathtën, në një paraqitje plot shkëlqim në ringun e vendosur në stadiumin ikonik.
Usyku tani ka 25 fitore, prej tyre 14 me ndërprerje. Përderisa 38-vjeçari nuk humb ndeshjen e tretë të mundshme me Tyson Furyn në prill të vitit 2026, apo një luftë për titull më vonë këtë vit, ndoshta kundër Joseph Parkerit, ai do të mbetet në histori se boksieri më i mirë i kategorisë së rëndë në dy dekadat e fundit. Po ashtu Usyk mund të konsiderohet kampioni më i mirë i kategorisë kruzer për tri dekada, që kur boksierë si Dwight Muhammed Qawi dhe Evander Holyfield sunduan në mesin e viteve 198-ta.
Usyku ishte kampioni i parë i padiskutueshëm në kategorinë kruzer. E dominoi këtë kategori nga viti 2016 deri në vitin 2018, para se të kalonte në kategorinë e rëndë. Ai tani ka mbrojtur tituj në kategorinë e rëndë pesë herë rresht, ndaj kundërshtarëve të nivelit të lartë. Ka mposhtur ish-kampionë dhe kampionë aktualë.
Arritjet e Usykut në kategorinë e rëndë kanë tejkaluar sukseset e tij në kategorinë kruzer. Ai ka mposhtur nga dy herë më të mirët e kësaj epoke, Tyson Furyn, Anthony Joshuan dhe Daniel Duboisin. Dhe kështu ka përfunduar çdo debat se kush është më i miri i kohës.
Dubois ishte ankuar se kishte dhënë një grusht të fortë në trupin e ukrainasit, në përballjen e tyre të parë, dy vjet më herët. Por (me të drejtë) ajo u konsiderua si goditje nën brez. Usyku e kishte mposhtur britanikun me grushte të forta në pjesën tjetër të meçit, për një nokaut teknik në raundin e nëntë. Dhe në meçin e dytë, të shtunën mbrëma, fitorja ishte edhe më bindëse.
Parker 33-vjeçar, duket që do të jetë sfidues i detyrueshëm i Usykut para Furyt, për titullin në versionin WBO.
“WBO thotë se ai duhet të përballet me Joseph Parkerin në meçin e radhës, kështu që kjo do të jetë ndeshja”, ka thënë promotori Frank Warren.
Është e vështirë të parashikohet se si një Parker i ringjallur, i cili është në formën më të mirë të jetës së tij, mund ta kërcënojë trashëgiminë e Usykut.
Parker ka pasur disa fitore impresive në dy vjetët e fundit. Por mençuria e Usykut në ring, lëvizjet dhe aftësitë e tij, janë tjetër nivel në krahasim me Parkerin dhe të tjerët.
Fury dhe Joshua ishin kampionë të botës në dy periudha të ndryshme. Ata kishin fitore të mira ndaj Wladimir Klitschkos. Fury po ashtu e ndali dy herë grushtuesin e rrezikshëm, Deontay Wilder në ndeshjet për titull të botës.
Por bilanci i përkryer i Usykut, me 13 fitore në luftërat për titull të botës si dhe një medalje të artë olimpike në vitin 2012, është i pakrahasueshëm. Bashkëkombësit e Usykut, Vitali dhe Wladimir Klitschko, me gjatësinë e tyre superiore, mund t’i kishin bërë gjërat të vështira për kampionin aktual.
Vëllezërit Klitschko kanë dominuar kategorinë e rëndë për shumë vjet dhe kishin shifra më të mira se që ka Usyk momentalisht. Por Usyku ka mposhtur emra më të mëdhenj të boksit në karrierë dhe tashmë për herë të tretë i ka në pronësi të gjithë titujt e mëdhenj. Për herë të dytë këtë e ka arritur në kategorinë e rëndë.
Usyku u bë kampioni i parë i padiskutueshëm i botës në kategorinë e rëndë që kur këtë e kishte arritur Lennox Lewisi. Britaniku Lewis mundi po ashtu legjenda të boksit si Holyfield, Mike Tyson dhe Klitschko gjatë tri periudhave si kampion. I kishte 17 fitore, dy humbje dhe një barazim në meçet për titull të botës në kategorinë e rëndë.
Ashtu si Vitali, Wladimir dhe Lewis, Usyku nisi karrierën profesionale pas triumfit në Lojërat Olimpike.
Ndonëse tha se në moshën 38-vjeçare është vetëm fillimi për të, Usyku ngadalë po i afrohet fundit të karrierës. Por trashëgimia e tij është e jashtëzakonshme. Nuk krahasohet me të asnjë boksieri tjetër që nga koha e Lennox Lewisit.