Sporte të tjera

Legjenda Pacquiao kthehet, por nuk e fiton titullin e kampionit

Manny Pacquiao

Më shumë se 24 vjet pasi bëri debutimin në SHBA, legjenda e boksit, Manny Pacquiao u përpoq të bënte histori si luftëtari më i vjetër që fiton titullin e botës në kategorinë uelter. Këtë e synoi në “MGM Grand Garden Arena” në Las Vegas, ku filipinasi e kishte zhvilluar meçin e parë në SHBA.

Por 46-vjeçari Pacquiao dështoi në përpjekjen e tij. Meçi i së shtunës me kampionin e botës në versionin WBC, Mario Barrios, përfundoi në barazim.

Barrios e mbajti titullin, ndërsa Pacquiao u largua “duarbosh” nga Las Vegasi.

“Kam menduar se e kam fituar ndeshje”, tha Pacquiao i dëshpëruar. “Ishte një ndeshje e përafërt. Ai është shumë i fortë”.

Pacquiao ishte në epërsi deri në raundin e dhjetë. Por të tre gjyqtarët vlerësuan se Barrios ishte më i mirë në tri raundet e fundit, duke i mundësuar atij që të mbajë titullin.

Pacquiao ishte pensionuar katër vjet më parë, por vendosi të kthehej. Nisi furishëm ndaj Barriosit, që është 16 vjet më i ri se ai.

Pacquiao është i vetmi boksier me tituj të kampionit të botës në tetë divizione të ndryshme.

Pacquiao tani i ka 62 fitore, tetë humbje dhe tri barazime në karrierë. Ai ka njoftuar se do të boksojë sërish, ndërsa një rimeç me Barriosin është i mundur.