Kosova U19 e ka shënuar të shtunën fitoren e parë në Kampionatin Botëror të hendbollit në Egjipt. Kosova fitoi bindshëm ndaj Marokut, 32:22. Fillimisht i humbi dy ndeshjet e para në fazën e parë grupore, nga Zvicra dhe nga Hungaria.
Kosova U19 prej të martës garon në fazën e dytë grupit. Është pjesë e përfaqësueseve që luftojnë për plasman sa më të mirë, përkatësisht për renditje prej pozitës së 17-të deri në pozitën e 32-të.
Për fazën e dytë, Kosovës i bartën dy pikët e fituara ndaj Marokut. Tani do të takohet me Kuvajtin dhe Portugalinë. Varësisht nga pozita, do të luftojë për plasman përfundimtar. Nëse mposht të dy përfaqësueset luan për plasman prej vendit të 17-të deri në vendin e 20-të. Nëse pëson një humbje luan për renditje prej 21 deri në 24.
Me Kuvajtin, të cilin e mposhti në tri miqësore para Botërorit, Kosova U19 luan të martën prej orës 14:00.
Të mërkurën prej orës 11:15 është ndeshja me Portugalinë. Dy ndeshjet përfundimtare të hendbollistëve të rinj janë të enjten e të premten.
Suad Pajaziti është njëri prej lojtarëve që po dallohet te Kosova. Ai u pajis me pasaportë të Kosovës vetëm pak ditë para Botërorit. Po luan për herë të parë me përfaqësuese. Pajaziti bën karrierë në Gjermani.
“Jam shumë krenar me paraqitjen e ekipit tonë dhe që fituam. Dua të falënderoj të gjithë përgjegjësit që më mundësuan të luaj për Kosovën. Është nder i madh për mua. Shumë falënderime për federatën dhe për trajnerët për besimin e tyre. Jam shumë i lumtur me paraqitjet tona dhe pres të tjera fitore në vazhdim. Besoj se paraqitjet do të jenë gjithnjë e më të mira”, ka thënë Pajaziti për sajtin zyrtar të FHK-së.
Është kjo pjesëmarrja e tretë e Kosovës në Kampionate Botërore në sportet ekipore. Edhe dy pjesëmarrjet e kaluara ishin në hendboll. Fillimisht Kosova garoi në Botërorin U21 në Spanjë e më pas në Botërorin U18 të hendbollisteve në Kinë.
Në Spanjë, Kosova ishte e 23-ta prej 24 përfaqësueseve. E la prapa vetëm Australinë. Në Kinë, Kosova U18 (vajzat) ishte e 23-ta prej 32 përfaqësueseve.