Hendbollistët e grupmoshës U19 të Kosovës e kanë nisur me humbje Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Egjipt.
Kosova U19 të mërkurën në mbrëmje pësoi disfatë me rezultatin 35:25 nga Zvicra, në ndeshjen që i takoi Grupit B.
Pjesa e parë ishte e niveluar, por në fundin e kësaj pjesëloje, helvetikët u shkëputën në tri gola, 16:13.
Zvicra U19 e mbajti epërsinë në tërë pjesën e dytë dhe në fund fitoi me dhjetë gola dallim.
Olsi Mulaj ishte më i dalluari te “Dardanët” e rinj me tetë gola.
Nga pesë gola i shënuan Bleron Imeraj e Suad Pajaziti, ndërsa Amar Muqolli kontribuoi me katër gola, por të pamjaftueshme për ta shmangur disfatën.
Ndeshjen e radhës ndaj Hungarisë, Kosova e luan të premten nga ora 16:15.
Hungaria e fitoi ballafaqimin e parë ndaj Marokut, 45:20.