Volejbollistët e Kosovës i kanë humbur dy ndeshjet e para të Grupit G kualifikues për Kampionatin Evropian që organizohet vitin e ardhshëm. Më 17 gusht të vitit të kaluar, Kosova u mposht nga Letonia në palestrën sportive “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan. Me të njëjtin rezultat, 3:0 në sete, Kosova u mposht edhe nga Sllovakia më 28 gusht në Nitra. Sllovakia do të jetë kundërshtarja e radhës për Kosovën të shtunën. Ndeshja zhvillohet në Pallatin e Sporteve “Bill Klinton” në Ferizaj nga ora 20:30. Te Kosova ka pasur ndryshime sa i përket udhëheqësit të përfaqësueses. Selektori nga Mali i Zi, Darko Prebiraçeviq, do të jetë në krye të “Dardanëve”. Ai e mori drejtimin e përfaqësueses më 17 korrik të këtij viti, duke e zëvendësuar përzgjedhësin çek, Martin Nemec. Selektori i ri i Kosovës ishte ndihmës i selektorit te Mali i Zi, ndërsa i ka drejtuar edhe grupmoshat e reja. Ka pasur suksese edhe në nivel klubesh. Tani synon suksese te Kosova.
Te skuadra sllovake, kapiten do të jetë Jakub Ihnat. Ai do ta zhvillojë paraqitjen e 80-të me përfaqësuesen sllovake, ndërsa për faqen zyrtare të Federatës së Volejbollit të Sllovakisë, ka folur për duelin ndaj Kosovës.
“Ne duhet të bëjmë sa më pak gabime për ta mbajtur Kosovën jashtë lojës. Njësoj si para ndeshjes së parë, ideale do të ishte që të fitojmë 3:0 dhe të mos i lejojmë ata të shënojnë shumë pikë”, ka deklaruar Ihnat me përvojë.
Letonia i prin grupit me gjashtë pikë, pas dy fitoreve në po aq ndeshje të luajtura. Sllovakia e ka një fitore e një humbje në vendin e dytë, me tri pikë.
Kosova është e fundit pa pikë pas dy ndeshjeve.
Pas duelit me Sllovakinë, Kosova më 16 gusht luan në udhëtim te Letonia, në ndeshjen e fundit të grupit.
Kampionati Evropian 2026 do të jetë edicioni i 34-t te volejbollistët dhe vetëm për herën e katërt do të organizohet në katër shtete, Bullgari, Finlandë, Itali dhe Rumani.