Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll është pjesë e grupit më të fortë të fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm. Përfaqësuesja e Ishujve Faroe udhëheq në grup me pesë pikë. Nga katër i kanë Ukraina e Holanda, ndërsa Kosova është e fundit me tri pikë.
Pikërisht me Ishujt Faroe përballet Kosova në xhiron e parafundit. Ndeshja zhvillohet të entjen prej orës 20:15 në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Për të shpresuar në kualifikim, Kosovës i duhet fitorja.
Në fakt kualifikimi sigurohet me fitore ndaj Ishujve Faroe, me kusht që Ukraina t’i humbë ndeshjet me Holandën dhe më pas me Ishujt Faroe. Në rast të fitores së Ukrainës në njërën prej ndeshjeve, Kosovës do t’i duhen pikët në ndeshjen e fundit, që e ka ndaj Holandës në udhëtim, të dielën. Suksesi në Holandë vlerësohet pak i mundshëm.
Kombinimet janë të shumta, por është e qartë që për të shpresuar në sukses, Kosovës i duhet fitorja të enjten ndaj Ishujve Faroe.
Nuk do të jetë lehtë. Ishujt Faroe kanë bërë ngritje të madhe në vitet e fundit. Janë kualifikuar në Evropianin e vitit 2024, ndërsa kjo përfaqësuese ka një gjeneratë të re shumë të talentuar. Dy prej lojtarëve të Ishujve janë në Bundesligë. Ylli më i madh është Elias Ellefsen Skipagotu, që vlerësohet “truri” i përfaqësueses.
Më 6 nëntor në Torshavn, Ishujt Faroe kishin fituar ndaj Kosovës me rezultatin bindës, 32:21. Së fundi përfaqësuesja e Ishujve Faroe fitoi 32:31 në udhëtim ndaj Holandës.
“Besoj se ne bëjmë lojë të mirë në vendin tonë. Siç kemi luajtur ndaj Ukrainës dhe ndaj Holandës, duhet të luajmë njëjtë dhe besoj se do të kemi rezultat të mirë”, ka thënë kapiteni i Kosovës, Valon Dedaj.
Ai e organizon lojën e përfaqësueses.
Për dallim nga Ishujt Faroe, Kosova nuk ka lojtarë që paraqiten në nivelin më të lartë evropian.
“E dimë që shumica e lojtarëve të Ishujve Faroe luajnë në Gjermani apo Danimarkë. Sulmin shtatë kundër gjashtë e luajnë shumë mirë, nuk bëjnë shumë gabime. Ne duhet të fokusohemi shumë në mbrojtje, të luajmë mirë në sulm, t’i shënojmë golat qysh duhet dhe besoj se do të fitojmë ndaj Ishuve Faroe”, ka shtuar Dedaj, që pret përkrahjen e tifozëve për të kaluar me sukses këtë ndeshje.
Selektori Bujar Qerimi është i kënaqur me gjendjen e ekipit, të cilën e ka vlerësuar “jashtëzakonisht të mirë”. Edhe Qerimi ka kërkuar sukses në lojën shtatë kundër gjashtë të kundërshtarit.
“Është problematike me Ishujt Faroe, për shkak se kjo përfaqësuese për 60 minuta luan shtatë kundër gjashtë. Mirëpo jemi duke punuar që të gjejmë zgjidhjet për kundërshtarin në fazën e mbrojtjes. E kemi edhe fuqinë tonë në sulm për të gjetur zgjidhjet sa më të mira”, ka thënë Qerimi.
Dy përfaqësueset më të mira nga të gjitha tetë grupet kualifikohen në Evropian. Kualifikohen po ashtu katër përfaqësueset më të mira të vendit të tretë nga tetë grupet sa janë gjithsej. Prej vendit të tretë edhe e kërkon Kosova rastin.
Kampionati Evropian mbahet prej 15 janarit deri më 1 shkurt në Danimarkë, Norvegji e Suedi. Kosova ende nuk është kualifikuar në ndonjë ngjarje të madhe me përfaqësuesen e të rriturve. Ky sukses nuk është arritur as në sportet e tjera ekipore.