Sporte të tjera

Kosova i mbyll kualifikimet me humbje

Kosova hendboll

Hendbollistët e Kosovës i kanë mbyllur me humbje kualifikimet për në Kampionatin Evropian.

Të dielën mbrëma në ‘s-Hertogenbosch, Kosova pësoi disfatë me pesë gola dallim ndaj përfaqësueses së Holandës, 34:29.

“Dardanët” e mbyllën kampanjën kualifikuese për “Euro 2026” me tri pikë. E patën një barazim 33:33 me Holandën në Prishtinë dhe një fitore 31:30 ndaj Ukrainës.

Grupin e fituan Ishujt Faroe me nëntë pikë, ndërsa Holanda e dyta pati tetë pikë. Ukraina me katër pikë përfundoi e treta.

Pas disfatës 25:23 nga Ishujt Faroe të enjten mbrëma në Prishtinë, gjasat për avancim në turneun final që organizohet në fillim të vitit të ardhshëm në Danimarkë, Norvegji e Suedi, ishin fare të vogla.

Në fillim të takimit, Kosova pati lojë të mirë duke krijuar edhe dy gola epërsi. Pas 23 minutash rezultati ishte i barabartë, 11:11.

Por, prej atij momenti, holandezët dolën para dhe nuk e rrezikuan më fitoren.

Pjesa e parë u mbyll me pesë gola dallim për vendësit, 16:11.

Portieri holandez Bart Ravensbergen pati disa pritje të mira në këtë pjesëlojë.

Kosova u afrua në pjesën e dytë edhe në tri gola, 18:15.

Por hendbollistët e udhëhequr nga selektori Bujar Qerimi, nuk e patën forcën të bënin diçka më shumë.

Holanda reagoi me mbrojtje të fortë e sulm efikas, duke krijuar epërsi prej tetë golave pas 52 minutash, 29:21.

Deri në fund nuk lejoi befasi dhe e regjistroi fitoren e tretë në grup, krahas dy barazimeve e një disfate.

Leonard Gegaj ishte më i dalluari te Kosova me tetë gola. Gjashtë gola i kishte kapiteni Valon Dedaj, ndërsa Drilon Tahirukaj shënoi pesë gola.

Me nga tri gola ndeshjen e mbyllën Luigj Quni dhe Egzon Gjuka. Drenit Tahirukaj i shënoi dy gola, ndërsa nga një gol realizuan Olsi Mulaj dhe Lulzin Shabani.

Portieri Haris Berisha i kishte shtatë spritje.

Te skuadra e Holandës, kontributin më të madh në fitore e pati Rutger ten Velde që i shënoi 12 gola në 15 tentime. Nga katër gola realizuan Ivar Stavast dhe Dani Baijens. Ndërkohë portieri Ravensbergen u shqua me 14 pritje nga 35 gjuajtje.

Kosova në këtë ndeshje pati mungesa të shumta. Për shkak të lëndimeve nuk luajtën Bujar Ramosaj, Rron Ramadani, Kastriot Jupa, Shaban Zogaj e Lionel Mirdita.

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll, ashtu si në sportet e tjera ekipore, nuk ka arritur që të kualifikohet për ndonjë ngjarje madhore.