Sporte të tjera

Kosova e gatshme për avancim në rundin e dytë kualifikues të Botërorit

Kosova, hendboll

Hendbollistët e Kosovës regjistruan fitore 32:26 të mërkurën mbrëma në Derby ndaj Britanisë së Madhe. Një tjetër rezultat pozitiv në ndeshjen kthyese do të bënte që Kosova ta sigurojë avancimin në fazën e dytë kualifikuese për Kupën e Botës 2027. Kosova shfaqi lojë të mirë në udhëtim, por përzgjedhësi i Kosovës Jesper Ostlund, tha pas ndeshjes se kërkon edhe më shumë.

Kërkesat e selektorit suedez, portieri Haris Berisha thotë se do të mundohen t’i plotësojnë në përpikëri për të kaluar në raundin e dytë kualifikues. Ai ka shpresë se një gjë të tillë mund ta arrijnë. Ka kërkuar edhe ndihmën e publikut.

Ndeshja kthyese Kosova – Britania e Madhe luhet të dielën nga ora 17:15, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

“Pas fitores në Britani të Madhe shpresojmë që të njëjtën gjë ta bëjmë edhe në Prishtinë. Do të mundohemi në përmirësimin e lojës, me gjitha kërkesat e reja të selektorit dhe në fund, nëse gjithçka do të jetë në favorin tonë, të festojmë së bashku me tifozët tanë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve”, ka deklaruar të shtunën për KOHËN portieri Haris Berisha.

Berisha ishte prej më të mirëve te Kosova të mërkurën duke bërë 19 pritje nga 44 gjuajtje në drejtim të portës së tij. Leonard Gegaj ishte më i miri me nëntë gola, ndërsa gjashtë gola në atë ballafaqim i shënoi Olsi Mulaj. 

Portieri Berisha e di se edhe në Prishtinë duhet paraqitje e mirë, ndërsa ka treguar se cilat kanë qenë kërkesat e selektorit Ostlund. Grupit për ndeshjen ndaj Britanisë së Madhe u janë bashkuar edhe Bujar Ramosaj e Festim Mustafa.

“Selektori ka kërkuar që të kemi lojë më të shpejtë, si në fazën ofensive ashtu edhe në kundërsulme. Ka kërkuar përmirësime edhe në mbrojtje, në mënyrë që ta shfaqim shpirtin luftarak, ashtu siç e kemi bërë edhe më parë”, theksoi Berisha.

Për selektorin Jesper Ostlund, fitorja në Derby ishte e para në krye të “Dardanëve”. Përzgjedhësi i parë i huaj i Kosovës në hendboll, që e zëvendësoi Bujar Qerimin, nisi punën në fillimin e muajit shtator dhe tani synon të ketë suksese të cilat nuk i kanë arritur selektorët e mëparshëm. Kosova disa herë u është afruar ngjarjeve të mëdha, por pa arritur që të kualifikohet.

Nëse Kosova e kalon Britaninë e Madhe avancon në fazën e dytë kualifikuese. Ndeshjet e atij raundi kualifikues zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm. Faza finale e kualifikimeve luhet në maj të vitit 2026.

Turneu final i Kampionatit Botëror 2027 do të organizohet në Gjermani. Në total do të jenë 32 përfaqësuese pjesëmarrëse në edicionin e 30-të të Kampionatit Botëror.