Sporte të tjera

Karriera impresive e 45-vjeçares Lunde

Katrine Lundes

Kapitenia Henny Reistad i ka kërkuar Katrine Lundes t’i bashkohet në skenë kur Norvegjisë iu dorëzua trofeu i kampionit të botës, pas fitores 23:20 ndaj Gjermanisë në finalen e së dielës.

Ishte veprim modest, por me simbolikë të madhe. Për të gjithë ishte e qartë që Lunde meriton qendrën e vëmendjes, meriton të jetë e para që mban trofeun e madh dhe të festojë një tjetër sukses të Norvegjisë.

Këtë herë ishte më ndryshe. Ishte hera e fundit që Lunde fitoi trofe me përfaqësuesen e Norvegjisë në hendboll.

Lunde vlerësohet portierja më e mirë e hendbollit në histori. Për shumë njohës të hendbollit, edhe lojtarja më e mirë më histori, apo të paktën më e suksesshmja. 

Ajo fitoi medaljen e artë olimpike tri herë, në “Pekini 2008”, “Londra 2012” dhe “Parisi 2024”. Tani Lunde është edhe tri herë kampione e botës. Ka edhe shtatë tituj të Evropës dhe po ashtu është rekordmene për më së shumti trofe të Ligës së Kampionëve – shtatë.

Në Botërorin që përfundoi të dielën, ajo kishte paraqitje impresive. I bëri 86 pritje, përkatësisht i ndali 47.2 për qind të gjuajtjeve që shkuan në portën e saj. Dhe Lunde është 45-vjeçare. Ajo luajti për herë të fundit për Norvegjinë.

“Jam e lodhur, jam e lodhur. Kur ndeshja përfundon dhe e merr medaljen, ju humbni sërish energji. Është moment krenarie”, ka thënë Lunde pas finales.

Pasi ndeshja përfundoi dhe festa nisi, Lunde edhe një herë ishte në qendër të vëmendjes, si shumë herë gjatë karrierës impresive. Në podium ajo ndau momentin emocional me pivoten Maren Aardahl dhe bekun e djathtë, Nora Mork. Derisa ishte në lot, Lunde është përqafuar nga dy lojtaret e tjera të Norvegjisë. Edhe Aardahl e Mork kanë karrierë impresive, ndërsa janë krenare që luajtën në epokën e Lundes.

Lunde ka shënuar periudhën më të suksesshme të Norvegjisë. Prej kur debutoi në vitin 2002, 45-vjeçarja ka fituar 21 medalje, duke përfshirë 13 të arta. Ajo tërhiqet nga përfaqësuesja pas 388 ndeshjeve me Norvegjinë, që është shifra bindshëm më e lartë. Ka luajtur në dhjetë kampionate botërore. 

Dhe për herë të fundit si reprezentuese,  Lunde ka dëgjuar himnin e Norvegjisë. Jo një herë, por dy herë. Fillimisht pa nisur ndeshja e më pas në podium, me trofeun e kampionit përkrah.

“Gjatë himnit mendon shumë gjëra. Mendoni për gjërat që njerëzit kanë sakrifikuar për ju. Është gjë e mirë”, ka thënë portierja ikonike. 

Në finale ndaj Gjermanisë ajo kishte plot 14 pritje. Luajti gjithë ndeshjen dhe i ofroi Norvegjisë shpresë e motivim. E në fund edhe titullin e pestë të botës.