Hendbollistët e Kastriotit të Ferizajt i janë bashkuar në finale të plejofit skuadrës së Rahovecit.
Kastrioti të enjten mbrëma në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj e fitoi 31:27 ndeshjen e tretë të gjysmëfinales ndaj Besa Famgasit dhe ka avancuar tutje pas rezultatit 2:1.
Ndeshja ishte e fortë dhe e tensionuar në disa momente, por që kaloi pa ndonjë incident.
Në finale të plejofit, fituesi i Kupës së Kosovës për këtë edicion, Kastrioti, do të luajë ndaj Rahovecit, kampionit në fuqi të Kosovës.
Rahoveci e eliminoi Prishtinën në gjysmëfinale 2:0.
Më 1 maj, Kastrioti e kishte mposhtur Besa Famgasin 38:37 në Ferizaj, ndërsa ndeshja në Pejë ishte mbyllur 31:29.
Yassine Henahen ishte më i dalluari në fitoren e së enjtes te Kastrioti me nëntë gola. Me nga pesë gola ndeshjen e mbyllën Deniz Terziqi dhe Beni Sula.
Paraqitje të mirë pati edhe portieri Wadi Chebbi.
Besa Famgasit nuk i ndihmoi loja e mirë e Vladimir Stankoviqit që pati tetë gola të realizuar, dhe ajo e Amar Muqollit, që kishte pesë gola.
Rahoveci stinorin e rregullt e mbylli në vendin e parë, ndërsa Kastrioti ishte i dyti.