Sporte të tjera

E konfirmuar, skitari shqiptar do ta përfaqësojë Francën në LOD

Alban Elezi Cannaferina

Dy ditë pasi e arriti suksesin e madh duke u renditur i treti në garën e skijimit alpin në Schladming të Austrisë, skitari me prejardhje shqiptare, Alban Elezi Cannaferina, e ka siguruar vendin në ekipin e Francës për Lojërat Olimpike Dimërore. 
Edicioni i sivjetmë i Lojërave Olimpike Dimërore organizohet në “Milano Cortina”.

Medalja në Kupë të Botës në garën e sllallomit të madh, i ka bindur drejtuesit e Komitetit Olimpik të Francës që Alban Elezi Cannaferina, duhet të jetë pjesë e ekipit, me propozim të Federatës Skitare të Francës.

22-vjeçari më herët ishte kampion botëror te juniorët në sllallom të madh, në vitin 2023.

Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026”, janë të parat për skitarin me prejardhje shqiptare. Ai ka edhe medalje evropiane te të rinjtë.

Alban Elezi Cannaferina është djali i Adnan Elezit, që është prej mundësve më të dalluar shqiptarë. Nëna e Albanit është franceze, profesoreshë e Edukatës Fizike dhe instruktore skijimi. Albani i mban mbiemrat e të dy prindërve.

Medalje në garat e Kupës së Botës në skijim alpin po fiton edhe Lara Colturi, italiania që garon për Shqipërinë.