Skitari brazilian, Lucas Pinheiro Braathen, ka bërë lëshim të jashtëzakonshëm në disiplinën e sllallomit të madh në skijim alpin në Bormio të Italisë.
Të shtunën ai shkëlqeu dhe ia siguroi Amerikës së Jugut medaljen e parë në Lojërat Olimpike Dimërore.
Nga dy lëshimet, Pinheiro Braathen pati kohën prej 2 minuta e 25 sekonda. Me 58 të qindtat më ngadalë, garën i dyti e përfundoi Marco Odermatt i Zvicrës, kurse me 1 minutë e 17 sekonda vonesë, i treti ishte zvicerani tjetër Loic Meillard.
Pritet të ketë festë të madhe në Brazil, pasi Pinheiro Braathen e bëri të mundur që shtetit të tij t’ia sigurojë medaljen e parë të artë në skijim alpin.
Pinheiro Braathen e ka nënën braziliane, ndërsa babanë norvegjez. Nisi me gara në skijim për Norvegjinë deri në vitin 2023, ndërsa nga viti 2024 e përfaqëson Brazilin.
“Dua që këtë ta ndaj me të gjithë që na shohin në Brazil, që më kanë përcjellë e më kanë përkrahur”, ka deklaruar ai pas garës për “TV Globo”. “Kjo mund të jetë inspirim për gjeneratat e ardhshme, pasi asgjë nuk është e pamundur. Nuk ka rëndësi se prej nga vjen. E rëndësishme është çfarë ke brenda. Çfarë bën zemra. U kam sjellë brazilianëve forcë me flamurin në podium. Kjo është për Brazilin”, ka deklaruar ai.
Medaljes së artë iu gëzua edhe presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva.
“Ky rezultat i jashtëzakonshëm tregon se sporti brazilian nuk ka limite. Është reflektim i talentit, dedikimit dhe punës së vazhdueshme që e fuqizon sportin në secilin dimension”, ka shkruar presidenti Lula ndër të tjera.
Tjetër medalje në “Milano Cortina 2026” ishte për 28-vjeçarin Odermatt. Ai e fitoi të argjendtën edhe në ngjarjen ekipore, ku ishte me partnerin Meillard. Odermatt e ka të fituar të bronztën edhe në disiplinën Super-G.
Nga 81 garues sa morën pjesë të shtunën në disiplinën e sllallomit të madh, vetëm 69 e përfunduan garën.
Denni Xhepa që e përfaqëson Shqipërinë, përfundoi i 34-ti. Ai pas dy lëshimeve kishte kohë prej 2 minuta, 35 sekonda e 91 të qindtat dhe ishte prapa fituesit me 10 sekonda e 91 të qindtat vonesë.
Shqiptari tjetër që përfaqëson Francën, Alban Elezi Cannaferina, nuk e përfundoi garën. Lëshimin e parë e pati me kohën 1 minutë, 18 sekonda e 79 të qindtat, ndërsa nuk e përfundoi garën në lëshimin e dytë.