Sporte të tjera

Besa Famgasi e fiton bindshëm derbin me Rahovecin

Besa Famgas - Rahoveci

Besa Famgas e ka fituar derbin e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në hendboll.

Të dielën mbrëma në palestrën “Karagaçi”, Besa e mposhti kampionin në fuqi, Rahovecin, me rezultatin 35:28.  

Ndeshja ishte e fortë. Pjesa e parë ishte kryesisht e barabartë, ndërsa përfundoi 20:19 për ekipin pejan. 

Në pjesën e dytë vendasit nisën furishëm për epërsinë 25:20. “Vreshtarët” ia dolën të afrohen në një gol, 28:27, por pa barazuar. Fundi i ndeshjes sërish i takoi Besa Famgasit që në fund fitoi me shtatë gola dallim.

Deniz Terziqi ishte më efikasi te Besa me 11 gola. Tetë i shënoi Jon Vokshi e shtatë Ahmed Zayan. Me shumë pritje në pjesën e dytë u dallua Flakrim Beqiraj.

Te Rahoveci, 14 gola i shënoi Egzon Gjuka. 

Po të dielën, Kastrioti fitoi 43:28 ndaj Vëllaznimit në Gjakovë. Të shtunën Trepça fitoi ndaj Llapit në Podujevë me një gol dallim.

Kastrioti tani është shkëputur në vendin e parë me 18 pikë, dy më shumë se Rahoveci. Besa është e treta me 10 pikë nga shtatë ndeshje. 10 pikë, por nga nëntë ndeshje, i ka Vëllaznimi në vendin e katërt.