Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Zeneli beson se me Kosovën do të luajë në Evropian

Arbër Zeneli ka pritur gjatë për t’u kthyer në fushë. Gati nëntë muaj pasi këputi ligamentet e gjurit të djathtë, sulmuesi anësor i ekipit Stade de Reims u rikthye në fund të shkurtit dhe luajti pesë minutat e fundit në ndeshjen kampionale kundër Monacos (1:1).

Në fakt, këto janë pesë minutat e para të tij këtë edicioni në elitën e futbollit të Francës, derisa ende nuk e ka djersitur për asnjë minutë fanellën e përfaqësueses së Kosovës.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Zeneli u lëndua rëndë në qershorin e vitit të kaluar në ndeshjen që “dardanët” e zhvilluan kundër Malit të Zi në Podgoricë, në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian që është shtyrë për vitin 2021 shkaku i koronavirusit.

Futbollisti më i mirë në Kosovë për vitin 2018, i shpallur nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), në një intervistë për KOHËN ka thënë se ka qenë gati t’i tregojë vlerat e tij qysh tash si me klubin francez ashtu edhe me Kosovën. Por, kampionati i Francës është pezulluar, ashtu si edhe në gjithë Evropën, përveç në Bjellorusi, si dhe ndeshja e plejofit e Ligës së Kombeve kundër Maqedonisë së Veriut në një datë të pacaktuar. Madje Zeneli beson se Kosova mund të sigurojë plasmanin në Evropian.

“Lëndimin e kam kaluar krejtësisht dhe mezi pres të rifilloj me lojtarët si në klub ashtu edhe në kombëtaren e Kosovës. Më kanë munguar shumë ndeshjet, por unë do të mundohem ta harroj të kaluarën time për t’u fokusuar për të ardhmen. Nuk do ta zhgënjej babin tim e as popullin e Kosovës. Kam shumë besim se mund ta realizojmë ëndrrën tonë që kemi dhe me Kosovën të kualifikohemi në Evropian”, ka thënë Zeneli.