Sport

Zeneli: Bëni kujdes, na duheni për ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut

Sulmuesi i skuadrës elitare të Francës, Stade de Reims, Arbër Zeneli, ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës të bëjnë kujdes për ta kaluar sa më shpejtë pandeminë COVID-19.

Ai në një mesazh dërguar në redaksinë e “Sportit në KTV” ka thënë se Kosovës do t’i duhet mbështetja e madhe nga qytetarët e vendit për ndeshjen e plejofit të Ligës së Kombeve kundër Maqedonisë së Veriut. Kjo ndeshje ishte paraparë të zhvillohej në mars, e më pas më 4 qershor në Shkup, por është shtyrë për një afat të pacaktuar. Është raportuar se mund të zhvillohet në muajin shtator, ashtu si edhe ndeshja tjetër e plejofit në mes Bjellorusisë dhe Gjeorgjisë.

“Jemi në gjendje kritike, por e kam një kërkesë, që t’iu përmbahemi rregullave të caktuara nga institucionet tona. Neve si kombëtare na duhet mbështetja kundër Maqedonisë së Veriut”, ka thënë Zeneli në video-mesazh.

Zeneli është kthyer nga një lëndim që e mbajti jashtë fushës për një kohë të gjatë. Ai ishte lënduar në ndeshjen që Kosova e pati zhvilluar në Podgoricë kundër Malit të Zi më 7 qershor të vitit të kaluar, në kuadër të kualifikimeve për kampionatin evropian, që është shtyrë për vitin e ardhshëm. Për “Dardanët” Zeneli 25-vjeçar ka shënuar shtatë gola në 18 paraqitje.