Gianluca Vialli, ish-sulmuesi i Italisë, i cili ndihmoi Sampdorian dhe Juventusin të fitonin titullin e kampionit në Serie A dhe trofe evropianë përpara se të bëhej lojtar-trajner te Chelsea, ka vdekur pas një beteje me sëmundjen e kancerit. Ai vdiq në moshën 58-vjeçare.
Vialli vdiq në Londër, i rrethuar nga familja dhe të afërmit. Federata italiane e futbollit shprehu ngushëllimet për vdekjen e ikonës së Italisë.
Vialli në vitin 2018 kishte njoftuar se kishte kapërcyer një betejë njëvjeçare me kancerin e pankreasit, por më pas në dhjetor të vitit 2021 tha se sëmundja i ishte rikthyer. Me përkeqësimin e gjendjes, Vialli njoftoi në mes të muajit të shkuar se do të largohej përkohësisht nga detyra si shef i delegacionit te Përfaqësuesja e Italisë.
Presidenti i Federatës italiane, Gabriele Gravina, tha se ishte “thellësisht i pikëlluar” dhe shtoi se suksesi sportiv i Viallit u përputh me “cilësitë e tij të jashtëzakonshme njerëzore”. Vialli u emërua shef i delegacionit nën drejtimin e trajnerit të Italisë, Roberto Mancini, që ishte miku i tij i vjetër dhe ish-shoku i skuadrës. Dy lojtarët njiheshin me nofkën “binjakët e golit”, pasi luajtën së bashku në Sampdoria, duke udhëhequr klubin e Genoas drejt titullit të vetëm të Serie A në vitin 1991 dhe trofeun e vetëm evropian në vitin 1990 (Kupa e Fituesve të Kupave). Sampdoria po ashtu fitoi katër trofe të Kupës së Italisë.
Vialli dhe Mancini ndihmuan Sampdorian të arrinte në finalen e Kupës Evropiane të vitit 1992, të cilën e humbi ndaj Barcelonës në stadiumin “Wembley” në Londër.
Si shef i delegacionit, Vialli, u ribashkua me Mancinin për të ndihmuar Italinë të fitonte Kampionatin Evropian, duke mposhtur Anglinë me penallti në “Wembley” në vitin 2021.
“Ne kemi një marrëdhënie që shkon përtej miqësisë”, kishte thënë Mancini atëbotë. “Ai është si një vëlla i vërtetë për mua”.
Një javë më parë bota e futbollit mbeti pa legjendën më të madhe, brazilianin Pele.
Vialli fitoi një tjetër titull në Serie A me Juventusin dhe gjithashtu ngriti trofetë e Ligës së Kampionëve dhe Kupës së UEFA-s me ekipin nga Torino.
“Një ndjenjë e madhe e humbjes”, tha Juventusi në një deklaratë. “Ne kemi qenë gjithmonë me ty, Gianluca. Që kur erdhe në vitin 1992, kur ishte dashuri në shikim të parë. Ne donim gjithçka për ty, absolutisht gjithçka. Donim buzëqeshjen tënde, të qenët yll dhe lider në të njëjtën kohë, në fushë dhe në dhomën e zhveshjes deri në ditën e fundit me ngjyrat bardh e zi”.
Vialli luajti për Italinë nga viti 1985 deri në vitin 1992, duke bërë 59 paraqitje dhe duke shënuar 16 gola.
Ai e përfundoi karrierën e tij si lojtar te Chelsea. Ishte edhe trajner i Chelseat, duke udhëhequr ekipin londinez drejt trofeve të Kupës FA, Kupës së Ligës dhe Kupës së Fituesve të Kupave. Ai vazhdoi të jetonte në Londër pasi kaloi nga Chelsea në komentime televizive dhe sipërmarrje të tjera.
“Mendimet tona janë me gruan e Lucas, Cathryn, vajzat e tij Sofia dhe Olivia, dhe pjesën tjetër të familjes së tij dhe miqtë e tij në këtë kohë jashtëzakonisht të trishtuar”, tha Chelsea në një deklaratë.
Kryetari i Chelseat, Todd Boehly dhe bashkëpronari Behdad Eghbali, shtuan: “Legjenda e Gianlucas do të jetojë në ‘Stamford Bridge’. Ndikimi i tij si lojtar, trajner dhe më e rëndësishmja si person, do të shkruhet përgjithmonë në historinë e klubit tonë”.