Sport

Vesa Gjinaj, 16-vjeçarja që synon majat e tenisit

Vesa Gjinaj thotë se është e pakonkurrencë në Kosovë në sportin e tenisit, që ndryshe njihet si “sporti i bardhë”. Por, për t’u bërë konkurrente e denjë në arenën ndërkombëtare, Vesa pranon se i duhet ende punë.

Nga Kosova thotë se është vështirë të arrihen majat e tenisit botëror. Mungojnë kushtet për punë në dimër, sipas saj.

Për të bërë hap para në karrierë, Gjinaj gjatë këtij viti pritet të marrë rrugë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, saktësisht në New York, për t’u regjistruar në akademinë e tenisit “John McEnroe Tennis Academy”

“Në këtë akademi më kanë përkrahur për të ushtruar dhe më ka pëlqyer. Po ashtu, edhe ata vlerësuan potencialin tim. Ndër dy trajnerët kryesorë të kësaj akademie janë John McEnroe, ish-numri një në botë dhe vëllai i tij, Patrick McEnroe, gjithashtu një lojtar amerikan i tenisit me shumë suksese”, ka thënë Gjinaj të dielën për KOHËN.

Gjinaj doli e para në dyshe në turneun e tenisit të mbajtur në Brestovik të Pejës “Kosova Open 2021’ J5” për juniorë. Në garën individuale u eliminua në gjysmëfinale.

Gjinaj këtë vit e ka përfaqësuar për herë të dytë Kosovën në “Fed Cup” – Kampionati Botëror në Tenis.

Fitoi turneun ndërkombëtar të rangut botëror “Neocom Open 2021” për grupmoshën U-18 në kategorinë individuale.

“Kjo ishte një arritje historike jo vetëm për mua, por edhe për tenisin e Kosovës, meqë asnjëherë më parë ndonjë tenist apo teniste nuk ka arritur të fitojë ndonjë turne të rangut botëror. Jam edhe kampione e turneut ndërkombëtar ‘ITF Kosova Open 2021’ në kategorinë për çifte për grupmoshën 18&U dhe gjysmëfinaliste në kategorinë individuale. Kampione e Kosovës në kategorinë e të rriturave dhe U18. E arritur është edhe rangimi më i lartë i arritur ndonjëherë nga një tenist apo teniste në arenën botërore në ITF. Po ashtu, në vitin 2020 jam shpallur kampione e turneut botëror ‘Tennis Europe për grupmoshën 16&U’, që ishte arritje historike, meqë asnjëherë më parë ndonjë tenist nga Kosova nuk ka arritur të fitojë një turne zyrtar ndërkombëtar në kategorinë individuale në këtë grupmoshë”, ka theksuar Gjinaj.

Lista e saj e sukseseve është e gjatë. Por ajo thotë se nuk do të ndalet dhe do të punojë për të arritur të tjera suksese.

“Qëllimi im është të luaj në Grand Slame dhe në turnetë e kategorisë Pro. Të luaj në turnetë e WTA-së dhe të arrij fitore dhe rangim sa më të lartë. Pse jo një ditë edhe në ‘Top 10 të WTA-së, ranglistës botërore’. Kam besim shumë të madh se edhe për titull do të luftoj dhe me punë mund t’ia dalim. Në ranglistën e Kosovës jam e para edhe në kategorinë e senioreve. Shpresojmë të mos kemi ndonjë lëndim dhe të punojmë çdo ditë drejt atij qëllimi për të bërë karrierë të madhe ndërkombëtare. Këtë vit do të udhëtoj për në Amerikë dhe të vazhdoj të ndjek ushtrimet dhe zhvillimin për të arritur rezultate sa më të mira në turnetë botërorë. Në Kosovë nuk po kam konkurrencë dhe kushtet janë jo të mira për përgatitje sidomos në dimër”, ka thënë Gjinaj.