Sport

Vëllezërit Makolli fitojnë titullin me skuadrën e Ibrës

Pas titullit të dytë të Suedisë në fustall, të fituar në dy sezone rresht me Hammarbyn, Liridon Makolli shpreson që të ftohet nga Përfaqësuesja e Kosovës në futboll të sallës.

Kontribut në mbrojtjen e titullit nga Hammarby dha edhe vëllai i Liridonit, Leutrimi. Leutrimi shënoi një gol të shtunën, kur Hammarby mposhti Orebron në ndeshjen vendimtare, pas ekzekutimit të penalltive. Koha e rregullt përfundoi 4:4, ndërsa për 4:3 kishte shënuar Leutrimi Makolli, 44 sekonda pa përfunduar ndeshja. Në kohën shtesë, dy herë nga pesë minuta, ndeshja përfundoi 6:6. Në penallti ishte skuadra e Hammarbyt që triumfoi.

Liridoni edhe vitin e kaluar ishte kampion me Hammarbyn në elitën e futsallit të Suedisë, ndërsa për Leutrimin ishte sezoni i parë me ekipin e ri.

Që të dy janë prej më të mirëve në ekip. Falë paraqitjeve të mira, Liridoni thotë se e meritojnë që të marrin thirrje nga “dardanët” në futsall. Të paktën t’u japin një rast për ta parë nga afër cilësinë e tyre.

“Kam qenë në listën e Përfaqësueses së Suedisë, në listën e fundit. Do të ishte nder nëse Përfaqësuesja e Kosovës në futsall më selekton mua dhe vëllanë tim, për të parë se çfarë mendojnë ata për ne”, ka thënë Liridon Makolli në një intervistë për KOHËN të dielën. Ai ka luajtur me Suedinë në disa ndeshje miqësore.

Liridoni ndihet krenar që e ka përkrahjen e vëllait. Përveç përkrahjes jashtë sportit, tani e ka edhe afër në ekip. Kjo gjë e bën atë tejet të lumtur.

“Ndihem krenar. Kemi pasur lidhje të mirë gjatë gjithë sezonit, e gjejmë njëri-tjetrin mirë. Dhe ta ndajmë së bashku këtë titull, është mrekulli. Ky është sezoni i parë për të me Hammarbyn. Ai është lojtar shumë i mirë që sjell diçka më shumë në lojën tonë”, shton Liridoni Makolli.

Sezoni i kaluar i futsallit në Suedi përfundoi me vonesë për shkak të ndikimit të pandemisë së koronavirusit. E sezoni që përfundoi të shtunën nuk ka qenë aspak i lehtë për Makollët e Hammarbyt.

“Kemi sakrifikuar shumë. Ta fitosh titullin për herën e dytë është gjithmonë e vështirë. Këtë vit ekipet na kanë ndjekur dhe natyrisht të gjithë dëshirojnë të fitojnë ndaj ekipit më të mirë”, nënvizoi Liridon Makolli.

Titullin e Hammarbyt e ka përshëndetur nga larg edhe futbollisti më i mirë që ka pasur Suedia, Zlatan Ibrahimoviq. Ibrahimoviqi, që është bashkëpronar në këtë klub, i uroi lojtarët e klubit të futsallit.

“Ka qenë gjë e madhe për ne. Zlatani ka rol të madh në familjen e Hammarbyt dhe është model për mua. Kjo do të thotë shumë. Nuk e kam takuar personalisht, por shpresoj që ai të vijë dhe të stërvitet me ekipin e futsallit të Hammarbyt një ditë”, thotë duke qeshur Liridon Makolli.