Në kohën kur vendi i tyre është në luftë me Rusinë, futbollistët e rinj të Ukrainës janë të vendosur për sukses sportiv. Dhe vendosmërinë e tyre do ta kenë rastin ta shohin futbollistët e rinj të Kosovës.
Përfaqësuesja U17 e Kosovës në futboll të mërkurën prej orës 12:00 luan ndeshje me Ukrainën U17. Ndeshja luhet në Poggibonsi të Italisë, ku zhvillohet turneu i grupit të gjashtë të raundit elit të kualifikimeve për Evropianin e këtij viti.
Delegacioni ukrainas javën e kaluar është vendosur në Itali. Ndërkohë, Përfaqësuesja e Kosovës të hënën udhëtoi për në vendin ku i luan tri ndeshje të forta.
Në grupin e gjashtë janë edhe Italia e Polonia. Fituesi i grupit kualifikohet në Evropian, ndërsa gjasat e kualifikimit janë të mëdha edhe nga pozita e dytë.
Për shkak të luftës në Ukrainë, turneu i grupit të gjashtë është shtyrë për prill dhe nuk është mbajtur në muajin mars, ashtu si turnetë e grupeve të tjera të raundit elit. Në vjeshtë ishte luajtur raundi kualifikues, ku të suksesshme ishin si Kosova ashtu edhe Ukraina.
Paraqitja e Ukrainës pritet të përcillet me më shumë bujë për shkak të luftës me Rusinë. Prej se ka nisur lufta asnjë përfaqësuese ukrainase e futbollit nuk ka luajtur ndeshje.
Por Përfaqësuesja U17 ka grumbulluar të gjithë lojtarët që i ka synuar dhe do të paraqitet e kompletuar ndaj Kosovës.
Trajneri i Ukrainës U17, Oleg Kuznetsov, ka thënë të hënën se çdo gjë po shkon sipas planit. Ai është i kënaqur me formën fizike të lojtarëve. Natyrisht, Kuznetsov ka informata të bollshme për Përfaqësuesen e Kosovës.
“Të gjithë 20 lojtarët në të cilët kemi llogaritur janë në grumbullim. Kam parë disa ndeshje të ekipit nacional të Kosovës, por do t’ua japim informatat e nevojshme lojtarëve në seancën teorike në prag të ndeshjes. Që në ditën e parë do të jemi në gjendje të shohim Italinë e Poloninë”, ka theksuar Kuznetsov në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Ukrainës.
Italia vlerësohet favorite e grupit dhe këtë e ka pranuar përzgjedhësi ukrainas.
Fakti që të rinjtë ukrainas nuk kanë luajtur për një kohë favorizon ekipet e tjera në grup, ka vlerësuar Kuznetsov. Por ai ka treguar se ka lojtarë që kanë ushtruar me Bayernin, Atalantan, Bruggen, Hajdukun e me disa skuadra të tjera evropiane.
Lufta në të cilën gjendet vendi i tyre, natyrisht do të motivojë lojtarët e Ukrainës.
“Lufta po vazhdon në vendin tonë, kështu që do t’iu themi djemve që duhet të kenë energji shtesë, të jenë më të fokusuar, më kërkues. Dhe fakti që futbollistët kanë dëshirë të madhe për t’u kualifikuar në Evropian mund të shihet në përkushtimin e tyre në stërvitje”, ka theksuar selektori ukrainas.
Edhe përzgjedhësi i Kosovës, Arsim Abazi, është shprehur optimist para udhëtimit për në Itali. Sipas tij, vendi i dytë në grup është i mundur. Ai është i kënaqur me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion. Thotë se bëhet fjalë për gjeneratë shumë të mirë dhe se të gjithë lojtarët luajnë në skuadrat e tyre.